Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, do të nisë këtë të premte një turne katërditor në vendet e Ballkanit Perëndimor në mbështetje të aspiratave të tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, duke garantuar se do t’i mbështesë në këtë proces të rëndësishëm për ta.
Agjenda e vizitave në Ballkan do të përfshijë Beogradin, Sarajevën dhe Mostarin, Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën.
Kjo është vizita e parë që kreu i qeverisë spanjolle ndërmerr në Ballkanin Perëndimor që prej emërimit të tij, përveç Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilën e ka vizituar edhe më herët. Përmes këtij udhëtimi Sanchez synon të tregojë se Spanja i kushton një vëmendje të veçantë marrëdhënieve dypalëshe politike, ekonomike dhe kulturore me të gjithë ata që ndërmarrin udhën drejt BE-së.
Kjo mbështetje është përcjellë edhe më herët në samitin e liderëve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor që u mbaj muajin e kaluar në Bruksel përpara takimit të Këshillit Europian, ku Ukrainës dhe Moldavisë iu dha statusi i vendeve kandidatë për të qenë pjesë e komunitetit europian.
Ky vendim bëri që disa liderë ballkanikë të shprehin zhgënjimin e tyre dhe të paralajmërojnë BE-në se po humbet besueshmërinë në rajon, sepse shpejtësia e vendimit për Ukrainën dhe Moldavinë është në kontrast me bllokimin e integrimit të vendeve të Ballkanit, një situatë që zgjat njëzet vjet në disa raste.
Sánchez i mbështeti në mënyrë eksplicite këto aspirata dhe ishte veçanërisht në favor të marrjes së statusit të vendit kandidat nga Bosnja Hercegovina.
Mali i Zi është duke negociuar aktualisht për marrjen e statusit kandidat në BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut filluan negociatat e pranimit këtë muaj pasi Bullgaria hoqi veton e saj, Bosnje Hercegovina ka aplikuar për statusin më herët, ndërsa kushti ndaj Serbisë janë negociatat me Kosovën.
Nga ana tjetër, përpos mbështetjes së ofruar ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ajo që vihet re në këtë vizitë është injorimi që i ka bërë Kosovës, si një sinjal që Spanja vijon ende të mos e marrë në konsideratë njohjen e pavarësisë së shtetit më të ri të Europës, i cili po përparon me plotësimin e kushteve drejt integrimit në instancat europiane.
Në nëntor të vitit të shkuar, Aleksandar Vuçiç, e ftoi Sanchezin të vizitojë Serbinë “që ta shohë mikpritjen e popullit serb, për gjithçka që ai ka bërë në mbrojtje të integritetit territorial të Serbisë dhe për përkrahjen që i ka dhënë në rrugën drejt Europës”.
Strahinja Subotiç nga Qendra për Politika Europiane ka thënë se vizita e Sanchezit do të ketë në fokus tri çështje: Kosovën, marrëveshjen për tregti për aeroplanë luftarakë dhe zgjerimin e BE-së.