Pas përplasjes së agjencive të mbajtjes së të drejtave të autorit me artistët dhe vetë ministrinë e Kulturës, kjo e fundit ka bërë ndryshime në Ligjin për të drejtën e autorit. Sporteli Unik për Administrimin e të drejtës së Autorit do të ndryshojë drejtimin, duke ia hequr njërës prej agjencive.

Borana Ajazi, drejtore në Ministrinë e Kulturës tha për News24 se “Sporteli unik SUADA deri tani me ligjin ekzistues drejtohet nga njëra prej agjencive të licencuara”. “Kjo ka sjellë problematika të ndryshme, mosmarrëveshje se cila agjenci do të ishte në krye të SUADËS, mënyrën e funksionimit, shpenzimet administrative e me radhë. Ndryshimi është që tani SUADA do të ketë një bord drejtues, që do të ketë përfaqësues të çdo agjencie të licencuar dhe në krye të tyre një drejtor ekzekutiv për veprimtarinë administrative”.

Akuzat se agjencitë mbledhin paratë nga e drejta e autorit, por nuk i shpërndajnë te artistët dhe artistë që merrnin në vit vetëm 20 mijë lekë për përdorimin e punës së tyre u bënë publike në dëgjesat publike.

“Kishte mungesë transparence në lidhje me të ardhurat e mbledhura, përdoruesit nuk janë në dijeni në lidhje me të ardhurat e mbledhura dhe se si ato shpërndahen. Të gjitha këto me një strukturë të përmbledhur dhe më të mirëpërcaktuar për sportelin që është i vetmi që mbledh të ardhurat e të drejtës së autorit ishte shumë i nevojshëm edhe për shkak të mosmarrëveshjeve të krijuara mes palëve”, tha Ajazi.

Drejtuesit e agjencive pretendonin më herët, se ndryshimet ligjore do i hapnin rrugën favorizimeve të grupeve të interesit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb