TIRANË
Në intervistën për gazetarin Sokol Balla, në News24, zyrtari i lartë amerikan foli edhe mbi vendimin për të shpallur ‘non grata’, ish kryeministrin Berisha dhe familjen e tij. Pyetjes për më shumë transparencë të gazetarit Balla, Escobar iu përgjigj me një tjetër pyetje, duke nxitur edhe institucionet shqiptare.
“Ku janë hetuesit vendas dhe prokurorët vendas në raste si këto? Dua të them, ne e bëmë sipas ligjeve tona, rregullave tona, autoriteteve tona. Por edhe ju keni disa në vend. Pra, nëse doni ta dini, hetoni. Nëse doni të dënoni, bëni ndjekje penale. Nëse doni të ndëshkoni, dënoni njerëzit që janë pjesë e këtij korrupsioni sepse kjo nuk ka të bëjë me Amerikën që lufton korrupsionin në Shqipëri, por ka të bëjë me Amerikën që mbështet luftën tuaj kundër korrupsionit. Kjo është pyetja ime. “- u shpreh Escobar.
Pjesë nga intervista :
Sokol Balla: Ok, pasoja e parë që shohim tani, që e sugjerojnë edhe sondazhe private, është se që nga muaji maj kur ndodhi shpallja dhe sidomos që kur filloi lëvizjen e tij foltorja, Sali Berisha duket se është bërë, e dini, guxoj ta them, më popullor mes demokratëve dhe shqiptarëve në përgjithësi. Disa thonë se kjo është dobësim i Amerikës mes shqiptarëve, gjë që unë nuk e besoj, por njerëzit e thonë. Disa të tjerë e shohin si shenjë që shoqëria po maturohet, e duam Amerikën, por mund ta kritikojmë kur bëjnë një gabim. Disa të tjerë mendojnë se u bë në mënyrën e gabuar, ajo që iu bë atij. Por unë si gazetar që dua të shkoj tek e vërteta dhe transparenca, do të doja të kisha një përgjigje më të qartë se pse konkretisht, Z. Berisha dhe familja e tij u shpallën non-grata nga Departamenti i Shtetit?
ZV/NS Escobar: Ja pyetja për ju: Ku janë hetuesit vendas dhe prokurorët vendas në raste si këto? Dua të them, ne e bëmë sipas ligjeve tona, rregullave tona, autoriteteve tona. Por edhe ju keni disa në vend. Pra, nëse doni ta dini, hetoni. Nëse doni të dënoni, bëni ndjekje penale. Nëse doni të ndëshkoni, dënoni njerëzit që janë pjesë e këtij korrupsioni sepse kjo nuk ka të bëjë me Amerikën që lufton korrupsionin në Shqipëri, por ka të bëjë me Amerikën që mbështet luftën tuaj kundër korrupsionit. Kjo është pyetja ime.
Sokol Balla: Dhe jam absolutisht dakord me ju, ishte pyetje retorike. Jam plotësisht në një mendje me ju.
ZV/NS Escobar: Imja nuk ishte retorike.
Sokol Balla: Që drejtësia këtu nuk po bën punën si duhet. A do të thotë ndihma juaj për drejtësinë që ju edhe do të jepni prova dhe dosje dhe të dhëna për sistemin shqiptar të drejtësisë kur vjen fjala tek rasti i Z. Berisha dhe familjes së tij?
ZV/NS Escobar: Kemi një sistem të shkëlqyer bashkëpunimi në ligjzbatim dhe bashkëpunim ligjor dhe po, mund ta bëjmë.
Sokol Balla: Po e bëni këtë?
ZV/NS Escobar: Nuk do të komentoj për komunikimet diplomatike, por pjesë e marrëdhënies dypalëshe, e cila është e thellë dhe e gjerë, ka të bëjë me bashkëpunimin jo vetëm tek pjesa ushtarake, jo vetëm në nivelin politik, por edhe për zbatimin e ligjit dhe një gamë të gjerë çështjesh si nga pikëpamja dypalëshe ashtu edhe shumëpalëshe ku ne ndajmë inteeresa të përbashkëta dhe synime të përbashkëta.