Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e ka quajtur gazsjellësin TAP si shumë të rëndësishëm referuar edhe gjendjen me gazin në Perëndim, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Tabaku, me anë të një postimi në Facebook, deklaroi se është e nevojshme që të investohej seriozisht dhe me mençuri në sektorin e gazit dhe gjithashtu edhe të përpunimit të gazit të lëngshëm.

Postimi:

Një prej investimeve më të rëndësishme strategjike dhe të huaja në Shqipëri është padyshim ndërtimi i gazësjellësit TAP që erdhi dhe u zhvillua si projekt gjatë qeverisjes së PD.

Pikërisht ky projekt duket se po është një nga dyert e shpëtimit jo vetëm të investimeve të huaja në vend por njëkohësisht edhe të BE-së.

Tanimë që BE ka vendosur të rrisë dhe me 60 mln USD blerjet nga gazi Azerbaxhanas ne duhet të pyesim veten se si mund të përfitojmë më shumë?!

TAP nuk është vetëm një projekt strategjik për Europën por duhet të jetë edhe një mënyrë dhe opsion për qeverinë shqiptare dhe Shqipërinë që të diversifikojë furnizimin duke përdorur jo vetëm hidrocentralet por edhe gazin që vjen nga TAP.

Prandaj sot duhet të kemi realisht plane konkrete dhe serioze për të diversifikuar në sektorin e energjisë, për të shtuar edhe gazin në ato mënyra dhe forma për të furnizuar qytetarët me dritë dhe ngrohje.

Gjithashtu do të ishte e udhës që të investohej seriozisht dhe me mençuri në sektorin e gazit dhe gjithashtu edhe të përpunimit të LNG përmes investitorëve strategjikë dhe partnerëve amerikanë për të qenë edhe ne një vend nga ku mund tregtohet gazi.

Suksesi i TAP nuk ishte thjesht një investim i huaj që mbajti gjallë ekonominë për mbi 8 vite por mbi të gjitha ishte nje investim strategjik që sot po korr frytet e duhura.

Në këto kohë të vështira ku ka oportunitet ne duhet të përdorim të gjitha mjetet për të rritur akoma më shumë rëndësinë strategjike të vendit tonë dhe gjithashtu për të përfituar duke modernizuar ekonominë dhe jo vetëm.

Koha është që qeveria të veprojë për të kapur momentin dhe për të intensifikuar më tej diversifikimin në sektorin e energjisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: