TIRANË
Ish anëtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza po hetohet për fshehje pasurie. Gazetarja Klodiana Lala tha për ‘BalkanWeb” se SPAK ka firmosur sekuestron për dy prona të tij.
Lala raportoi se Thanza, ish anëtar i gjykatës së Lartë i shkarkuar nga vetingu është zyrtarisht person nën hetim nga SPAK për akuzën e deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.
Hetimet ndaj tij mësohet se po kryhen nga prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu e cila, pak ditë më parë i është drejtuar GJKKO-së për sekuekstrimin e të paktën dy pasurive të tij. Konkretisht, Gjykata ka firmosur të sekuestrojë një apartament në Komunën e Parisit dhe një garazhd, sepse sipas hetimeve ka rezultuar se ish anëtari i gjykatës së Lartë nuk justifikonte me burime të ligjshme.
Admir Thanza u rrëzua në vetting, pasi rezultoi se në formularin e dekriminalizimit ai kishte fshehur një dënim për vjedhje në Itali, rekord që u zbulua nga ONM dhe iu vu në dispozicion KPK.
Thanza ishte i pari gjyqtar që u largua nga radhët e sistemit të drejtësisë për shkak se kishte fshehur një rekord kriminal. Më pas ai pati një përballje me drejtësinë, pasi u cilësua fajtor për akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, dhe u dënua me shërbim prove.
Kjo është përballja e tij e dytë me drejtësinë dhe këtë herë, po hetohet me akuzën e deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.
(BalkanWeb)