News24 siguron kontratat e shitblerjes se aksioneve të një prej kompanive ne pronësi të dy të moshuarve që sipas LSI u përdorën në skemën gjigande të evazionit fiskal me inceneratorin e Tiranës.

Kompania “Sopotonia” në pronësi të Haxhire Gurakuqit është themeluar në vitin 2014 nga një 23-vjeçar në atë kohë, i quajtur Kreshnik Ymeri. Fillimisht kompania e kishte me emrin Xh&Y dhe selinë në Elbasan. Më pas në 12 janar të 2017 kjo kompani ka aplikuar për pezullim statusi, ndërsa më 24 shkurt po të 2017 është aplikuar për ndryshimin e emrin nga Xh&Y në “Sopotonia”, ndërsa adresa është ndryshuar në Fushë Kuqe të Laçit. Kjo periudhë ka qenë shumë aktive për këtë kompani pasi në 16 mars të 2017 është bërë shitja e 100% të aksioneve nga Kreshnik Ymeri tek Klevis Murati për një vlerë prej 100 mijë lekësh.

Disa ditë nga shitja, kompania është rikthyer me status aktiv. Por pas 9 muajsh status aktiv, në 9 janar 2018 pronari dhe administratori i ri kompanisë ka aplikuar në QKB për të bërë pezullimin e aktivitetit. Tre muaj më vonë është futur si aksioner me 50% të kuotave i moshuari Thanas Çani, i datëlindjes 1939, i cili në kohën e firmosjes së kontratës rezulton në të tetëdhjetat. Kjo është kontrata e shitjes, ku 27-vjeçari Klevis Murati bën ortak me kuota të barabarta 80-vjeçarin Thanas Çani. Por çuditërisht pas 8 muajsh në gusht të 2018 dy ortakët kanë vendosur që ndahen me Thanas Çanin që ia shet aksionet Klevis Muratit për të njëjtën vlerë që i bleu. Ndërkohë në janar të 2019 kompania kalon në duar të 89-vjeçares Haxhire Gurakuqi, me çmim prej 100 mijë lekësh.

Por pa mbushur dy muaj rezulton se vetë Haxhireja ka aplikuar në QKB për pezullim aktiviteti, status që vazhdon ende në ditët e sotme. Pjesa tjetër është histori e njohur tashmë. Me të moshuarit që rezultojnë se janë përdorur nga një grup individësh, ndërsa vetë Haxhire Gurakuqi tregoi për News24 se dy persona i kishin kërkuar të firmoste një letër të bardhë, duke e mashtruar se ishin prokurorë. Me shumë mundësi kjo është letra e firmosur nga zonja Gurakuqi.

LSI thotë së të moshuarit janë përdorur për skemën e gllabërimit të parave me inceneratorin e Tiranës dhe se vetëm kompania “Sopotonia” ka mbi 10 milionë dollarë transaksione me inceneratorin e Tiranës, duke blerë fruta ekzotike dhe duke shitur beton. Por e gjitha kjo situatë nuk i ka bërë përshtypje administratës tatimore, e cila i sulet bizneseve të ndershëm, ndërkohë që para syve ka pasur një skemë të pastër evazioni fiskal. Dokumentet janë aty, aty është dhe evazioni, por Tatimet që i kanë kaluar në duar faturat fiktive për blerjet më TVSH, nuk kanë bërë asgjë deri tani për ndalimin e këtij mekanizmi.

Një kompani me një faturim prej miliona dollarësh, që ndryshon statusin e aktivitetit nga aktiv në pasiv, dhe anasjelltas disa herë në një hark kohor të shkurtër, dhe që ndërron pronarë me kontrata të dyshimta ku 27-vjeçari ia shet aksionet 80-vjeçarit, nuk i kanë bërë përshtypje administratës fiskale. Ndërkohë që Tatimet presin t’i shohin siç do verë teksa i sulen bareve dhe restoranteve për kuponin, e gjitha kjo megaskemë thuhet ka një faturë prej 189 milionë dollarësh sipas LSI.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb