NË VEND TË PROLOGUT…
Njeriu, si krijesë e Zotit absolut, udhëheqës i jetës në univers, me kohezionin e tij shpirtëror, ka ekzistuar duke menduar gjithnjë sipas shkallës së formimit të ndërgjegjes. Ndërgjegjja ka krijuar formimin, botëkuptimin e kohezionit shpirtëror të tij, në bazë të të cilit ka gjykuar dhe menaxhuar universin, sipas pikëpamjeve dhe kohezioneve të etapave të ndryshme historike, në dobi të tij, përballë realiteteve ekzistuese të jetës. Patosi i tij shpirtëror, i pandalur, si zëdhënës i Zotit në Tokë, ka krijuar formimin e tij, që nga thellësitë e kohëve, në ditët e sotme.

Njerëzit, përballë realiteteve, fenomeneve të natyrës, ekzigjencës së shumë formave të ndryshme të jetës, krijuan botëkuptime që i udhëheqin ata. Në kohët e lashta, të hershme historike, njerëzit përballë realiteteve, parafytyronin mënyra, forma nga më të ndryshmet, blatime, adhurime, jo vetëm për të jetuar, ekzistuar, por për të qenë të mbrujtur në besim, ndaj Zotit. Këto nevoja, sipas besimit te Krijuesi, njeriu i ka manifestuar që nga kohët më të lashta e në vazhdimësi.

TOMORRI, MALI ZOT, PELEGRINAZHI ADHURIM NDAJ TIJ…
Tomorri, tempulli i parë mbi dhe’ më i lashti në botë, nis nga parahistoria nën një gurrë mitologjike, ku vështirmi i studiuesve ende nuk ka arritur dot. Një histori e lashtë të çon drejt tij. Njerëzit vinin në Tomorr, në Dodonë, pranë bijës së oqeanit, detit, qiellit, të dheut, tempullit të saj, siç shkruan Eskili, shek. V p.e.s, te “Prometeu i Lidhur”, 800, “…Kur ju të keni arritur në tempullin e Dodonës së sipërme, ka një Orakull të Jupiterit Thesprot…”. Në librin VI, VII ai shkruan se Tempulli i Dodonës gjendet në majë të një mali të lartë, që është Tomorri i sotëm, për t’u lutur, mësuar fatin e ardhshëm të jetës.

  • foto galeri
  • foto galeri

Në Tomorr, kishte në tempull parailir ku jetonin perënditë. Njerëzit vinin këtu në faqe të malit, korijeve, shpatullave, lëndinave të tij dhe kryenin si dikur festime, aferoma që i kushtoheshin Perëndisë së Apollonit, siç thotë Pindari: “… Festimet e këtyre anëve, të Dodonës dhe krahinave përreth, ishin ngazëllim, për Apollonin…”. Rrëfimet dhe shkrimet e para për tempullin e parë mbi dhe’, tempullin më të lashtë, rrotullohen rreth malit hyjnor, Tomorrit, Malit Zot. Këtu gjendet dhe nis një histori nga më të parat dhe më të lashtat e gjenezës iliro-shqiptare. Herodoti, që e ka vizituar dhe parë vetë këtë tempull, thotë që kjo faltore ka qenë nga më ta parat dhe tempulli më i lashtë mbi dhe’. Emri i tempullit të lashtë të Tomorrit, Dodonës Pellazgjike, dokumentohet herët, që në agim të shkrimit të poemave homerike.

DODONA, ORAKULLI I ZEUSIT, TEMPULLI MË I LASHTË MBI DHE’…
Emri dhe historia e tempullit të malit të Tomorrit është pandarë dhe e lidhur me emrin dhe historinë e Dodonës, Orakullit të Zeusit, perëndisë më të fuqishme të mitologjisë greke. O mbret, Zeus, Dodonës Pellazgjik, që banon larg, duke sunduar Dodonën (Tomorrin e sotëm), që e rrahin dimra të rëndë e të egër. Hesiodi, në poemën “Carmina”, thotë: “…Këtu Zeusi, Dodonë, deshi të ishte një faltore e vyer për njerëzinë…”. Dodona, tempulli, ishte një qendër pellazge parahelenike, shumë e vjetër siç thotë Aravantioti, në librin e tij, botuar në Janinë 1859, më e vjetër se gjuha, perënditë dhe mitologjia greke. Si i tillë, tempulli i Dodonës, Tomorrit, u njoh në të gjithë botën, si tempulli më i parë mbi dhe’ dhe ky realitet historik ekzistues, është pranuar vetë nga autorët më të moçëm helen.
Herodoti, që bën fjalë për profecitë, priftëreshat e tempullit, në librin e tij thotë që kjo faltore ka qenë më e vjetra nga gjithë të tjerat dhe më e para, pra, tempulli më i lashtë mbi dhe’: Aty vinin blatime, kushtime, aferoma, edhe nga popujt e Europës që gjendeshin përtej viseve veriore të Ilirisë. Pelejet, thotë gjeografi Meletios në librin e tij, f.214 (pëllumbeshat) quheshin gratë e tempullit të Dodonës, të cilët ishin barbare, flisni gjuhë të ndryshme nga greqishtja. Dukeshin si zogjtë në mes të të huajve, që vinin aty për të vizituar tempullin, për të mësuar nga profecitë e tyre, fatin e jetës. Pelejet nuk flisnin helenisht (greqisht), por gugutitnin si barbare. Tri plakat e Orakullit të Dodonës që përmend Straboni, lidhen me emrin e fisit “Graik” (gratë), që lokalizoheshin sipas tij, pikërisht në Epir.

Tempulli I Dodones
Tempulli I Dodones

DODONA MITOLOGJIKE – FILLIM GJENEZE…
Hesiodi, shek VIII-VII p.e.s, pohon: “…Dodona dhe Lisi ishin qendra të pellazgëve: Se hyjnori Lukoan ishte i biri i pellazgut, duke shtuar dhe përforcuar thënien e Homerit shekuj më parë, se pellazgët, paraardhësit tanë ishin hyjnorë…”. Stefan Bizantini, për të argumentuar vijimësinë e gjenezës pohon se Hellopia, me të cilën lidhet emri i krahinës, është gurra mitologjike e emrin ku pozicionohet tempulli. Hellopi, ishte biri i Jonit, emri etnik i Hellopies, krahinë përreth Dodonës. Sipas mitologjisë, Joni i biri i Dyrrahut. Joni është dhe i biri i mbretit ilir Adria, nga i cili mori emrin deti Adriatik. Gjiri jonian është gjiri ku lindi Zeusi, deti Kronit dhe Rea, sipas Pjerre Grimalit, vendi ku shtegtoi nimfa arkade, Io-ja, e ndjekur nga Zeusi. Sipas Eskilit dhe Ovidit. Deti Jon herët në histori, përfshinte dhe Detin Adriatik. Pellazgu, pohon Dionis Halikarnasi në librin e tij të parë, ishte i biri i Zeusit dhe i Niobës të Foronit. Dimë se Zeusi ka lindur në Arkadi, viset e Shqipërisë së sotme. Dimë gjithashtu, sipas mitologjisë, se Foronidha përfaqëson Jonë, Europën, një nga gratë e Zeusit, se emri i nimfës lidhet me detin Jon.

Dionis Halikarnasi, në librin e tij të dytë, shkruan se Enea arriti në Dodonë me ushtarët më të zgjedhur për të kërkuar mendimin e Perëndisë, për të gjetur ata të rënë që kishin ikur bashkë më Helenën. Enea mbërriti në vendin e Enianëve, me të cilin e lidh jo vetëm emri i përbashkët, por siç duket edhe origjina. Te lisi i tempullit të Dodonës, Uliski u lut për të gjetur rrugën e kthimit për në atdhe, Itakë. Harlikarnasi vazhdon më tej dhe fakton se pjesa më e madhe e pellazgëve, të cilët u kërkuan ndihmë profecive të tempullit, shkuan te vëllezërit e tyre, tek aleatët, në Dodonë, se tempulli ishte i shenjtë, vendi hyjnor. Pasi vendi nuk i mbante dhe i ushqente dot, me porosi të Orakullit të Dodonës, u hodhën në Itali, nga Umbri, në lumin Pad ose Spine. Straboni, na tregon se Orestët, banorët e Orestidhës (krahinë e vjetër e Beratit) banonin në gjithë rrethin e Tomorrit, Beratit, dhe morën emrin nga Oresti, i biri i Agamemnonit, komandat i ushtrisë greke në luftën e trojës.

Homeri tek “Iliada” thotë: “…Pas Enianëve vijnë perrebetë, që banojnë rreth Dodonës dimërkeqe, fise këto që sipas Homerit ishin pjesëmarrës në Luftën e Trojës. Dodona është ndërtuar në një epokë shumë të hershme, epokën mitologjike. Lidhja Argë-Pellazgë-Dodonë-Likaone-Aiakas-Pirrej-Hyllej-Heraklide-Epiote- (ThesproteMollose) është lidhje vertikale e drejtpërdrejtë e banorëve, e gjenezës sonë. Mbi majën jugore, citon Gesandtlen Rich Luckualt, ndodhet vendi i varrit të Abaz Aliut. Çdo vit këtu mblidhen besimtarë të të gjitha feve, për të festuar ditën përkujtimore të tempullit nën drejtimin e klerikëve bektashi. Roland Matheu thekson se çdo vit, gjatë ditëve të gushtit, bëhej një pelegrinazh në majë të tij, flijoheshin shumë kafshë në adhurim të dikujt a diçkaje që nuk mund ta shihnin. Sidoqoftë, thotë ai, çfarëdo të kishte qenë në të shkuarën, tani është kthyer në një ceremoni tërësisht, myslimane bektashiane. Qindra të krishterë iu bashkohen vargut të pelegrinëve. Tomorri është Perëndi e të gjithë shqiptarëve. Abaz Aliu erdhi nga Arabia në Berat, – thotë autori amerikan J. Suire dhe rilindësi ynë i madh Naim Frashëri: -…Abaz Aliu zu Tomorr, /Erdhi afër nesh …. Nga Qerbelaja, ku po derdhej gjaku e po shkruhej historia, Abaz Aliu erdhi në Dodonë, tempulli i Tomorrit Abaz Ali, siç thotë Naim Frashëri, për të mëkuar foshnjat që vajtonin me buzë të çara për ujë. …Ç’është ai që shkon kaluar, /Ikën si veriu, / Me dy –tri foshnja ndër duar? /Është’ Abas Ali!… Çdo vit, 20-25 gusht, përkujtohet tempulli shenjtë i Dodonës, Tomorri, tempulli i sotëm Abaz Ali. Tomorri është mal i shenjtë. “Për baba Tomor” është lutje e shenjtë. Baba Ali Turabiu: “…Vendi i shenjtë u ndërtua mbi një vendndodhje të një varri pagan, kështu që Abaz Aliu mund të ketë trashëguar nga Zoti pagan fuqinë e tij mbinatyrore, së cilës i zuri vendin…”. Shumë autorë, që nga lashtësia dhe gjatë mesjetës, si Kantakauzeni, Efremi, murgu Gjergj Kedreni, citojnë se: “…ka ekzistuar një tabu mbrojtëse e malit si vend i shenjtë, traditë që ka vazhduar në shekuj. Kulti vazhdoi deri në shek. XV, kur u ndërtua varri kanotaf i Abaz Aliut…”

TEMPULLI, VAZHDË E PËRJETËSISË HYJNORE…
Shehë Hysejn Tusiu, studiues me njohuri të mëdha për trojet tona, ngarkuar me misionin e stërgjyshit të tij, të dokumentonte, përhapjen e Kuranit të atëhershëm të shkruar më dorë, shpatën, simbol të Islamit dhe “dhenë” nga vendi i shenjtë, ku kishin rënë dëshmorë Imam Hysejni dhe Abaz Aliu. Duke njohur se në këto vise gjendej tempulli më i lashtë, më i parë në dhe’, faltorja dhe Orakulli i Zeusit, vendi më i shenjtë dhe më i hershëm siç pohon Homeri, populli më hyjnor, vendosi dhe erdhi pikërisht në këtë tempull, në majën më të lartë, vendosi një dorë dhe’, duke krijuar kështu mekamin e Abaz Aliut. Duke qenë se bektashinjtë udhëhiqen nga thënia e Profetit Muhamed “Pa Atdhe nuk ka Fe”, dhe nga vetë jeta e heronjve mitikë, e cila është përkushtim për perënditë, u përkujdesën veçanërisht në shërbim të shenjtërimit të këtij tempulli të lashtë. Tradita vazhdon që nga hershmëria e njerëzimit deri në ditët e sotme.

  • foto galeri
  • foto galeri

ABAZ ALIU, FIGURË EMBLEMATIKE…
Abaz Aliu lindi më 4 tetor të viti 26 Hixhri, Hënor (648). Lindi si djali i Imam Aliut, modelit të përsosmërisë njerëzore, nga nëna e Tij Fatime, e bija e Profetit Muhamed. Kur Aliu hidhte ndonjëherë vështrimin te djali i tij, i shfaqej përpara syve e ardhmja e të birit. Pas një buzëqeshjeje kënaqësie ndaj caktimit të Zotit, nga sytë e tij, rridhnin lot. Kur bashkëshortja e pyeti pse vajtonte, ai i tha: “…Abazit do t’i presin krahët kur t’i vijë në ndihmë Hysejnit”, atëherë, për hir të dashurisë së madhe që Zoti ka ndaj tij, do t’i falë Abazit dy krahë që të fluturojë në parajsë. Në fushën përvëluese të Qerbelasë, kur Abaz Aliu vuri re buzët e thara dhe sytë e përlotur të fëmijëve të Imam Hysejnit, u nis për të dhënë provimin më të madh të jetës së tij. …Ujët ua kanë prerë, /Janë në shtrëngim, /I ka marrë etja shumë, /Si foshnja e të mjerë, /Me sy në lot vajtojnë, /Në zi e në hidhërim…. /…Nëpër mest të ushtrisë /Të armikut shkon /Si engjëll i Perëndisë /Nd’ erë fluturon! Armiku mori shenjë dhe e goditi në krahë Abaz Aliun. Trimi si humbi dy krahët nga goditja e armikut, nga kali ra. Imam Hysejni i shkoi pranë, i qëndroi mbi kokë, vëllait të dashur, që më pas shkoi te Zoti. …O mj fushë e Qerbelasë! /Që më rri ndër sy, /Plot me gjak t’ Ali-Abasë, /Vallë ç’ësht’ ay?…

Abaz Aliu
Abaz Aliu

TEMPULLI I SHENJTË I ABAZ ALIUT, SIMBOL PELEGRINAZHI, ADHURIM I HERSHËM EDHE I SOTËM, I VENDEVE TË SHENJTA…
Zoti absolut e krijoi besimin si një lumturi për krijesën e tij njerëzore. Sa më i fortë dhe sa më i madh të jetë besimi tek Ai, njeriu ka ndjerë gjithmonë mbrojtje në ballafaqim me nevojën për kurajë, përkrahje dhe ngushëllim, për të përballuar gjithnjë sfidat e jetës. Njeriu, si krijesë hyjnore e Zotit, në Tokë, duke ndjerë nevojën për Të, ka treguar forma besimi, lavdërimi nga më të ndryshmet, për Perëndinë, Zotin, vendet e shenjta dhe shenjtorët. Një prej këtyre formave ishte shenjtërimi i jetës, duke ngritur godina, varre, ndërtesa të bukura. Kurani i Shenjtë, duke treguar historinë e shtatë shenjtorëve të Efesit (Ephesus), i është referuar kësaj dukurie. “Ne bëmë që historia e tyre të jetë publike, në mënyrë që populli të dinte që premtimi i Zotit ishte i vërtetë dhe nuk ka asnjë dyshim për ardhjen e ditës së gjykimit.

Ata filluan të diskutojnë me njëri-tjetrin mbi çështjen e ringjalljes dhe disa thanë: “…Ndërtojuni atyre një ndërtesë (të jetë shenjë), Zoti di mirë për ta (Sure ElKehf, vargu 21 faqe 342)” . Këto vende të shenjta kanë qenë shumë shpesh burim i vendosjes së marrëdhënieve me Zotin. Në Adithet profetike thuhet se: “…Kur ta ndjeni veten ngushtë, do t’u drejtoheni vendeve të mira, ato e dinë hallin tuaj…”. Vendprehja Kanotaf e Abaz Aliut është një prej shtëpive, mbi të cilën Zoti i Plotfuqishëm tha: “Shtëpitë që Allahu ka shpallur, që të jenë tepër të respektuara dhe emri i Tij të përmendet aty me nderim, në mëngjes dhe në mbrëmje (Kurani: 24-36)”. Njerëzit, duke njohur veprën e Abaz Aliut, kanë krijuar hapësirën e respektit, që duhet të kenë për këtë figurë. Të vizitosh sot Abaz Aliun pas vdekjes së Tij është njësoj si ta vizitosh atë gjatë jetës së Tij. Kjo, sepse profetët, shenjtorët, martirët janë gjallë me Zotin e tyre.

KURBANI SIMBOL I JETËS, HISTORIA E TIJ…
Gjithmonë, njeriu ka dashur të fitojë besimin e Zotit në forma dhe mënyra nga më të ndryshmet. Flijimi i njerëzve në religjionet e vjetra, primitive ka qenë shprehje tipike makabre, e besëtytnive. Këto forma sakrifice latinët i quanin “do ut des” (jap që të më japë mua). Këto raporte në besimin Islam dhe në besimet e tjera janë të panjohura. Kurbani është akti i flijimit sublim, i gatishmërisë së njeriut, për të flijuar gjënë më të shtrenjtë, jo për ti bërë qejfin Krijuesit, por për sendërtimin e porosive të fjalëve të Krijuesit për mirëqenien tonë individuale dhe shoqërore. Zoti është i plotmjaftueshëm, jashtëkohor, hapësinor dhe nuk është i ndikuar nga ligjet dhe rregullat e botës ekzistenciale. “Tek Allahu nuk arrin as gjaku, as mishi, por devotshmëria juaj”. kjo do të thotë që kafsha është ndërrim simbolik, me atë që duhet flijuar. Rasti i Ibrahimit a.s., që dërgoi për kurban djalin e tij Ismailin a.s, është rast i papërsëritshëm në historinë njerëzore dhe si i tillë duhet të ndikojë inspirativisht te ne, në kohën tonë kur po humbasim vlera.

Kurbani
Kurbani

TRADITA E KURBANIT, HELLIT…
Në lashtësi, diku midis Gjirokastrës dhe Sarandës së sotme, figurojnë dy qytete, Helanon dhe Helakranon, fjalë ku në rrënjë të tyre gjendet Heliopia, Helloi, Selloi, Ahello, Hellan, me rrënjët “Hell”, duke faktuar se kurbani i prerë, për nder të Zeusit dhe Dodonës Pellazgjike, si fli, piqej në hell si blatim për perënditë. Këtu e prejardhjen edhe kurbani që bëhet sot në Tomorr, Dodonën Pellazgjike, që në thellësi të lashtësisë së kohëve deri në ditët e sotme. Gjithë Epiri i moçëm është helli, vendi i shkuarjes në helli të mishrave të pjekur, si flijim dhe blatim për Perëndinë.

TOMORRI SOT, PËRJETIM HISTORIK…
Tomorri ngjason sot me një qytezë të ngritur rishtazi. Qindra, mijëra pelegrinë vijnë si dikur nga viset përtej Ilirisë. Hedhin valle në logun e burrave të moçëm, duke blatuar netët me agimet e mëngjeseve në tempull. Në këtë ngazëllim, si kushtim, si dikur, për Apollonin, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përcjell profecitë dhe frymën e shenjtërisë së këtij vendi te të gjithë pelegrinët e ardhur nga të katër anët e botës. Përcjell urimin dhe mesazhin e mirësisë, të tempullit të Dodonës, Pellazgjike, tempullit të sotëm Abaz Ali.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb