TIRANË
Taulant Balla ka folur sot dhe për kërkesën e vazhdueshme dhe nismën e Partisë Demokratike dhe kryedemokratit Lulzim Basha për vettingun në politikë.
Balla tha se Kuvendi i Shqipërisë e ka dhënë përgjigjen dhe është shprehur, por kjo çështje vazhdon të shqyrtohet në Këshillin e Legjislacionit.
Sipas tij, institucionet e reja të drejtësisë kanë besimin e publikut për të vazhduar të godasin korrupsionin edhe në politikë dhe nuk ka nevojë për të futur instrumente të reja.
“Sa i përket pyetjes tjetër, çështja e vettingut në politikë, këtë përgjigje Kuvendi i Shqipërisë e ka dhënë dhe është shprehur. Megjithatë në respekt të procedurës parlamentare dhe kjo çështje vazhdon të shqyrtohet në Këshillin e Legjislacionit dhe qëndrimi ynë do të jetë adekuat sipas asaj që kemi thënë dhe më parë. Institucionet e reja të drejtësisë kanë besimin e publikut për të vazhduar të godasin korrupsionin edhe në politikë dhe nuk ka nevojë për të futur instrumente të reja sepse unë besoj që fakti që të gjithë e dinë, ndryshimet që kemi bërë në ligjin për ngritjen dhe funksionimit të Inspektoratit të Lartë të deklarimit dhe kontrollit të pasurive dhe Konfliktit të interesave, është shumë e qartë që kur Inspektorati dedekton mospërputhje të deklarimeve, çështja shkon menjëherë për hetim në SPAK. Nuk dua të paraprij atë që do të shprehin institucionet e Kuvendit të Shqipërisë, këshilli i legjislacionit dhe komisioni i ligjeve”, tha Balla.