Në një intervistë për gazetaren e News24, Aurora Golemi, Zëvendës kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç thotë se është ndër të rrallët politikanë në vendin e tij që mbështet iniciativën “Open Balkan”.
Abazoviç ndalet dhe sqaron se iniciativa është prezantuar jo më mënyrën e duhur, por sipas tij minishengeni do të ketë një impakt pozitiv për mobilitetin e popujve dhe mallrave. Iniciativa nuk mund të jetë e fuqishme nëse nuk i bashkohen shtete në rajon.
Abazoviç foli për ndikimin serbo rus në Malin e Zi, por edhe për projektin që e konsideron afër zemrës së tij, urën mbi lumin Buna, një projekt që e vendosi brenda 5 minutave me kryeministrin Rama siç thotë ai.
Sa i përket vlerësimit me titullin “Honoris causa” nga Universiteti Luarasi, ai tha se ndihet jashtëzakonisht i nderuar.
“Një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua. Kënaqësi dhe për mikun tim Driton Kuka. Kjo tregon se atë çka punojmë ne me të vërtetë dikush e sheh dhe e vlerëson. Jemi vlerësuar nga një universitet dhe staf akademik që e vlerësoj shumë. Një gjë e madhe për mua personalisht dhe për familjen time, ashtu si shpresoj se do ta kthej me të mirë”, tha zëvendës kryeministri i Malit të Zi.
Ju keni qenë mësues në gjimnaz…
Kam qenë i angazhuar si lektor dhe në gjimnaz dhe në fakultetin e Sarajevës si lektor në shkencat politike. Gjithmonë më ka pëlqyer të punoj me të rinj.
Kur të shkoj në pension politik me siguri do i kthehem jetës akademike. Jeta akademike është një lloj higjiene mentale. Dhe në këtë moment merrem me disa punime shkencore. Shpresoj që vitin e ardhshëm, në 2022 do të botoj dhe një libër që ka të bëjë me globalizimin. Interesimi im ka qenë i madh.
Ju pëlqen të punoni me të rinjtë, ju frymëzojnë apo ju frymëzojnë?
Kjo është e gjithë ideja ime, të frymëzoj popullin, sidimos të rinjtë me një sens proeuropian. Ata që arrijnë të frymëzojnë janë të suksesshëm dhe ata që nuk frymëzojnë nuk janë të suksesshëm.
Mali i Zi nuk e ka mbështetur “Open Balkan”, cilat janë arsyet, ju e mbështesni?
Unë personalisht e mbështes, jam i vetmi në qeveri. Në Mali të Zi ju e dini se rrethanat politike kanë qenë shumë të vështira. Relacionet me Serbinë jo në nivel shumë të mirë kohët e fundit. Ajo ide ishte përjetuar a thua se vjen nga një president, dhe se po bën një model që do zëvendësojë modelet politike europiane. Ashtu ishte prezantuar në Mal të Zi. Unë e kam shpjeguar se ky model është i gabueshëm. Open Balkan nuk duhet me qenë zëvendësues, por një mekanizëm që ka për t’i përshpejtuar proceset rajonale dhe integrimin. Nëse bëhet një shpjegim më i mirë në Mal të Zi, jam i sigurt se do ta mbështesin dhe do të anëtarësohet.
Qëllimi jo me ndryshu kufijtë, por t’i bëjë të padukshëm. Ne duam të eliminojmë barrierat administrative, për të rritur mobilitetin e popullsisë dhe mallrave. Kur të rritet mobiliteti, ata vetë kanë për t’i thyer barrierat. Kur njerëzit t’i eliminojnë paragjykimet që janë produkt i konflikteve që kanë ndodhur, jam më se i sigurt se do e pranojnë Open Balkan. Në rast se duhet të jemi pjesë e Evropës, sjelljet tona duhet të jenë europiane.
Zërta kritikë, sidomos në Kosovë?
E njëjta retorikë, i njëjti qëndrim ka qenë dhe në Mal të Zi. Unë nuk mendoj ashtu. Nuk mendoj se kishin marrë pjesë Shqipëria dhe Maqedoni për të qenë instrument i një shteti, por duhet të përpiqemi pak më mirë për komunikimin lidhur me benefitet e atij modaliteti. Ashtu si mendoj që të mos marrin pjesë Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi ajo ide nuk do e kishte atë fuqi.