Kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli, mohon për “BalkanWeb” dhe “News24”, që dhëndri i tij është mes të arrestuarve për fabrikën e drogës në Ohër.
“Nuk e di si kanë dalë këto lajme, emri i dhëndrit nuk është i përfshirë. Ai momentalisht është me pushime në Turqi”, ka thënë kryebashkiaku socialist.
Lajmi në mediat maqedonase për fabrikën e drogës:
Një fabrikë drogë është zbuluar mëngjesin e sotëm në fshatin Orovnik të Ohrit. Sipas autoriteteve maqedonase, janë zbuluar 3.000 rrënjë ilegale të marihuanës, 100 litra vaj kanabisi si dhe 600 kg kanabis i tharë.
Po ashtu në pranga janë vënë 10 persona, mes të cilëve sipas mediave maqedonase rezulton edhe dhëndri i kryetarit të bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakollit. Referuar mediave maqedonase, thuhet se dhëndri i Xhakollit, ishte pronar i fshehtë i kësaj “fabrike”.
Fabrika ka qenë e regjistruar si filial i kompanisë Greenego 2018 nga fshati Drsllajcë i Strugës, por nuk ka pasur licencë për prodhim të marihuanës.
(BalkanWeb)