Emri i saj renditet te ata të moshuar me pasuri marramendëse në vendin tonë. Bëhet fjalë për Haxhire Gurakuqi, 90-vjeçarja me biznes 30 milionë dollarë në Lezhë, si përfituese e parave të inceneratorëve.

E moshuara ka rrëfyer të vërtetën e akuzave që rëndojnë mbi të, ndërkohë që pohon se nuk ka dijeni për këtë ngjarje. 90-vjeçarja madje jeton në një azil në kryeqytet, pasi banesa e saj ishte dëmtuar nga tërmeti.

E pyetur nëse ajo ka dijeni për bizneset që janë në emër të saj dhe përfitimet nga inceneratorët, e moshuara thotë se nuk di gjë.

Për biznesin në Lezhë në emër të saj dhe 94-vjeçarit Thanas Çani, 90-vjeçarja shprehet se nuk ka qenë kurrë në këtë qytet. Ajo sqaron se të dhënat e saj janë marrë nga pasaporta, ndërsa shton se nuk i njeh personat që e kanë përfshirë në mashtrim.
“ Kam jetuar në shtëpi me qira mbi 20 vite. Tërmeti më shembi shtëpinë Iu drejtova bashkisë, nuk më ndihmoi. Jetoj në Azil që në momentin që ra tërmeti. Nuk i njoh personat që më kanë përfshirë në këtë mashtrim. Jetoj vetëm me lekët e pensionit, kam rënë pre e mashtrimit. Mi kanë marrë të dhënat nga pasaporta. Unë as nuk e di çfarë janë këto kompani. Më thanë ke një biznes të madh në Lezhë, ndërkohë që unë nuk kam qenë kurrë në atë qytet”, thotë ajo për Syri Tv.

Duke iu referuar disa dokumenteve që publikoi sot kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, dy të moshuarit janë bërë përfitues të 30 milionë eurove. Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi rezultojnë me pasuri marramendëse.

“Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi kanë kompani 35 milionë dollarë, u është shitur dy personave njëri 94 dhe tjetri 95 vjeç duke faturuar fatura fiktive dhe false. Kompanitë shërbejnë si lavatriçe për pastrimin e parave. Këto kompani i kemi hetuar se kanë dalë të lidhura me inceneratorët, kemi arritur në rezultatin se janë të përfshira kompani që kanë fituar konçesione. I gjithë sistemi ka funksionuar me një mbikëqyrje perfekte nga kryeministri. Nëse do kishim hetim tatimor që do hetonte do shikonte që frutat ekzotike janë shndërruar në asfalt. Të gjithë materialin ia kemi bërë gati prokurorisë së posaçme. Për të 24 kompanitë do të informojmë prokurorinë në mënyrë që ata të mos bëjnë asgjë tjetër, por vetëm të verifikojnë. Të verifikojnë edhe këta 94-95 vjeçarët që kanë blerë biznese 30 milionë dollarë” u shpreh Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: