Zbardhen detaje të reja nga megaoperacioni i policisë, i zhvilluar mbrëmjen e kaluar në Elbasan, ku në pranga ranë policë burgjesh, zyrtarë, biznesmenë dhe persona të dënuar.

Gazetarja Klodiana Lala zbardhi sot për “BalkanWeb” emrat e të arrestuarve, ku mes tyre rezultojnë edhe persona të njohur për drejtësinë shqiptare. Kështu, pjesë e grupit janë edhe shtetasit Gazmir Braka dhe Arben Grori, të dy të dënuar për vepra të rënda penale.

Gazmir Braka njihet me nofkën “Gaxhai” në Vlorë dhe është kundërshtari i Zani Çaushit. “Gaxhai” ka dy dënime me burgim të përjetshëm, i pari i është dhënë për vrasjen e Ilir Pajës dhe Arbën Xhungës, dy shokëve të Lulzim Berishës në Durrës; ndërsa dënimi i dytë i është dhënë për vrasjen e Bashkim Dules, Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zini Haruni, Robert Myftari, dhe policit Viron Rrapaj. Ai është një emër shumë i njohur për drejtësinë, pasi vrasjet dhe përplasjet me grupin e Zani Çaushit kanë nisur që në vitin 1997.

Nga ana tjetër, edhe Arben Grori rezulton një emër i njohur për drejtësinë, i dënuar edhe ky më burgim të përjetshëm për vrasje. Ai ndodhet në burg për dy vepra penale, për vrasjen e Naim Zyberit në Itali, pasi ky i fundit kishte rezultuar vrasësi i vëllait të tij, Artur Grori; ndërsa në Shqipëri është akuzuar dhe dënuar me 15 vite burg për trafik droge.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb