Një muaj më parë, nga Pogradeci, ministri i mbrojtjes Niko Peleshi u tha gazetarëve se Forcat e Armatosura Shqiptare do të pajisen me një nga sistemet më të avancuara raketore anti-tank sot në botë “Javelin”.
Këto raketa anti-tank kanë qenë nga më efikaset në shkatërrimin e tankeve ruse gjatë luftës në Ukrainë. Peleshi shtoi se blerja e raketave antitank “Javelin” është në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura si dhe rritjes së kapaciteteve tona ushtarake për të rritur sigurinë dhe mbrojtjen territoriale të vendit.
Media e njohur ushtarake amerikane “Military Leak” ka dhënë më shumë detaje në lidhje me raketat antitank që ka blerë vendi ynë.
Sistemi raketor antitank prodhohet nga konsorciumi amerikan Javelin Joint Venture, e cila përbëhet nga kompanitë e industrisë ushtarake më të fuqishme në botë, Lockheed Martin Corp dhe Raytheon.
Sipas “Military Leak” raketat antitank “Javelin” që më pas do u dërgohen Shqipërisë, Letonisë, Norvegjisë dhe Tajlandës duhet të dorëzohen tek shtetet blerëse më 28 shkurt 2025.
Montimi i tyre do të bëhet në Tucson, të Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zbulohet edhe kostoja e porositur nga katër shtetet përfshirë Shqipërinë: 71,412,090 dollarë. “Javelin” kushton rreth 250 mijë dollarë për copë por është në gjendje të hedhë në erë një tank që kushton shumëfish më shtrenjtë.
Interesant është fakti se shumë bebe të lindur në Ukrainë, gjatë muajve të pushtimit rus, janë quajtur Jan, Javelin dhe Javelina, për të nderuar raketën antitank amerikane “Javelin” që përdoret gjerësisht nga ushtarët ukrainas dhe është kthyer në tmerrin e tankeve rus.
Sistemi i raketave anti-tank “Javelin” ka hyrë në shërbim në vitin 1996, por që atëherë është avancuar vazhdimisht në modele të ndryshme.
Javelin, është portalbel, konsiderohet armë precizë, peshon mesatarisht 22 kilogram, pesha e predhës është 8.4 kilogram dhe mund të shkatërrojë tanke moderne, duke i goditur nga lart, ku armatura e tyre është më e hollë. Distanca e qitjes varion nga 2,500 m deri në 4,750 m. “Javelin” mund të instalohet nga platforma të shumta dhe të përdoret gjatë ditës, natës dhe në çdo lloj moti. Programi ka demonstruar gjithashtu se Javelin mund të gjuhet nga një lëshues në distancë i montuar në një mjet tokësor pa pilot.