Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, konferencën me temë “Gjuha, Shoqëria, e Ardhmja” në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Në këtë organizim merrnin pjesë gjuhëtarë të shquar Prof. Dr. Xhevat Lloshi, Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, Prof. Dr. Anila Omari, Prof. Dr. Mimoza Kore, Prof. Dr. Linda Mëniku, si edhe studiuesve Ben Andoni dhe Mimoza Ahmeti. Në fjalën e saj hapëse, drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, u shpreh se “ruajtja dhe ndërgjegjësimi i gjuhës shqipe, pa humbur pasurimin që ia jep koha, është një detyrë morale jo vetëm e institucioneve përgjegjëse, por dhe e vetë shoqërisë, individit”.
Në fjalët e tyre përkatëse, profesorët e nderuar, pjesë e kësaj konference, shprehën njëzëri domosdoshmërinë në rolin formues që kanë mediat në vend, për të kultivuar një gjuhë të pastër, larg gabimeve, larg huajëzimeve të panevojshme. Ndër të tjera, profesor Gjovalin Shkurtaj u shpreh: “Shohim se është zbehur, ose edhe mungon kujdesi apo disiplina gjuhësore e shtetit dhe e institucioneve arsimore e kulturore. (…) Ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk është censurë, por detyrim zyrtar për secilin institucion që shkruan e boton. Kjo duhet bërë sidomos në titujt e gazetave e revistave, në përkthimet me shkrim të filmave, në reklamat e faqet popullarizuese etj. Ne duhet patjetër të krijojmë së paku një akademi, një komision a grup pune pikërisht për mbrojtjen e gjuhës, duke mos e lejuar gjendjen e pakujdesisë dhe gabimeve trashanike që po bëhen në faqet zyrtare të institucioneve, në botimin e librave dhe në gazetarinë e shkruar dhe të folur. Ka pasur e vijon të ketë gabime të rënda në gjuhën e teksteve shkollore, ndaj të cilave duhet të shqetësohet krejt shoqëria shqiptare”, tha prof. Gjovalin Shkurtaj.
Profesor Xhevat Lloshi shprehu po ashtu shqetësimin e tij mbi perceptimet e gabuara që hasen tek individët në lidhje me gjuhën, duke shprehur pikëpamjet e tyre kulturore që copëzojnë klimën e përbashkët marrëdhëniore, duke e cilësuar “tjetrin” si “i huaji” nëpërmjet gjuhës që flet, duke ngatërruar konceptet sociale me ato gjuhësore nëpërmjet veçimit që i bën në ligjërim faktit të pranisë së një gjuhe standarde, dialektore apo të folmeve të ndryshme në trevat shqiptare. Kjo është e papranueshme dhe duhet korrigjuar dhe institucionet arsimore, mediale, kanë një rol të madh”. Edhe në fjalët e mëpasshme të profesoreshave Anila Omari, Mimoza Kore apo Linda Mëniku, problemet që shtrohen janë ato të keqpërdorimit të gjuhës shqipe, të shkrimit të saj, të konceptimeve të gabuara semantike, sintaksore apo edhe të dijenisë kulturore mbi gjuhën amë. Po ashtu, studiuesit Ben Andoni dhe Mimoza Ahmeti shprehën pikëpamjet e tyre për nxjerrjen në pah të vlerave që ka gjuha shqipe dhe kujdesin që duhet të kenë institucionet kundrejt saj. Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999, në përkujtim të protestave të studentëve të Universitetit Dhaka, me origjinë nga Bengali, të cilët u konfrontuan me policinë pakistaneze, për të mbrojtur gjuhën bengaleze si gjuhën e tyre zyrtare.
Në këtë datë, vendet anëtare të OKB-së organizojnë tubime ndërgjegjësuese, në mbrojtje të diversitetit gjuhësor e kulturor të gjuhës amtare.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi sot edhe një tjetër takim mbi ndërgjegjësimin e gjuhës, me titull “Mësimdhënia e gjuhës amtare dhe kurrikula e re”, një tryezë e rrumbullakët në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Departamenti i Gjuhësisë. Specialistë të arsimit, mësues, alumni, profesorë u bënë bashkë në një diskutim mbi rëndësinë që ka edukimi në mëkimin e dashurisë për gjuhën shqipe. Erjeta Alhysa, Drejtore e Drejtorisë Arsimore Tiranë, Shezai Rrokaj, Përgjegjës i Departamentit të Gjuhës Shqipe, Universiteti i Tiranës, Erida Kaceli, Elsa Skënderi-Rakipllakri, zv/dekane UT, folën mbi kurrikulat universitare dhe përgatitjen e mësuesve të gjuhës shqipe, nevojën për një trajnim të vazhdueshëm të mësuesve në zbatim të kurrikulës së re, përvetësimin e gjuhës standarde në raport me dialektet e konceptet e reja mbi gjuhën…
Faleminderit mësuesve për punën e palodhur që bëjnë me nxënësit për t’u mësuar gjuhën e bukur shqipe!