Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, deklaroi se çdo qindarkë e shpenzuar për rendin dhe sigurinë nuk është asnjëherë investim i çuar dëm.

Ai theksoi se në Policinë e Shtetit po bëhet një revolucion teknologjik dhe se në pak kohë trupa e policisë do të jetë në të njëjtën korsi shpejtësie me vendet e BE-së.

“Policinë e gjetëm me 70% të automjeteve me gjendje të dobët. Sot është rinovuar e tëra. Ne garën nuk e kemi me të shkuarën , sfida jonë mbetet vetvetja. Do të shtojmë buxhetin në vlerë absolute. Bonusi i pagave që do të përfitojnë punonjësit e Policisë së Shtetit deri në masën 150% në varësi të largësisë që kanë. Kemi rritur rreth 70% të investimeve dhe gjysma do të shkojë në fushën e teknologjisë. Policia e Shtetit duhet të kontrollojë çdo cep të territorit për çdo shkelje dhe duke investuar në teknologji do të jetë me lehtë të bëhet ky kontroll. Do të investojmë për të pasur një mjet komunikimi më të sigurt brenda trupës së policisë. 112 do të mbulojë të gjithë territorin e vendit për të denoncuar krahas komisariatit digjital. Me këtë arsenal pajisjes të teknologjisë së fundit do të mundohemi të minimizojmë çdo  shkelje edhe nga ana  e punonjësit të shtetit. Në 2022 këtë flotë do ta zgjerojmë, të gjitha rrugët kryesore të Shqipërisë ato më problematike do të jenë më të sigurta, nuk ka më jam miku i filanit. Gjoba vendoset automatikisht dhe shkon direkte në adresën  e shkelësit”, tha Çuçi.

Në lidhje me buxhetin e vitit të ardhshëm, Çuçi tha se do të ndikojë në dy aspekte kryesore në Policinë e Shtetit.

I pari është ai teknologjik dhe i dyti në dhënien e bonuseve për punonjësit e policisë që punojnë larg vendbanimeve të tyre.

Fjala e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi në takimin për prezantimin e projekt-buxhetit 2022 për Policinë e Shtetit:

VIZIONI DHE MODERNIZIMI I POLICISË SË SHTETIT

  • Dy muaj më parë në programin e qeverisë që miratuam në Parlament, treguam se vzioni ynë për Shqipërinë 2030 në fushën e sigurisë është modernizimi i mëtejshëm i Policisë së Shtetit dhe rritja e besimit të qytetarëve.
  • Jemi zotuar se në katër vitet e ardhshme do ta ngremë luftën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në një tjetër nivel dhe se Policia e Shtetit do të bëjë një kapërcim cilësor duke adaptuar inovacionin dhe teknologjinë për të qenë gjithmonë shumë më përpara atyre që thyejnë ligjin.
  • Në mënyrë të veçantë rendi e siguria publike, lufta kundër krimit të organizuar apo kontrolli i territorit do të ngrihen në një tjetër dimension, duke mbështetur syrin e gabueshëm njerëzor me syrin e pagabueshëm të teknologjisë më të avancuar.
  • Shumë të rinj e të reja besimplotë te Policia e Shtetit, shohin se ky institucion ka vlerat dhe kapacitetet morale e njerëzore për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt. Me punën dhe profesionalizmin e tyre do të bëjmë pikërisht transformimin e madh që i kemi vënë qëllim vetes.
  • Me rreth 3 mijë të rinj e të reja që janë tashmë pjesë e Policisë së Shtetit gjatë viteve të fundit dhe të tjerë që po hyjnë përmes një procesi të vazhdueshëm, po rinovojmë trupën dhe po rrisim kapacitetet profesionale.

BUXHETI 2022

  • Plagët ende të pambyllura plotësisht të pandemisë dhe tërmetit, por edhe kriza energjitike që kemi në prag, nuk penguan një rritje domethënëse të buxhetit.
  • Që në vitin e parë të mandatit tonë të tretë kemi një rritje të buxhetit me 4%, duke ruajtur kështu ritmin e rritjes së këtyre 8 viteve që ne qeverisim dhe duke garantuar financim për prioritetet tona në fushën e rendit dhe sigurisë.
  • Çdo qindarkë e shpenzuar për sigurinë, nuk është asnjëherë para publike e çuar dëm. Garantimi i jetës dhe pronës së qytetarëve, rendi dhe siguria publike, janë parakusht i zhvillimit ekonomik e social të vendit.
  • Po të shkojmë pas, në vitin 2013 kur ne nisëm të qeverisnim Shqipërinë, ndryshimi është si nata me ditën. Policinë e gjetëm me 70% të automjeteve të patrullave në gjendje të dobët ose shumë të dobët dhe me 82% të automjeteve për transport policor jashtë standarteve. Sot flota e mjeteve është rinovuar dhe do të vijojë më tej modernizimi i saj.
  • Por ne nuk e kemi garën me të shkuarën. Sfidën e kemi me vetveten, sepse jemi në momentin kur duhet bërë një kapërcim tjetër i madh, duke nisur nga pagat e atyre që ushtrojnë detyrën larg vendbanimit dhe, më tej, me investimet në pajisje të teknologjisë së fundit. Kështu vijmë konkretisht te buxheti për vitin 2022.

BONUSI PAGAVE

  • Gjithmonë dhe më tepër Policia e Shtetit është më pranë komunitetit dhe po merr rolin si strukturë që menaxhon dhe kontrollon çdo cep të territorit. Ndaj trajtimi i mirë financiar mbetet prioritet. Për këtë vit kemi parashikuar që punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë larg vendbanimit do të përfitojnë shpërblim sipas orëve të punës dhe distancës me banesën. Paga e tyre do të shkojë deri në masën 150%.
  • Kjo është një rritje e konsiderueshme dhe vetëm sot që flasim janë rreth 1200 punonjës policie që përfitojnë shpërblimin. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që ata hasin krahasuar me punonjësit e tjerë të policisë, prandaj për herë të parë në buxhetin e vitit të ardhshëm do të ketë një trajtim të veçantë për këtë kategori.
  • Kjo rritje do të ketë impakt në të ardhurat e tyre, por do të ndikojë edhe në produktivitetin në punë. E di që nuk është e lehtë të punosh larg vendbanimit dhe të paguhesh po njësoj sa kolegët e tu që janë më afër. Prandaj do ta korrigjojmë këtë problem duke nisur nga janari i vitit 2022.

INVESTIMET

  • Përsa i përket investimeve që do të realizojë Ministria e Brendshme në vitin 2022, janë 70% më tepër krahasuar me vitin që po lemë pas. Dhe këtu kemi një kapërcim tjetër të madh krahasuar me vitin 2021 sepse 45% të këtyre investimeve do të shkojnë për teknologji.

TEKNOLOGJIA

  • Si asnjëherë më parë ne do nisim vitin e ardhshëm një fazë të re me investimet në teknologji dhe pajisje dixhitale në Policinë e Shtetit. Janë gati 5 herë më tepër investime se në vitin 2021. Kjo nuk është aspak e rastësishme, por dëshmon vizionin tonë për të rritur cilësisht efektivitetin e punës së Policisë së Shtetit.
  • Investimet në teknologji sigurisht që bëhen për të përmirësuar teknikat dhe sofistikuar mënyrat për të luftuar krimin, për të kontrolluar territorin, për të rritur sigurinë rrugore etj.
  • Ne e dimë që modernizimi dhe teknologjia janë mjeti transformues që kanë vendet si Shqipëria për të bërë kapërcime epokale, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve. Mbetemi të bindur se lufta nëpërmjet teknologjisë do të ngrihet në një tjetër dimension.
  • Do të investojmë për rinovimin e sistemit të transmetimit (DATACOM), për të rritur cilësine e transmetimit të të dhënave ndërmjet të gjitha strukturave policore.
  • Blerja e pajisjeve për sistemin Data Center, e cila është qendra e menaxhimit të të dhënave që prodhon Policia e Shtetit.
  • Zgjerimi i sistemit të numrit të unifikuar të emergjencave, 112, do të mbulojë të gjithë territorin e vendit duke shtrirë në këtë mënyrë aksesin e qytetarëve në kohë reale për shërbimet e emergjencave.
  • Kamerat e trupit, makinat inteligjente, radarët dhe tabletat digjitale, do të jenë vlerë e shtuar, syri dhe veshi i përforcuar i punonjësve të Policisë, për t’i bërë rrugët tona më të sigurta.
  • Me këtë arsenal pajisjesh të teknologjisë së fundit, do të minimizohet çdo mundësi abuzimi me detyrën nga punonjësit e policisë, si dhe do të dekurajohet logjika e mbrapshtë e ryshfetit.
  • Më lejoni të sjell vetëm një shembull. Makina inteligjente që kemi vënë në punë në rreth 1 muaj ka konstatuar rreth 10 mijë gjoba në ato rrugë ku ajo ka dalë në shërbim. Gjoba dërgohet më pas me foto ose video në adresën e kundravajtësit. Mundësia e kontaktit të punonjësit të policisë me shkelësin është zero.
  • Nuk jam duke thënë që gjoba është qëllim në vetvete, por e sjell si rast për të ilustruar forcën e teknologjisë që shmang çdo abuzim potencial të punonjësit të policisë në raport me drejtuesit e mjeteve.

INVESTIMET NË INFRASTRUKTURE

  • Përvec teknologjisë do të realizojmë edhe investime në infrastrukturë. Komisariatet vendore të Policisë në Elbasan, Dibër, Sarandë dhe Pika e Kalimit Kufitar të Qafë Botës, do të rikonstruktohen plotësisht për të qenë në nivelet bashkëkohore, duke ofruar shërbim me standarde të tjera për qytetarët dhe ambiente pune të përshtatshme për punonjësit e policisë.
  • Hapësirat dinjitoze në komisariatet e policisë janë gjithashtu edhe shëmbëlltyra e cilësisë së shërbimeve që ne ofrojmë. Këto investime kanë te qytetarët, po aq impakt sa edhe vendosmëria jonë për të luftuar paligjshmërinë kudo ku që ajo shfaqet.

BASHKËPUNIMI ME TË HUAJT

  • Dhe së fundi, në buxhet është parashikuar gjithashtu bashkëfinancim me partnerët tanë kryesisht në fushën fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufijve dhe Policisë Kriminale me mjete dhe teknologji bashkëkohore.
  • Nga ana tjetër, synojmë profilizimin dhe rritjen e profesionalizmit të Policisë Kriminale, sidomos sektorëve të krimit ekonomik dhe të krimit kibernetik që sot është një problem botëror për të gjithë.
  • Me një gjeneratë të re në Policinë e Shtetit dhe revolucionin teknologjik që do të bëjmë, jam i bindur që në pak kohë kjo trupë do të ecë në të njëjtën korsi shpejtësie me policitë e vendeve të Bashkimit Europian. Faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb