Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian do të sigurojë 100 milionë euro për rindërtimin e shkollave të dëmtuara në Ukrainë për shkak të luftës së vazhdueshme me Rusinë.
Von der Leyen mbajti fjalimin për gjendjen e BE-së në të cilin ajo përshkroi vijat kryesore të veprimit për BE-në në vitin e ardhshëm në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, Francë.
Ajo siguroi se solidariteti i Evropës me Ukrainën do të mbetet “i palëkundur”, duke premtuar se blloku do të mbajë sanksionet kundër Rusisë dhe mbështetjen financiare për Ukrainën.
Von der Leyen tha se fondet i drejtohen Kievit “sepse e ardhmja e Ukrainës fillon në shkollat me fëmijë”.
Ajo premtoi se Ukraina mund t’i bashkohet zonës së roamingut të lirë të BE-së, duke ofruar tarifa të reduktuara të telefonit celular.
Presidenti rus Vladimir “Putin do të dështojë, Ukraina dhe Evropa do të triumfojnë”, tha më tej ajo.
Duke folur për krizën energjetike në Evropë me Rusinë që kërcënon të ndërpresë furnizimin me gaz, Von der Leyen tha se miliona evropianë kanë nevojë për mbështetje për të paguar faturat e tyre të energjisë.
“Disa kompani prodhojnë energji elektrike me kosto të ulët dhe fitojnë marzhe të mëdha. Ne propozojmë një kufi në të ardhurat e tyre që do të mbledhë më shumë se 140 miliardë euro. Dhe do të reformojmë thellësisht tregun tonë të energjisë elektrike”, tha presidentja e KE-së.
Si e ftuar nderi e Von der Leyen, Zonja e parë ukrainase Olena Zelenska mori pjesë në këtë ngjarje.