Gjykata e Lartë vendos sot në orën 13:00 për fatin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahir dhe ish-drejtorin e Policisë Vlorë , Jaeld Çela.

Të dy ata kundërshtojnë vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, për rikthimin e çështjes së tyre për rigjykim.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se dy prokurorët e SPAK kërkojnë kthim për rigjykim në Shkallën e Parë dhe provat të shqyrtohen edhe një herë nga GJKKO.

Nga ana tjetër Tahiri dhe Çela nuk duan rigjykim, por kthim të çështjes në Shkallën e Dytë.

Gjykata e Lartë tashmë ka dy opsione, ose të prishë vendimin e Apelit të GJKKO dhe gjykimi të bëhet me një tjetër trup gjykues, ose të lërë në fuqi vendimin dhe çështja e Tahirit të shkojë prap në Shkallën e Parë.

Por çfarë ka ndodhur më parë me çështjen Tahiri?

Gjykata e shkallës së Parë e dënoi Tahirin më 3 vjet shërbim prove për shpërdorim detyre, një akuzë që nuk ishte ngritur nga Prokuroria.

Krimet e Rënda kërkonin 12 vite burg, por me gjykim të shkurtuar u ul në 8. Ai akuzohej për 3 vepra penale, “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Asnjë prej akuzave të sipërpërmendura nuk u pranua nga Gjykata.

Ndërkohë sot Tahiri ka mbërritur në Gjykatën e Lartë i shoqëruar nga avokati Maksim Haxhiaj. Ish-drejtori Çela i cili ndodhet në paraburgim nuk është shoqëruar në ambientet e Gjykatës së Lartë. Ai përfaqësohet nga dy avokatët e tij. Gjykata e Lartë nuk ka lejuar prani të gazetarëve, duke u justifikuar me masat anti-covid. Pas insistimit të mediave është lejuar një gazetar si përfaqësues i tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb