* Opozita luftë me policinë, zjarr e tym jashtë Kuvendit
* Grabovci: Asnjë pëllëmbë e Kosovës nuk do t’i jepet askujt
* Komisioni për Verifikimin e Mandateve: Kandidatët i plotësojnë kushtet
* Ymeri: Thaçi president me bekimin e Vuçiçit
* Snajperista në godinat më të larta të Kosovës

* Opozita sërish gaz lotsjellës, arrestohet 1 deputet, 6 të tjerë përjashtohen
* Arrestohet deputetja e VV-së Shqipe Pantina

KOSOVE- Hashim Thaçi zgjidhet President i Kosovës. Pas 2 raundesh të dështuara, Thaçi është zgjedhur President në raundin e tretë me 71 vota, të mjaftueshme për t’u zgjedhur kreu i Republikës së Kosovës. Mandati i tij është 5-vjeçar dhe do të pasojë në këtë detyrë, Atifete Jahjagën.

Njëkohësisht Presidenti i sapo zgjedhur Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë së tij. Ai dorëheqjen e ka dorëzuar në kryesinë e Partisë Demokratik të Kosovës.

Gjatë votimit në Kuvend, kanë dështuar dy raunde për zgjedhjen e presidentit. Në raundin e parë të numërimit të votave, 27 vota ishin të pavlefshme, 4 për Rafet Ramën, 50 për Hashim Thaçin, ndërsa një deputet nuk ka votuar.

Në raundin e dytë, Thaçi mori 64 vota por sërish të pamjaftueshme për ta bërë President të Kosovës pasi edhe në këtë raund duhen 80 vota për presidentin, ose 2/3-at e votave të deputetëve në tërësi.

Thaci me dore

SEANCA
Kuvendi i Kosovës nisi sot me rreth një orë vonesë seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ku janë nominuar dy kandidatë Hashim Thaçi dhe deputeti i PDK-së, Rafet Rama. Kandidatura e Thaçit gëzon mbështetjen e partnerit të koalicionit LDK-së, ndonëse brenda kësaj partie ka zëra kundërshtues. Por, pakicat joserbe tani për tani janë deklaruar pro kandidaturës së Thaçit për president. Në seancë fillimisht ishin të pranishëm 104 deputetë. Në hapje të seancës, kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi perfaqësuesit e PDK-së për të paraqitur kandidaturat per president, por sërish nuk ka munguar gazi lojtsjellës. Deputetët e VV kanë hedhur gazin, duke shkaktuar ndërprerjen e seancës. Pas kësaj Kadri Veseli ka kërkuar një pushim 10-minutësh. Ndërkohë policia ka ndaluar deputetin që dyshohet se hodhi gaz, Bali Muharremi. Po kështu Kryesia e Kuvendit vendosi të përjashtojë 6 deputetë nga seanca.

Kosove, gaz

Sipas kushtetutës, neni 86 zgjedhja e Presidentit bëhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë dhe kandidati duhet të marrë 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Pika pesë e nenit 86 parashikon se nëse asnjëri nga kandidatët nuk merr shumicën e cilësuar në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë mes dy kandidatëve, që kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë.Kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës.

Ndërsa në pikën 6 të nenit 86 parashikohet se nëse në votimin e tretë, asnjë prej kandidatëve nuk zgjidhet President, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Seancën po e ndjekin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Kosovë, shkruan “KosovaPress”. Dita e sotme pritet të jetë më e “nxehta” sa i përket zhvillimeve politike që do të ndodhin.

Policë nga gjithë rajonet e Kosovës tanimë janë në Prishtinë, ku numri më i madh i tyre ka rrethuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Policia i ka vendosur mjetet e blinduara përballë protestuesve për të qenë në gjendje gatishmërie në rast të eskalimit të situatës.

Ndërkohë protesta e opozitës vijon jashtë ambienteve të Kuvendit, duke kërkuar pengimin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president.

Por nga ana tjetër në Prishtinë janë mbledhur edhe dhjetëra mbështetës të Thaçit që presin të festojnë zgjedhjen tij si president i Kosovës.

