Gjykata e Fierit ka rrëzuar kërkesën për liri të anëtarit të bandës së Shkodrës, Safet Bajri.
Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala, e cila raporton se gjykata e ka rrëzuar kërkesën e Bajrit me argumentin se nuk plotëson kriteret ligjore.
Siç mëson gazetarja Lala, Drejtoria e Burgjeve ka dërguar në gjykatë raportin negativ për Bajrin, ndërsa kundër lirimit të tij nga burgu ka qenë edhe prokurori.
Safet Bajrit i kanë mbetur edhe 6 muaj burg, që lidhet me një vendim të drejtësisë belge.
Kush është Safet Bajri:
Safet Bajri nuk është një emër i zakonshëm, pavarësisht se ai nuk ka qenë një personazh i mediave shqiptare, deri kur arriti të krijojë telashe për ministrin e emigracionit në Belgjikë, Theo Francken. Edhe pse shkodrani konsiderohej një nga njerëzit më të rrezikshëm të Belgjikës, i dënuar me 20 vjet burg për grabitje, trafik droge, shfrytëzim prostitucioni etj, ai u kap dhe u deportua në Shqipëri.
Safet Bajri u dënua më 25 janar 2017 nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vite burg, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg. Kjo organizatë është përgjegjëse gjithashtu për shkatërrim të pronës, përdorim të armëve të zjarrit, tentativë vrasje, zhvatje e trafik të qenieve njerëzore me qëllim prostitucionin.
Mbi Bajrin rëndon edhe një dënim tjetër i 22 shkurtit 2014. Gjykata Penale e Brukselit e dënoi me 9 vite burgim si kreu i një organizate kriminale për trafik droge dhe 5 vite të tjera për posedim e trafik droge dhe heqje të paligjshme të lirisë e kërcënime me vdekje.
(BalkanWeb)