Më 17 gusht të vitit 1949 në Qafë Valmir në Mirditë 14 veta u vranë nga regjimi komunist në Shqipëri si hakmarrje pas vrasjes së Bardhok Bibës, sekretarit komunist të zonës. Asnjëri prej të 14 nuk kishte lidhje me vrasjen dhe me vrasësit, siç pranohet nga dosja hetimore. 73 vite më pas, Instituti për Demokraci media e kulturë e përkujton ngjarjen me nje ekspozitë.
“Një ekspozitë e tillë të tregojë se si një pjesë e madhe e proceseve që bëheshin në diktaturë bëheshin pa fakte e prova dhe kush më mirrë se Masakra e Qafë Valmirit mundet ta dëshmojë këtë. Masakra u krye për të bërë një shembull në veri të Shqipërisë në veriun antikomunist. T’u pritej koka familjeve më të mëdha të Mirditës dhe të krijohej frikë për të tjerët që do mbeteshin”, thotë Jonila Godole nga IDMC.
14 veta nga mosha 24 në 67 vjeç u ekzekutuan dhe u varën në litar pas vetëm pesë ditësh process gjyqësor. Historitë e familjeve janë të dhimbshme, ndërsa padrejtësia ndaj tyre, prek ende sot.
“Është një moment shumë i dhimbshëm kur kemi dënimin e djalit dhe babai i lutet trupit gjykues, dhe ju thotë merrni jetën time dhe më kurseni djalin. Djali nuk do të ishte i lirë por do të futej në burg dhe babai zgjodhi të futej në burg. Pati sakrifica të forta e në emër të çfarë? Djali megjithatë vdiq në burg. Djali provoi humbjen e babait, dënimin e vet në mënyrë të pafajshme dhe vdekjen e tij”, thotë Godole.
Për IDMC puna për ekspozitën mori shkas nga adresa e tij, që gjendet në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë.
“Ne prej vitesh jemi duke punuar për të bërë një studim të gjithanshëm që prek emrat e rrugëve dhe shkollave. Ato persona e figura që vijnë nga diktatura që biografia e tyre është shkruar nga historiografia komuniste”
Dosja e tyre hetimore pranon se nuk u gjetën prova që të ekzekutuarit kishin lidhje me të arratisurit apo me vrasjen. Gjykata e kohës mjaftohet të krijojë bindjen dhe të ndjekë perceptimin sepse e ka të vështirë të gjejë prova që të dënuarit kanë takuar të arratisurit në male që dyshohen si autorë të ekzekutimit të Bardhok Bibës. Për familjarët plaga është ende e hapur.
“Ajo ishte një plagë e madhe për familjen tonë e jo vetëm për ne. Ata ishin ekzekutuar të lidhur dhe pushkatimi i të parit tërhiqet zvarrë të dytin, kjo, edhe sepse kishin qëndruar 5-6 ditë pa ngrënë dhe ishin të dobët për të mbajtur njër- tjetrin. Vrasja u bë në prezencë të një publiku për të treguar se nëse nuk zbatohet vija e partisë, kjo do t’ju gjejë”.
Xhaxhai i Gjergj Markut kishte qenë partizan. I zhgënjyer nga ajo që komunizmi po sillte pas lufte, ai kishte braktisur komunistët.
“Xhaxhai nuk ishte i përfshirë. U mor nga burgu i Shkodrës dhe u soll për t’u ekzekutuar. Kishte qenë partizan por pa që komunistët nuk po sillnin barazi për të gjithë dhe ju doli kundër”.
14 jetë u morën ndërsa familjet u internuan për një faj që nuk e kishin bërë duke u futur në dy varre të përbashkëta.