Kandidati Hashim Thaçi është kandiduar për president sipas marrëveshjes së koalicionit të dy partive më të mëdha kosovare, PDK dhe LDK. Në 8 dhe 9 dhjetor 2014, koalicioni PDK-LDK i dhanë fund situatës së “ngrirë”, që mundësoi konstituimin e Kuvendit e krijimin e qeverisë gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, e që si rezultat i saj lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u bë kryeministër.

AAK: Votimi i Thaçit lajm i keq për vendin
I menjëhershëm ka qenë reagimi i AAK-së, në lidhje me zgjedhjen e Hashim Thaçit në krye të Presidencës së Kosovës. Një lajm të keq e ka cilësuar AAK-ja. “Votimi i sotëm i të ashtuquajturit Hashim Thaçi-president, është lajmi më e keq që ka mundur t’i vijë Kosovës në një ditë si kjo.
Hashim Thaçi, ka bërë gabime të rënda në raport me interesat shtetërore të Kosovës, është identifkuar si njëri prej shkaktarëve të gjendjës së rëndë dhe krizës së thellë politike, ka nënshkruar një marrëveshje për kufirin që është agresion mbi territorin e Kosovës, ka sponsorizuar dhe negociuar një marrëveshje për Asociacionin që është agresion mbi rendin kushtetues të vendit, dhe si tillë ai jo vetëm se nuk mund ta përfaqësjë unitetin e popullit, por duhet të vihet para përgjegjësisë politike e penale.
AAK, si parti politike, si pjesë e Opozitës së Bashkuar dhe e frontit qytetar civil, do të vazhdojë që, krahas kundërshtimit të Qeverisë aktuale antikushtetuese, ta kundërshtojë me vendosmëri edhe të ashtuquajturin president të votuar sot.

Ne i bëjmë thirrje gjithë popullit të Kosovës, votuesve të përgjegjshëm të të gjitha partive politike, shoqërisë civile dhe gjithë njerëzve vullnet mirë, të mos dekurajohen, por të jenë pjesë e një fronti gjithpopullor kundër këtij pushteti kundërkushtetues, e të pa moral.
Vullneti qytetar nuk do të mund të përmbyset nga asnjë klikë politike e pushtetit.
Së bashku deri në fitore! “, citohet në deklaratën e AAK-së.

NIS RAUNDI I TRETE I VOTIMIT
Seanca për zgjedhjen e presidentit të vendit po vazhdon me procesin e votimit të raundit të tretë. Deputetët janë mbledhur në sallë për të filluar votimin. Në dy raundet e para pretendenti kryesor për president Hashim Thaçi nuk ka marrë votat e mjaftueshme ashtu siç kërkohen në bazë të procedurave për zgjedhjen e presidentit. Në raundin e parë Thaçi ka marrë vetëm 50 vota ndërsa në të dytin ka marrë 14 vota më shumë, 64 vota të deputetëve.
Në seancë po marrin pjesë 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës. Në seancë është edhe deputeti i VV-së Fisnik Ismajli i cili ka dominuar për anëtar të komisionit të votimit Ilir Dedën. Ai në raundin e parë ishte anëtar i komisionit ndërsa në raundin e dytë është tërhequr.

THACI MERR 14 VOTA ME SHUME NE RAUNDIN E DYTE, POR JO AQ SA TE ZGJIDHET PRESIDENT
Kandidati për president Hashim Thaçi, as në raundin e dytë nuk ka arritur të marr votat e kërkuara për t’u bërë president. Ai ka marr 64 vota, kundërkandidati i tij Rafet Rama ka marr 2 vota. Kurse, 15 vota të deputetëve kanë qenë të pavlefshme. Ndryshe, pas pak pritet të fillojë ranudi i tretë, ku Thaçi i duhen 61 vota për t’u bërë president.

MUSTAFA “NDËRHYN” TEK DEPUTETËT E LDK-SË, ILIR DEDA LARGOHET NGA SALLA E KUVENDIT
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka lëvizur nga vendi i kabinetit qeveritar për te grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Nuk dihet arsyet, megjithatë kjo lëvizje e Mustafës ndodhi në momentin që Hashim Thaçi morri 50 vota në raundin e parë për president.
Deputetët do të vazhdojnë me raundin e dytë të votimit, ku prapë kërkohet që presidenti t’i ketë 80 vota. Në ndërkohë, sallën e ka lëshuar Ilir Deda si përfaqësues i tri partive opozitare në komisionin për verifikimin e votave të presidentit të vendit. “Ju mund ta vazhdoni punën”, ka thënë ai.

FILLOJNË ARRESTIMET E PROTESTUESVE
Policia ka filluar të arrestojë protestuesit që kanë gjuajtur me koktej Molotovi drejt forcave të rendit.

Gjithçka ka filluar pas daljes së deputetëve të opozitës nga salla e Kuvendit. Ata të zemëruar kanë filluar gjuajtje me koktej Molotovi dhe me gurë. Policia ka hedhur gaz lotsjellës drejt tyre dhe ka filluar të arrestojë disa nga ta.

DELAWIE, I SHQETËSUAR ME GAZIN LOTSJELLËS TË OPOZITËS
Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka dalë me një deklaratë zyrtare pas zhvillime të sotme në Kuvendin e Kosovës.
Ai është shprehur i shqetësuar me faktin që opozita ka përdorur sërish gazin lotsjellës në Kuvend, megjithëse thotë se për një moment u bind se opozita di të debatojë.
Ai ka thënë se SHBA-ja i jep mbështetje të plotë institucioneve dhe të zgjedhurve në zgjedhjet e vitit 2014.

Kjo është deklarata e plotë e ambasadorit amerikan në faqen zyrtare të ambasadës:
Së pari, më duhet të them se jam i shqetësuar me faktin që opozita edhe njëherë ka përdorur dhunën për të penguar proceset demokratike në Kosovë.
Demokracia e Kosovës dhe të drejtat e njerëzve për të pasur një Qeveri funksionale, nuk do duhej të pengoheshin nga një pakicë deputetësh.
Interesante, por mendoj se opozita demonstroi në një pjesëz debati se ata dinë si të debatojnë- në mënyrë demokratike – por më pas, fatkeqësisht, përshkallëzoi në gaz lotsjellës përsëri. Si përmbyllje, dua të them se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë besim në demokracinë e Kosovës.
Jam këtu, edhe një herë, për të demonstruar mbështetjen time për institucionet e Kosovës, për njerëzit e saj dhe për Kuvendin e Kosovës, të zgjedhur në zgjedhjet e lira dhe fer në vitin 2014. Falënderojmë Policinë e Kosovës dhe stafin e Kuvendit që mbajtën situatën të qetë dhe të sigurt.

ZHBOGAR: SEANCA NËN PRESION, TË MBLIDHEN LIDERËT POLITIKË
Përfaqësuesi Special e BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, duke parë zhvillimet e sotme brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, ka thënë se është mirë që të mblidhen të gjithë liderët e partive politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Ai ka thënë se seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës është duke u zhvilluar nën presion të madh. Zhbogar ka thënë se nuk po i pëlqen kjo pamje e Prishtinës, në momentet kur përleshjet e Policisë së Kosovës me protestuesit e opozitës po vazhdojnë ende.

DËSHTON RAUNDI I PARË I VOTIMIT PËR PRESIDENT
Ka dështuar raundi i parë i votimeve për zgjedhjen e Presidentit të ri. Mësohet se Hashim Thaçi nuk ka mundur të marrë vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur President në raundin e parë të votimit.
Sipas mediave kosovare, raportohet se ka pasur vetëm 10 vota të vlefshme, nga numri total i 82 deputetëve pjesëmarrës, ndërsa të pavlefshme kanë qenë 27. Hashim Thaçi kandidati për Presidenti i ka marr 50 vota pro, ndërsa kundër kandidati Rafet Rama i ka marrë vetëm 4 vota pro. Për t’u zgjedhur President, Thaçi do të duhej t’i merrte 80 vota.

OPOZITA PËRLESHET ME POLICINË, HIDHEN BOMBA MOLOTOV
Protestuesit e opozitës që po qëndrojnë jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës kanë nisur të hedhin koktej molotovi në drejtim të objektit. Ka eskaluar situata atje, ndërsa Policia po përdorë gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Një sasi të konsiderueshme të koktejit të molotovit protestuesit po e hedhin në drejtim të Policisë së Kosovës. I pranishëm aty ka qenë edhe Albin Kurti.

NIS RAUNDI I PARË I VOTIMIT PËR PRESIDENT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Në sallë të Kuvendit ndodhen 82 deputet, kuorum i mjaftueshëm për procedurë të rregullt në zgjedhjen e të shefit të shtetit.

SHQIPE PANTINA NUK E HEDH DOT GAZIN, ARRESTOHET NGA POLICIA
Ndërsa seanca për zgjedhjen e Presidentit ë Kosovës ka rinisur në Kuvend, opozita ka dështuar të hedhë gaz lotsjellës. Deputetja e VV-së Shqipe Pantina është ndaluar në momentin që tentoi të ndezë gazin lotsjellës. Sakaq deputetët e opozitës janë larguar nga salla. Aty aktualisht ndodhen 82 deputetë. Sakaq policia ka shoqëruar deputeten.

YMERI: VENDIMI PËR T’I LARGUAR ME DHUNE DEPUTETËT ËSHTË PA ASNJË ARSYETIM
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, pasi është larguar me dhunë nga sigurimi, ka deklaruar se ky vendim nuk ka asnjë arsyetim. Ai ka thënë se operacioni për largimin e deputetëve të opozitës po kryet nga polica. Ymeri shtoi se për çdo herë e më shumë ky Kuvend po bëhet i Policisë.

RINIS SEANCA PËR ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT
Ka rinisur seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit, pasi u ndërpre pas hedhjes së gazit lotsjellës. Ndërkohë, forcat e sigurisë kanë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e seancës në Kuvend.

KRYESIA E KUVENDIT PËRJASHTON 6 DEPUTETË TË OPOZITËS
Kryesia e Kuvendit ka përjashtuar 6 deputetë të opozitës, ka njoftuar Blerim Latifi, këshilltar i Kadri Veselit.

Pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, Kryetari i Kuvendit, në mbështetje të nenit 67.7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 41, paragrafi 3, pika c. të Rregullores së Kuvendit, lidhur me sjelljen dhe veprimet e disa deputetëve të opozitës, në seancën plenare me 256 shkurt 2016, të cilët penguan zhvillimin e punimeve të seancës plenare, Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismail Kurteshi, Pal Lekaj, Teutë Haxhiu, Time Kadriaj, Bali Muharremaj dhe Faton Topalli të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare me 26 shkurt 2016 për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare.

AAK: JEMI KUNDËR MASKARADËS SË VOTIMIT PËR PRESIDENT‏
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas hedhjes së gazit në Kuvend, duke e quajtur këtë akt, të keqen më të vogël përballë asaj që po bën pushteti. “Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, është e keqja më e vogël në krahasim me atë që po provon të bëjë pushteti me maskaradën e votimit për president. Edhe deputetët e AAK-së janë pjesë e këtij aksioni dhe ata vlerësojnë se më mirë është të përballen me masat juridike të hedhjes së gazit, se sa të përballen me një vendim që do ta çojë vendin në një situatë krize të përgjithshme e me pasoja shumë më të mëdha. Kemi parë që policia e ka arrestuar deputetin Bali Muharremin, por kjo nuk do ta zmbrapsë as AAK-në e as Opozitën e Bashkuar, nga kauza e drejtë e saj”, thekson AAK.

GAZI NË KUVEND, LËNDOHET NJË DEPUTET I VV, NDËRPRITET SEANCA
Deputeti Bali Muharremaj ka pranuar se ka hedhur gazin lotsjellës. “Unë e kam hedhur gazin lotsjellës dhe jo Teuta Haxhiu”, tha ai para mediave. Ai menjëherë është shoqëruar nga Policia e Kosovës.

Faton Topalli dhe Teuta Haxhiu e kanë gjuajtur gazin lotsjellës pak minuta më herët. Gazi u gjuajt derisa deputeti Pal Lekaj ishte duke folur gjatë seancës. Lekaj ishte deputeti u fundit që kishte për të diskutuar rreth zgjedhjes së presidentit. Para tij kanë folur deputetë tjerë nga opozita të cilët kanë akuzuar rëndë Thaçin

OPOZITA DHE SIGURIMI PO QËNDROJNË NË SALLË
Të vetmit që po qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës janë shumica e deputetëve e opozitës. Aty janë Albin Kurti, Fisnik Ismaili, Ismail Kurteshi dhe Aida Dërguti dhe Rexhep Selimi.
Në seancë janë edhe një numër i madh i sigurimit. Ndërkohë, një person nga sigurimi po diskuton me opozitën.

kbpl28287

VV HEDH SERISH GAZ LOTSJELLES NE KUVENDIN E KOSOVES
ërish është hedhur gazlotsjellës në Kuvend dhe është ndërprerë seanca e Kuvendit.
Si pasojë e gazit është lënduar një deputet i Vetëvendosjes.

Kryekuvendari Veseli Ka bërë thirrje të lajmërohet emergjenca. Gazin lotsjellës e hodhi deputetja Teuta Haxhiu e AAK-së dhe Faton Topalli i Vetëvendosjes. Para hedhjes së gazit lotsjellës ishte duke folur deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti.

gaz

LIMAJ: NGA SOT PARLAMENTI DO TË JETË PËRGJEGJËS PËR THELLIMIN E KRIZËS
Lideri i Nismës për Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se në rrethana normale po të ishte vendi sot do të ishte një seancë normale.

“Sot jemi në një situatë jonormale, në një situatë të vështirë, në një situatë krize të thellë politike. Shkaktari i të gjitha krizave që i kemi parë në parlament ka qenë qeveria. Parlamenti sot e ka një zgjidhje a do ta zgjidh krizën apo do ta thellojë krizën”, ka thënë Limaj.

Limaj ka shtuar se parlamenti sot mundet ta qojë vendin në zgjedhje.

GRABOVCI: ASNJË PËLLËMBË E KOSOVËS NUK DO T’I JEPET ASKUJT
Adem Grabovci, nga Partia Demokratike e Kosovës theksoi se asnjë pëllëmbë e Kosovës nuk do t’i jepet askujt.

Ai tha se edhe pse për Asociacion është dashur të debatohet në Kuvend, e jo të ketë dhunë se qytetarët mjaft kanë përjetuar dhunë.

TËRMKOLLI: RUGOVA E KA BËRË KRYEMINISTËR NJË ANËTAR TË PARTISË ME 7 DEPUTETË
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli ka deklaruar se sot kjo parti është me shtetin dhe jo me kaosin, e as me ata që thonë se nuk e duam Amerikën.

“As nuk pranoni shtetin, as nuk pranoni simbolet, as asgjë. Sot duhet të vendosim a duam me Amerikën apo me Rusinë, jo është turpi që ju thoni, ne jemi me shtetin dhe nuk jemi me kaosin”, ka thënë ajo.

Deputetja e LDK-së, Melihate Termkolli ka folur në seancën e Kuvendit dhe ka reaguar rëndë ndaj opozitës.

Ndërsa kur opozita ndërhynte ne fjalët e saj ai iu drejtua me fjalët “Mshelne gojën, s’du me ja ni zanin”.

Deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli tha se në gjendja në vitin 1989 ka pas të bëjë me raportin Kosovë-Serbi, por sot kjo gjendje në vitin 2016, është në kohën kur Kosova është shtet.

‘As nuk e pranoni shtetin, as simbolet”, iu drejtua deputetëve të VV-së.

“Na jemi me Amerikën”, tha ajo, duke iu referuar Kurtit dhe deklaratës së tij, se shqiptarët nuk e duan Amerikën.

“A jemi me shtetin, a me kaosin, ne jemi me shtetin, jo me kaosin”, tha Tërmkolli, duke replikuar me deputetët e Vetëvendosjes.

‘Rugova i ka dhënë krejt votat e LDK-së me bo kryeministër një anëtar të partisë me shtatë deputetë, veç me funksionu shteti, me funksionu Kosova”, tha Tërmkolli.

ZAFIR BERISHA: THAÇI KËRKON TË FILLOJË LUFTË TË RE
Zafir Berisha, i cili ka folur në emër të Nismës ka akuzuar rëndë ish-shefin e tij Hashim Thaçi për siç tha ai krim dhe korrupsion.

Kur Berisha doli në foltore që të flasë në emër të partisë së tij, nga jashtë dëgjoheshin brohoritjet e protestuesve kundër Thaçit. Zafir Berisha i tha Thaçit se po dëshiron të fillojë luftë të re.

Berisha ia ka përkujtuar Thaçit shokët e tij të luftës dhe fëmijët e dëshmorëve.
“Bashkë me çanaklëpirësin tënd të Rrahman Morinës jeni duke krijuar një situatë jo të mirë. Sa keni qenë ju kryeministër ka lulëzuar korrupsioni. Prej aferës Pronto gjithçka me ju ka përfunduar. Ki me qindra struktura tuajat, kryetarë komunash që janë të dënuar me procese gjyqësore. Gjatë qeverisjes suaj e keni shkatërruar shëndetësinë, arsimin gjithashtu, administratën e keni vënë në shërbim të politikës suaj. Ju me veprimet tuaja e keni sjellë gjykatën speciale”, i ka thënë ndër tjerash Berisha, Thaçit.

​KADAJ-BUJUPI: HASHIM TËRHIQU, POPULLI NUK TË DO!
Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së Donika Kadaj-Bujupi ka drejtuar fjalë të rënda drejt kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi. Duke iu drejtuar këtij të fundit, që po pretendon të bëhet president, Kadaj-Bujupi i ka thënë se atë nuk e do populli për president, raporton KosovaPress.

Deputetja e AAK-së që erdhi në seancë nga arresti shtëpiak ka bërë apel deputetëve që mos ta votojnë Thaçin për president sepse ai sipas saj është e keqja e këtij populli.

Bujupi iu drejtua edhe kryeministrit Isa Mustafa, duke e pyetur se ‘në kohën e Rrahman Morinës a ka pas kaq shumë policë’, ndërsa zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi iu drejtua me “A po ju vjen marre”.

Kadaj-Bujupi theksoi se të gjitha dokumentacionet tregojnë se Kosova i ka falë tokë Malit të Zi. Ajo po ashtu tha se me prezencën e Listës Serbe në Kuvend po shihet se Thaçi sërish ka bërë kompromis me ta. Kadaj-Bujupi, iu tha deputetëve se mos të bëjnë diçka për të cilën do të pendohen. “Njeriu që po pretendon të bëhet president na quajti njerëz me bisht”, tha Kadaj-Bujupi.

Kadaj-Bujupi

YMERI NË KUVEND: THAÇI PRESIDENT ME BEKIMIN E VUÇIÇIT, POR KURRË PRESIDENT I KOSOVËS
Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri në emër të Grupit Parlamentar të kësaj lëvizje ka folur para deputetëve në sallën e Kuvendit.

Ymeri përshëndeti protestuesit që po protestojnë sipas tij kundër kësaj qeverie, zaptuesve të shtetit që sot po dëshirojnë ta zaptojnë majën e saj presidencën.

Ai shtoi se e mori fjalën në emër të grupit Prlamentar pasi që Glauk Konjufca ndodhet në burg që nga 16 shkurti.

Ymeri më pas foli për nënshkrimin e marrëveshjeve në Bruksel për çfarë edhe opozita ka bllokuar në vazhdimësi punën e Kuvendit.

