Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka folur sot në Kuvend për Operacionin Forca e Ligjit dhe Vettingun në Policinë e Shtetit pas kërkesës për interpelancë nga deputeti i opozitës, Ervin Salianji. Ai tregoi rezultatet e këtij operacioni si dhe njohu deputetët me konceptin e ri të vettingut në radhët e Policisë së Shtetit, duke u bazuar gjithashtu në rekomandimet ndërkombëtare.

Çuçi shpjegoi se baza do të jetë reduktimi i numrit të subjekteve që i nënshtrohen vlerësimit kalimtar, duke u përqendruar tek nivelet menaxheriale dhe strukturat me risk të lartë korrpusioni, dhe ecurisë ne karrierë, me qëllim shmangien e pasigurisë juridike dhe mënjanimin e presionit të vazhdueshëm të punonjësit të organizatës për të rritur efektivitetin në mbarëvajtjen e punës. Më poshtë pjesë nga fjala e Ministrit të Brendshëm.

PER OFL
“Operacioni Forca e Ligjit është një moment historik i luftës inteligjente të Policisë së Shtetit kundër forcës së krimit, si një instrument i shpejtë dhe i thjeshtë, për të gjurmuar pasuritë e personave të dënuar apo nën hetim për krim të organizuar, për terrorizëm dhe për kryerjen e krimeve të rënda. Akti normativ që ne miratuam i dha një impuls të fuqishëm, në një kohe shumë të shkurtër (11 muaj), luftës kundër krimit të organizuar duke e goditur atë në pjesën që e fuqizon dhe që i dhemb më shumë: tek PASURIA.

Akti Normativ në ndryshim nga ligji Antimafia, kundrejt të cilit pati një rol jashtëzakonisht plotësues, zgjeroi gamën e veprave penale për të cilat Policia e Shtetit detyrohej të kryente hetime pasurore, përfshirë këtu vepra penale të rënda të cilat në vetvete nuk gjenerojnë pasuri (siç është për shembull vrasja për gjakmarrje apo vrasja e punonjësit të policisë). Ky faktor, mundësoi krehjen dhe filtrimin cilësor të gjithë kontingjentit kriminal që ka vepruar në Shqipëri këto 30 vitet e fundit, krehje e cila vijon sistematikisht përmes dispozitave të ligjit Antimafia. OFL-ja ishte një garanci më shumë për Policinë e Shtetit sepse subjekti i dyshuar thirrej dhe i kërkohej deklarimi i pasurisë brenda 48 orëve, për t’iu nënshtruar më tej hetimeve të hollësishme nga ana e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme. Risi ishte edhe fakti që barra e provës i takonte vetë subjektit.

Plotësimi i fashikujve është bërë nëpërmjet verifikimeve nga më të ndryshmet për subjektet dhe lidhjet e tyre familjare e miqësore, një verifikim i shtrirë në të gjithë institucionet publike dhe subjektet private ku pasuritë e tyre kishin lënë gjurmë. Po kështu, specialistët e hetimit të OFL-së ose Drejtorisë Hetimore në Policinë e Shtetit, kanë akses eskluziv në platformën DEEPSEE, e cila i mundëson nxjerrjen e të dhënave nga 32 databaza të ndryshme. Z.Salianji, konstatimi i bërë në kërkesën tuaj për interpelancë në lidhje me faktin se ky operacion u përdor për qëllime elektorale, është tërësisht i pambështetur dhe jashtë logjikës ligjore. Më lejoni të rikujtoj se vetë Akti Normativ i mbaroi efektet në dhjetor 2020. Pas kësaj periudhe, ligji mbaron efektet për Policinë e Shtetit, por puna vijon për Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme deri në dhënien e vendimeve përfundimtare.

Madje, për të lehtësuar veprimtarinë e gjykatës dhe prokurorisë kompetente, ne bëmë shtyrje të afatit të Aktit deri në zgjidhjen përfundimtare të rasteve të referuara nga Policia e Shtetit. Ju kujtoj gjithastu se diskutimi për Aktin Normativ ka filluar që në vitin 2019 kur ne ishim ende në mes të mandatit e jo në fund të tij. Thënë këto, konstatimi juaj në gjykimin tim është plotësisht i pabazuar. Operacionit Forca e Ligjit, ishte një impuls i domosdoshëm për Policinë e Shtetit dhe SPAK-un, në një moment stanjacioni të krijuar nga procesi i reformës në drejtësi. Sot, nuk flasim më për një aksion apo operacion por për punë tashmë rutinë të Policisë së Shtetit. Nuk ka dhe nuk do të ketë “vakum dhe heshtje”, pasi struktura policore përkatëse (Drejtoria Hetimore- ish OFL), punon sistematikisht për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të krimit, sipas një plani të mirëfilltë dhe të detajuar i cili shqyrton subjektet në bazë të veprave penale për të cilat janë dënuar apo janë hetuar.

REZULTATET E OFL
Numri total i subjekteve të hetuar nga Operacioni Forca e Ligjit është 2199, nga të cilët:
•1682 janë subjekte të evidentuar nga Drejtoritë Vendore të Policisë;
•475 janë praktika të iniciuara nga vetë Struktura e Posaçme “OFL”;
•42 janë subjekte të evidentuar nga Drejtoria e Antiterrorit.
Ajo që mund të them është se vetëm në kuadër të Aktit Normativ për OFL, gjatë periudhës 01 Shkurt 2020 – 31 Dhjetor 2020, Policia e Shtetit ka hetuar 2199 subjekte, nga të cilët 741 subjekte janë njoftuar për të bërë vetë-deklarimin e pasurisë (prej të cilëve 617 subjekte të aktit dhe 124 lidhje famijare/shoqërore të subjekteve) dhe pas përfundimit të vetedeklarimit, 239 praktika janë referuar në SPAK

•Së pari, me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe, të cilat i kanë të evidentuar këta shtetas nëpërmjet verifikimeve të vendndodhjes së tyre, të lidhjeve familjare, miqësore dhe shoqërore, të pronave që ata administrojnë, të pronave që ata i kanë të regjistruara në emër të personave të tjerë apo pronat që ata i kanë tjetërsuar, informacion, i cili është përpunuar, plotësuar dhe dërguar nga struktura e OFL-së në SPAK.
•Së dyti, struktura e OFL-së ka marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të gjitha listat e të dënuarve dhe të atyre që janë aktualisht duke vuajtur dënimin për veprat penale që janë objekt i atij akti.
•Dhe së treti, OFL ka marrë edhe nga Departamenti i Bashkëpunimit Ndërkombëtar listën e të dënuarve jashtë shtetit për veprat penale objekt të këtij akti.
Kërkesa të kthyera nga SPAK për plotësim dokumentacioni
Nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë kthyer për plotësim materiali 54 kërkesa për sekuestro të referuara nga OFL, kërkesa të cilat janë plotësuar dhe ridërguar brenda afateve të përcaktuara.

VETTINGU NE POLICI
Vlerësimi kalimtar dhe periodik ose siç njihet ndryshe Vettingu në radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore duhet në thelb të japë një kontribut real në gritjen e punës së këtyre strukturave në një tjetër nivel. Dhe po kështu të afirmojë ata punonjës profesionistë dhe me integritet të lartë brenda këtyre strukturave, duke iu garantuar një karrierë të drejtë dhe të bazuar në meritokraci. Përmes kësaj rruge ne krijojmë në vazhdimësi institucione të forta dhe të besueshme, që i rezistojnë kohës pavarësisht se kush është në krye të qeverisë.
E megjithatë, deri më tani nga ky proces është përfunduar vlerësimit kalimtar vetëm për 66 punonjës të Policisë së Shtetit. Nga këto vendime:
• 48 subjekte janë konfirmuar në detyrë (23 nga Policia e Shtetit, 24 nga SHÇBA (AMP), 1 nga Garda Republikës);
• 5 subjekte janë përjashtuar (4 nga SHÇBA (AMP), 1 nga Garda Republikës);
• 10 subjekte kanë dhënë dorëheqjen (4 nga Policia e Shtetit, 6 nga SHÇBA (AMP)) dhe është ndërprerë procesi i vlerësimit;
• 1 subjekt (Policia e Shtetit) ka dalë në pension;
• 2 subjekte (SHÇBA (AMP) është dhënë trajnim.

LIGJI I RI I VETTINGUT
Me marrjen e detyres së Ministrit të Brendshëm, një nga prioritetet e mia ishte analizimi i procesit të vettingut në Policinë e Shetit, në raport me rritjen e eficencës e duke u mbështetur mbi një proces diagnostikues, duke peshuar me kujdes problematikat e shfaqura gjatë zbatimit dhe implementimit të tij. Pavarësisht se Ministria e Brendshme nuk ka asnjë rol te drejtperdrejt madje, siç e dini, për këtë qëllim është ngritur një nenkomision parlamentar përgjegjës për të monituar procesin e vetingut, me iniciativën time kërkova ngritjen e një grupi pune me përfshirjen e të gjithë aktorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që asistojnë Ministrinë e Brendshme.

Incentivë tjetër për të ndërmarrë këtë proces analize, ishin edhe rekomandimet e GRECO në Këshillin e Evropës, të cilët në raundin e fundit të vlerësimit për integritetin në institucionet ligjzbatuese në Shqipëri, kërkuan rishikim të ligjit, me fokus kryesor kufizimin e subjekteve, duke u përqendruar tek nivelet menaxheriale, tek strukturat me risk të lartë korrupusioni, në rastet e ngritjes në detyrë, apo ecurisë në karrierë dhe gradë.

Baza do të jetë reduktimi i numrit të subjekteve që i nënshtrohen vlerësimit kalimtar, duke u përqendruar tek nivelet menaxheriale dhe strukturat me risk të lartë korrpusioni, dhe ecurisë ne karrierë, me qëllim shmangien e pasigurisë juridike dhe mënjanimin e presionit të vazhdueshëm të punonjësit të organizatës për të rritur efektivitetin në mbarëvajtjen e punës. Kjo është edhe në përputhje me rekomandimet e GRECO-s dhe s’ka dyshim që do të përshpejtojë procesin e vlerësimit duke e bërë me efektiv në drejtim të arritjes së qëllimit të tij dhe më efiçent në aspektin financiar dhe procedurial.

Vettingu do të jetë një proces i vazhdueshëm sa herë që një punonjës nga institucionet objekt i vetingut emërohet në kategorinë e funksioneve, të cilat i nënshtrohen procesit të vlerësimit (pra, jo një proces me afat duke diskriminuar vetëm ata që janë të emëruar në detyrë aktualisht). Kjo për shkak se këto struktura kanë një dinamizëm të shpeshtë lëvizjesh, emërimesh/ngritje në detyrë, ri-pranimesh dhe risku për veprimtari korruptive.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb