Bedri Ajdari, kryesues i grupit të familjarëve të të dënuarve për rastin e njohur si “Monstra”, pret një hetim ndërkombëtar për të zbardhur, siç thotë, të vërtetën dhe për të shpallur të pafajshëm të dënuarit për vrasjen e pesëfishtë që kishte ndodhur më 12 prill të vitit 2012, në afërsi të fshatit Smillkovë, rreth 12 kilometra nga Shkupi.
“Këto janë raste të montuara, politikisht të montuara, për t’i mbuluar çështjet e tyre, të cilat në atë kohë iu kanë shërbyer si bypass, apo për të shmangur një periudhë të caktuar. Pra, nuk diskutohet, sepse ato janë raste të montuara. Por, duke marrë parasysh drejtësinë që e kemi në Maqedoninë e Veriut, është e qartë se për t’i zbuluar këto raste, për t’i zbardhur ato duhet të kemi një palë të pavarur, pra hetues ndërkombëtarë, gjykatës, apo kushdo që të jetë, përfshirë edhe ekspertë ligjor. Nëse kemi një hetim të paanshëm, ne do të pranojmë çfarëdo vendimi që të sillet”, thotë Ajdari.
Viktimat e rastit “Monstra”, ishin katër të rinj maqedonas të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një person tjetër i moshës 44-vjeçare.
Më 22 shkurt të vitit 2020, Gjykata Penale e Shkupit, kishte rigjykuar këtë rast pas dyshimeve për lëshime të mundshme në gjykimin e parë, por sërish i ka shpallur fajtorë të akuzuarit për këtë vrasje, për veprën penale “terrorizëm”.
Me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailovic. Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe 9 vjet burgim.
Familjari Bedri Ajdari thotë për Radion Evropa e Lirë, se shpresat se mund të ketë një rigjykim apo hetim ndërkombëtar, i bazon në marrëveshjen e fundit që kryeministri Zoran Zaev arriti me partinë Alternativa për pjesëmarrjen e saj në qeveri.
“Qeveria do t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian, në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur, të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara për ndikim politik…”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes së nënshkruar nga Zoran Zaev dhe Afrim Gashi.
Naser Raufi, avokat i të dënuarve për rastin “Monstra”, por edhe i të dënuarve për rastin “Kumanova”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se bëhet fjalë për procese të montuara. Por, ai thotë se fillimisht duhet të bëhet një revizion i ekspertizave, pasi dyshon se pikërisht në këtë pjesë janë bërë edhe montimet më të mëdha.
Rasti “Kumanova”, ka ndodhur më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Kumanovë, kur një grup i armatosur, shumica shtetas të Kosovës, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ishin përballur me forcat maqedonase të sigurimit, derisa grupi ishte vendosur në këtë qytet me arsyetimin “për t’i tërhequr vëmendjen qeverisë për mosrespektimin e të drejtave të shqiptarëve”.
Gjatë dy ditë luftimesh ishin vrarë 18 persona, nga të cilët tetë policë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur. Ndërkaq, 38 pjesëtarë të grupit ishin arrestuar – tetë prej tyre janë dënuar me burgim të përjetshëm, katër janë liruar, kurse të gjithë të tjetër janë dënuar me 746 vjet burgim.
“Ne mendojmë se duhet të bëhet një revizionim për çështjen e ekspertizës pasi kemi prova se të gjitha ekspertizat që i bënë policia, dolën ashtu siç i konvenon asaj. Edhe autopsitë, sikur edhe ekspertizat tjera, janë të dyshimta. Prandaj, konsideroj se së pari duhet të ketë një revizion të ekspertizave. Mendoj se kësaj radhe do të ketë një komision nga Këshilli i Evropës që do t’i hetojë këto raste, por dhe të kontaktojë me palën mbrojtëse që të shohim se ku janë bërë montimet”, thotë avokati Naser Raufi.
Komision ndërkombëtar për monitorimin e rasteve gjyqësore?
Por, kjo marrëveshje ka nxitur reagime të shumta në opinion, përfshirë edhe Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, i cili thotë se fare nuk është konsultuar apo se nuk ka asnjë lidhshmëri me marrëveshjen për krijimin e një komisioni ndërkombëtar për monitorimin e rasteve gjyqësore.
Mirëpo, Këshilli Gjyqësor thotë se pavarësisht se kush bën kërkesa, duhet t’i respektojë ligjet dhe vendimet gjyqësore.
“Këshilli Gjyqësor thekson se Ligji për Procedurën Penale, Ligji për Procedurën Civile, si dhe ligjet tjera procedurale, parashikojnë qartë kushtet mbi të cilat mund të përsëritet procedura për një çështje të caktuar ose cila gjykatë ka juridiksion për të prishur një aktgjykim të caktuar, si dhe për çfarë qëllimi do të formohet komisioni ndërkombëtar. Këshilli Gjyqësor nuk ka informacion për këtë marrëveshje, por ka të drejtë dhe obligim të vë në pah se kushdo qoftë që bën kërkesë, duhet t’i respektojë ligjet dhe vendimet gjyqësore”, thuhet në reagimin e Këshillit Gjyqësor.
Margarita Caca-Nikollovska, ish-gjykatëse në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg, thotë për Radion Evropa e Lirë, se bëhet fjalë për raste të ndërlikuara gjyqësore, që kanë kaluar nëpër të gjithë filtrat gjyqësor. Sipas saj, hetim ndërkombëtar mund të ketë, por vështirë edhe rigjykim të rasteve.
“Nuk e di se sa këto kërkesa apo kjo marrëveshje mund t’i ndryshojë vendimet. Mendoj se mund të ketë vetëm ndonjë konkluzion për ndonjë rrethanë të caktuar, që monitorimi apo shqyrtimi i këtyre rasteve të jetë në drejtim të asaj, se a janë respektuar apo jo standardet ndërkombëtare për gjykim të drejtë, sundimin e së drejtës, demokracisë, e kështu me radhë. Hetim mund të ketë, por rigjykimi do të ishte i vështirë pasi do të kërkonte një procedurë të gjatë, madje edhe ndryshimin e legjislacionit vendor”, thotë Nikollovska.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në vazhdimësi kanë theksuar se mbeten në qëndrimin mbi nevojën e zbardhjes së rasteve dhe pasi të ketë një epilog gjyqësor, do të mund të përfshihen edhe ekspertët ndërkombëtarë.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, gjatë publikimit të asaj që njihej si “aferë e përgjimeve” në vitin 2015, disa muaj pas vrasjes së pesëfishtë në Smillkovë, kishte deklaruar se posedonte materiale se rasti “Monstra” është i montuar dhe se në burg po mbaheshin njerëz të pafajshëm, por deri më tani provat që ai pretendonte se i posedon, nuk janë publikuar.
Kjo ka bërë që ai të përballet me kritika e protesta të vazhdueshme nga familjarët e të dënuarve, të cilët vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e këtyre rasteve.