Turneu evropian i “The Rolling Stones”, të cilët po festojnë 60 vjetorin e krijimit të tyre, nisi në stadiumin “Metropolitano” në Madrid.
Performanca prej dy orësh e gjysmë të mërkurën mbrëma ngriti turmën prej 45,000 vetësh.
“The Rolling Stones kanë konfirmuar statusin e tyre legjendar me një triumf të jashtëzakonshëm në Madrid”, tha transmetuesi televiziv spanjoll “RTVE”.
Gazeta “El Pais” i quajti “The Rolling Stones” të përjetshëm ndërsa “El Mundo” e quajti performancën e tyre një mrekulli.
Koncerti nisi me një video emocionuese që përkujtonte bateristin e grupit Charlie Watts, i cili vdiq në gusht të vitit të kaluar.
Këngëtari kryesor Mick Jagger i tha audiencës se ky ishte turneu i tyre i parë pa Watts dhe se i mungonte shumë atij dhe grupit.
Ndalesa tjetër e turneut është stadiumi “Olympia” në Mynih. Amsterdami, Milano, Brukseli dhe Parisi janë ndër ndalesat e tjera, përpara se turneu të përfundojë më 31 korrik, në Stokholm.