Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku deklaro se paralajmërimi i qeverisë se një krizë e re energjetike do të godiste vendin, ishte një kamuflim për të mbuluar krizën ekonomike.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Marku tha se bëhet fjalë për një krizë më të reduktuar që ka prekur disa vende të botës që përdorin shumë gazin.

Sipas Markut, Rama ndërton fabulën e njeriut që merr përsipër zgjidhjen e gjërave.

“Mua më shqetëson më shumë se si po e trajton qeveria krizën energjetike. Ne kemi qenë në krizë ekonomike të fortë, borxhi i brendshëm, inflacioni. Për ata që kanë pak informacion, e dinin. Kriza energjetike është nxitës. Rama po mundohet që dështimin ekonomik t’ia faturojë kësaj krize globale e cila nuk është dhe kaq globale. Janë në krizë ato vende që e kanë të lidhur jetën e tyre ekonomike me vendet që furnizohen me gaz. Nuk është krizë botërore e tipit të para 10 vitesh. Është krizë më e reduktuar. Kriza ekonomike është përtej kësaj krize që po shfaqet tani. Ajo është propagandë për të kamufluar krizën ekonomike. Për energjinë elektrike ne varemi nga energjia hidrike. S’kemi termocentrale. Ne nuk jemi të varur totalisht në rastin e energjisë. Mund të rritet çmimi i naftës, i gazit që çon në rritje të çmimeve të tjera.

Çmimi i gazit prej 3 vitesh është rritur 3 herë. Rritja e çmimit të naftës, ne kemi paguar më tepër për shkak të taksës që paguajnë këta furnizues të mëdhenj. Ne kemi pasur naftën më të shtrenjtë se vendet e rajonit dhe të Europës. Shansi i Ramës para shqiptarëve është që të ketë vetëm fatkeqësi. Mbi këtë bazë ai ndërton fabulën e njeriut që merr përsipër zgjidhjen e gjërave. Në këtë rast ai fatkeqësinë e projekton te natyra ose kundërshtari. Shikoni se si ia faturon Europës dështimin që ai ka për integrimin. Prej 8 vitesh ende s’po e marrim datën për negociatat. Ka 2 vite që merret me vendet europiane. Në thelb vendet europiane mund të jenë përgjegjës për gjithçka, por për faktin se nuk plotësojmë elementet më minimale, është faji i Ramës. Është qeveri që bën propagandë dhe nuk qeveris. Edhe 4 vite do të bëjë fushatë elektorale. Pse nuk e tregojnë se sa e kemi borxhin e brendshëm dhe të jashtëm?! Për rritjen e inflacionit e thonin qysh para një viti. Borxhi i padeklaruar është aq i madh sa e çon vendin në krizë ekonomike.”, theksoi ai.

Ish-deputeti i PD-së vlerësoi protestën e djeshme që zhvilluan dje qytetarët, të cilët kundërshtuan opsionin për rritjen e çmimit të energjisë, por edhe të karburantit.

“Mendoj se do të ketë protesta nëse vazhdohet kështu duke mos qeverisur dhe duke mos adresuar problemet e qytetarëve. Protestat ndodhin kur nuk ka zgjidhje politike. Ndaj do të ketë shpërthime. Dje e ndoqa me shumë vëmendje, më pëlqeu shumë. Njerëzit janë mësuar që të bëhen protesta masive. Por aty njerëzit kanë shkuar vetë, me shqetësimin qytetar. Nëse ti si qytetar barazon përgjegjësitë e opozitës me qeverinë, do të thotë se po ndihmon pushtetin. të deklarosh se; ‘ne nuk duam partitë politike’, më duket se nuk shkon. Edhe socialistët kanë të drejtë që të shkojnë në protestë. Kjo është shenjë emancipimi. Duhen gjetur format që të bësh reagimin në rrugë. Mua mu dukën shumë protestues. Por kuptim ka mesazhi që përcjell protesta dhe duhet të ketë qëndrueshmëri. Organizimet e tjera të shoqërisë nuk mund të shmangen, dhe nuk mund t’i privatizosh.”, theksoi Marku.

Duke u ndalur te metoda që duhet të përdorë opozita në lidhje me krizën energjetike, Marku tha se;
“Opozita do të duhej që të bënte gjënë e vetë pa tentuar që me aksionet e veta të shuante vatrat e reagimit qytetar. Mendoj se nuk ka një rrugë ose dy rrugë të të vepruarit të opozitës. Por ka disa. Opozita ka parlamentin si instrument. Këto çështje janë jetike. Në momentin që shfaqet një krizë, PD duhet të merret dhe me çështje të së shkuarës, por dhe të tashmes. Duhet të ketë aksion politik. Potencionalet intelektuale që ka opozita duhet t’i shfrytëzojë. Opozita duhet të ndryshojë format e komunikimit, pasi ka komunikim vetëm për veten dhe jo për qytetarët. Duhet të jetë aktive. Do të duhet të ketë aksion politik por për fat të keq është e zënë me debatin e brendshëm. Ajo duhet të reagojë për këto probleme, dhe duhet të merret me protesta, por të ndryshojë konceptin e tyre. Ata duan të bishti i kalit protestuesin e fundit. Këto janë protesta që ndodhin rrallë. Protestat mund të jenë dhe me 100 veta. Po nuk shkon dot te 1 mijë protestues që në fillim.”.

Ndër të tjera Marku deklaroi se Berisha me ‘Foltoren’ e tij po shfaq atë se si nuk duhej të ishte PD dhe kjo sipas tij nga forma e komunikimit që përdoret nga ish-kryeministri.

“E kam ndjekur me interes këtë debat. Si një njeri i djathtë shqetësohem për partinë e djathtë, edhe pse nuk është plotësisht e tillë. Ne një farë mënyrë Berisha po shfaq atë se si nuk duhet të jetë PD me foltoren e vetë. Qoftë nga format e komunikimit. Një nga arsyet që PD se ka krijuar konsensusin masiv, që të bëhet maxhorancë numerike është kjo formë komunikimi. PD po humb edhe kohën fizike. Kjo formë komunikimi është si në periudhën më të keqe të saj. Po të duash që të kuptosh se si ka qenë pjesa më e keqe e PD, është kjo këtu. Berisha ka aspekte të tjera pozitive. Në momentin kur Basha mori vendimin dhe përgjegjësinë, ai zbuloi (Berisha) se PD për 8 vite nuk ka qenë duke funksionuar. Ai të gjithë këtë po e bën për vete dhe po bën aksion brenda partisë. As vetë Berisha se di se deri ku do të shkojë, pasi është i angazhuar për shqetësimin e tij.

I gjithë mesazhi i ‘Foltores’ deri tani ka qenë; të heqim Bashën. Nuk thotë se do të jetë vetë apo dikush tjetër. Berisha ka mbështetës, por a po shfaq një alternativë të re për PD?! Basha nuk po bën lëvizje politike. Kryetari i PD duhet të shfaqte një vizion se si të udhëheq opozitën. Berisha duhet vlerësuar si figurë historike, por nuk është aternativë për aktualitetin. Nëse Basha është një problem, pasi në mënyrën se si funksionon është. Por ky është problem i krijuar nga Berisha. Unë e di se zoti Basha ka probleme, të cilat ia kam thënë në takime dhe personalisht, por do të doja ai t’i lihet paraqitja e një alternative para PD. Të riformatojë PD-në në mënyrë të tillë që në këtë mënyrë të krijohen edhe pasuesit e tij, pasi ky është akti i tij i fundit. Nuk jam kundër Berishës, pasi shumë gjerë më është dukur i zoti. Por ‘Berishizmi’ për mua është një mënyrë e të bërit politikë në mënyrë të tejkaluar. Është ‘Enverizëm’ në sistem demokratik.”, përfundoi fjalën e tij Marku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb