Presidenti Ilir Meta nuk zgjodhi të komentonte vendimin e DASH për ish-deputetin Aqif Rakipi. Ai tha se e rëndësishme është të garantohet vota e lirë dhe të fokusohen te respektimi i ligjit dhe Kushtetutës.
“Nuk kam komente për të bërë me çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin e vendeve të tjera. Duhet të fokusohemi te respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve, që nga të gjitha, që nga mua si President dhe te qytetarët e thjeshtë. Kjo nuk është e thjeshtë, themelet e Republikës janë tronditur, për shkak të problemeve madhore të zgjedhjeve në nivel qendror dhe vendor. Është e qartë se vendi është në një lëngatë të vazhdueshme të legjitimitetit të institucioneve shtetërore, politike dhe demokratike. Kjo zgjidhet përmes luftës dhe përpjekjeve për të garantuar votën e lirë në nivel kombëtar, vendor dhe brenda çdo force politike që kërkon të jetë e besueshme. Vetëm kjo do të rikthejë besimin te politika”, u shpreh Meta.
Presidenti, nuk preferoi të tregonte emra për pasardhësin/en e tij në Presidencë, ndërsa shtoi se pas përfundimit të mandatit, do të angazhohet në një opozitë të fortë.
“Nuk kam asnjë emër! Për mua është e rëndësishme që Presidenti apo Presidentja e ardhshme të respektojë Kushtetutën e Shqipërisë, të mbroj sovranitetin dhe integritetin e Republikës, të udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe publik. Kjo s’është e lehtë. Gjithmonë ka pasur probleme mes institucionit të presidentit dhe kryeministrave. Pushteti tenton drejt kapjes së pushtetit dhe në analizat e kohës së kaluar, zbulohet që koha më bashkëpunuese mes institucionit të Presidentit dhe Kryeministrisë ka qenë kur unë kam qenë kryeministër dhe Rexhep Mejdani President. S’do të ketë më opozitë që i ikën betejave, duke favorizuar pikërisht cënimin e demokracisë dhe këtyre parimeve. Opozita është kudo përtej kësaj dere, në çdo rrugë dhe rrugicë të Shqipërisë”, nënvizoi Meta.
(BalkanWeb)