Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit vë në skenë një balet premierë të një koreografi të ri shqiptar që e ka veprën e tij të parë. “Humus” i kushtohet natyrës dhe rrënimit të saj, por pa shfaqur rebelim
Julind Dervishi, koreograf i pjesës sqaron se:
“Të krijosh për Teatrin e Operas ishte ëndërr për mua. Është një pjesë për dashurinë e natyrës dhe të mirat që na sjell natyra dhe gjërat e këqija që i bëjmë. Ka revoltë brenda, por nuk jam fokusuar te revolta sepse mendoj se duhet të jemi të gëzuar për atë që kemi”.
Baleti kontemporan zgjat rreth 60 minuta dhe ka angazhuar gjithë Trupën e Baletit të Teatrit Kombëtar.
Balerini Dion Gjinika, thotë se është një balet i vështirë nga ana teknike. “Ka problem me pjesën e frymëmarrjes ku balerinët duhet të jenë shumë të përgatitur. Është vepër që në disa momente të kalon në një dimension krejt tjetër por të sjell edhe në realitet”.
Përtej politikës së teatrit për të afruar në skenë të rinj të talentuar përmes projektit Teatri i së Ardhmes, drejtoresha sqaron edhe mënyrën e përzgjedhjes së këtij baleti.
“Juli këtë vepër e ka paraqitur në zyrën time 4-5 vite më parë dhe menduam t’ia jepnim këtë mundësi sepse dosja e tij ishte e plote dhe bindëse. Që t’i jepje një artisti të ri gjithë trupën për një kohë të gjatë, me kalendarin tonë të ngjeshur, vetëm tani ishte mundësia”, tha Çela.
Premiera shfaqet në datat 5 dhe 6 nëntor ora 19:00.