“Thaçi e nisi “Zajednicën” e Mustafa e kurorëzoi atë. Thaçi e nisi dhe e përfundoi Demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka shtuar se Hashim Thaçi nuk mund të zgjidhet president i Kosovës pa ia dhënë bekimin Aleksandër Vuçiç.

visar

KOMISIONI: DY KANDIDATËT E PROPOZUAR PËR PRESIDENT PLOTËSOJNË KUSHTET PËR VOTIM
Pas pushimit 15 minutësh, ka rinisur seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Komisioni për Verifikimin e Mandateve ka dhënë raportimin e verifikimit për dy kandidatët e nominuar për President, Hashim Thaçin dhe Rafet Ramën.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, ky komision ka verifikuar se Thaçi dhe Rama i plotësojnë kushtet me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës për tu zgjedhur President i Kosovës.

YMERI: THAÇI PRESIDENT ME BEKIMIN E VUÇICIT
Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se do të protestojnë kundër zgjedhjes së Thaçit president.

Ai tha se ky Kuvend nuk ka legjitimitet që të marrë vendime.

Sipas tij, nëse Thaçi bëhet president, ai bëhet me bekimin e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç.

KUVENDI SHKON NË 15 MINUTA PUSHIM, KOMISIONI VERIFIKON KUSHTET E VOTIMIT
Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin për të verifikuar dhe përgatitur kushtet e votimit për president të vendit. Kështu i 1%shtë dhënë kohë Komisionit për Verifikimin e Mandateve për dy kandidatët për President.

Veseli ka thënë se pasi të paraqitet raporti i Komisionit do të nisë votimi për President.

MUSLIU PREZANTON KANDIDATIN PËR PRESIDENT RAFET RAMËN
Deputetja Ganimet Musliu ka prezantuar kandidatin e dytë për president, Rafet Ramën, i cili sipas saj është një kandidat i denjë dhe është dëshmuar në periudha të ndryshme për vendin.

GRABOVCI NOMINON THAÇIN PËR PRESIDENT TË KOSOVËS
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci duke bërë kandidimin e Hashim Thaçit për president të Kosovës tha se sot është një ditë e shënuar për Kosovën.

Ai duke përmendur nenin 86 të Kushtetutës dhe të gjitha procedurat e kërkuara ka nominuar Thaçin për president të Kosovës. Grabovci bëri thirrje të gjithë deputetëve që të japin votën e tyre.

FILLON SEANCA, VESELI PREZANTON DY KANDIDATËT PËR PRESIDENT, HASHIM THAÇIN DHE RAFET RAMËN
Filloi seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Në sallë të pranishëm janë 104 deputetë.
Adem Grabovci, prezantuesi i propozimit të Hashim Thaçit për president tha se sot është ditë e veçantë, ku do të votohet për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Ai nominoi Hashim Thaçin për president dhe sa se është nder të kenë një kandidat të tillë për presdient.

Ndërsa, Ganimete Musliu nominoi Rafet Ramën për president dhe ftoi deputetët ta votojnë.

PROTESTA ZHVENDOSET TE SHESHI “ADEM JASHARI”
Protestuesit që deri në orën 11:00 ishin duke protestuar në sheshin “Skënderbeu” tashmë janë zhvendosur në anën tjetër, në sheshin “Adem Jashari” ku është edhe hyrja tjetër e Kuvendit të Kosovës.

Një aktivist i këtyre partive ka ftuar protestuesit që të shkojnë te ajo pjesë afër ndërtesës së komunës së Prishtinës për të kundërshtuar zgjedhjen e Hashim Thacit president.

DEPUTETËT E LISTËS MARRIN PJESË NË SEANCË
Deputetët nga Lista Serbe do të marrin pjesë në seancën e sotme ku pritet që të votohet për presidentin e shtetit.

Burime nga KosovaPress, kanë bërë të ditur se deputetët nga Lista Serbe do të jenë në sallë mirëpo ende nuk janë deklaruar zyrtarisht se a do të votojnë për apo kundër zgjedhjes së kandidatit për president.

DEPUTETËT FILLOJNË TË HYJNË NË SALLË
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e pozitës kanë filluar të hyjnë në sallë.

Të pranishëm në sallë, në seancën kur pritet të votohet për presidentin e vendit, janë edhe ambasadorë.

AMBASADORI GREG DELAWIE DHE SAMUEL ZHBOGAR NË KUVEND
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie si dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar janë në Kuvend.

Në orën 11:00 pritet të fillojë seanca e Kuvendit të Kosovës, për zgjedhjen e presidentit të vendit.

SNAJPERISTËT NË TË GJITHA NDËRTESAT E LARTA PËR RRETH KUVENDIT E QEVERISË
Snajperistë të shumtë janë pozicionuar në ndërtesat e larta për rreth dy ndërtesave asaj të Kuvendit dhe Qeverisë.

Snajper dhe vëzhgues ka edhe në ndërtesat e Kuvendit dhe Qeverisë. Përplot me policë nga njësitet speciale janë mbushur edhe rrugët anësore që të lidhin me sheshet kryesore të qytetit.

snajper

SIGURIMI KONTROLL TË DETAJUAR NË SALLËN PLENARE
Sigurimi i Kuvendit të Kosovës ka filluar kontrollin përfundimtar të sallës plenare, ku pritet të votohet për presidentin e Kosovës.

Ata kanë kontrolluar pothuajse në çdo vend ku ulën deputetët, duke kontrolluar edhe funksionimin e kartelave për votim. Deputetët kanë filluar të hyjnë në Kuvend.

PROTESTUESIT NISIN TË GRUMBULLOHEN NË SHESH
Kanë mbetur edhe pak minuta që nga fillimi i protestës së opozitës para Qeverisë së Kosovës. Ndërkohë, në shesh janë qindra protestues. Një numër i tyre janë nisur edhe nga komunat tjera drejt Prishtinës. Ndërsa opozita po mbledh aktivistët për të penguar me çdo forcë zgjedhjen e Thaçit, mbështetësit e këtij të fundit nga disa qytete kanë paralajmëruar se do të udhëtojnë sot drejt Prishtinës për të festuar zgjedhjen e tij president. Këto paralajmërime kanë alarmuar institucionet e sigurisë, por edhe forcat politike. Pavarësisht organizimeve të vetë degëve të PDK-së, udhëheqja e partisë ka kërkuar që të mos bëhet asnjë organizim feste gjatë së premtes në Prishtinë për zgjedhjen e Thaçit, duke shmangur çdo konflikt të mundshëm me opozitën.

portsdd28572

Thirrje për mosdaljen e admiruesve të Thaçit ka bërë edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka paralajmëruar se në atë rast do të kishte dhunë në Prishtinë. Edhe krerët e opozitës në konferencën e mbajtur para çadrave në shesh kanë folur për rreziqet e paralajmëruara mes qytetarëve, por nuk besojnë se një gjë e tillë do të ndodhë. “Ata kanë paralajmëruar konflikte fizike, por janë gënjeshtra. Kanë paralajmëruar rreziqe, janë sërish gënjeshtra. Kanë paralajmëruar festë, edhe kjo është gënjeshtër. Ata kanë si qëllim që t’i pengojnë njerëzit të vijnë në protestë, sepse nëse nuk do të ketë protestues, shpresojnë që do të duken më legjitimë në parlament”, tha Ramush Hardinaj, kryetar i AAK-së.

Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, për zgjedhjen e presidentit kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve. Pra Thaçit dhe Ramës i duhen 80 vota nga 120 deputetë, sa ka parlamenti.

Por, nëse dështon në dy raundet e para të zgjidhet presidenti, atëherë në raundin e tretë ai mund të zgjidhet me vetëm 61 vota. Kushdo që zgjidhet për president do të bëhet presidenti i pestë i Kosovës së pavarur. Dy presidentë nuk e kanë kryer mandatin e tyre, pasi Gjykata Kushtetuese ka gjetur se ata kanë shkelur aktin më të lartë juridik. Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që deputeti i PDK-së, Rafet Rama, të jetë kandidati tjetër formal i Hashim Thaçit për President të Kosovës pasi Kushtetuta kërkon që në garën për kreun e shtetit të marrin pjesë së paku dy kandidatë. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, është parë gjatë seancës së mërkurë duke mbledhur 30 nënshkrimet e nevojshme, që kërkohen për kandidatin për president.

(el.sp/m.k/ed.me/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: