Duket se skenat e filmave ndonjëherë nuk u përafrojnë grupeve kriminale që veprojnë në realitet, siç është dhe ky i fundit i shkatërruar në bashkëpunim nga shteti spanjoll dhe italian.
Një ndër bandat më të rrezikshme, e drejtuar nga shqiptarë dhe italianë, këta të fundit të lidhur me “’Ndrangheta’”, që vepronin me bazë në Ibiza dhe vepronin edhe në Malaga, Barcelona dhe Tenerife, tashmë është në duart e policisë.
Mediat e huaja raportojnë se në këtë aksion të ndarë në dy pjesë, me veprim të mbi 400 agjentëve, përfshirë dronë e metoda speciale, kanë rënë në pranga 32 persona, shqiptarë, italianë dhe hungarezë, ndërsa janë sekuestruar rreth 18 kilogramë metamfetaminë me të cilën mund të ishin prodhuar 870 mijë pilula ekstazi, 4,5 kilogramë kokainë, një plantacion kanabisi me 600 bimë marihuanë, sasi të konsiderueshme substancash të tjera.
Gjithashtu janë konfiskuar dy armë zjarri, 330 mijë euro para të gatshme dhe 23 automjete luksoze. Gjithashtu janë bllokuar 116 llogari rrjedhëse dhe 15 prona luksoze të përdorura për pastrim parash, bizhuteri, dokumente që lidhen me llogari bankare jashtë vendit, dokumente false identiteti, bllokues frekuencash, një mori celularësh, memorie USB, tableta dhe pajisje të tjera elektronike.
Destinacioni i drogës ishte kryesisht Italia dhe Spanja dhe vinte direkt nga Amerika e Jugut. Anëtarët e kësaj organizate shquhen për përdorimin e dhunës, metoda si tortura, madje kanë kryer edhe vrasje në Itali.
Gjatë hetimeve është evidentuar mbajtja e armëve të zjarrit nga të ndaluarit në Ibiza. Disa nga anëtarët e saj me banim në Spanjë kanë qenë të lidhur me rastet e zhvatjes në Itali, përveç kryerjes së aktiviteteve të pastrimit të parave në Spanjë. Kjo organizatë, në këtë hetim, akuzohet për sekuestrimin e 1500 kilogramëve kokainë në provincën e Malagës, më 20 prill 2020.
Sa i përket organizatës shqiptare, e karakterizuar nga të njëjtat metoda të dhunshme si ajo italiane, vepronte kryesisht në ishullin Ibiza.
Të dyja organizatat investuan fitimet e tyre përkatëse në prona të paluajtshme në destinacionet kryesore turistike në Evropë, ndër të cilat spikat ishulli Ibiza .
Europol ka kontribuar në hetim me projektin AP ITOC, për analizën e krimit të organizuar të stilit mafioz italian me bazë në Itali, që prek vende të tjera të Bashkimit Evropian, përmes të cilit është dhënë mbështetje financiare dhe këshilla teknike për hetuesit e Gardës Civile.
Një sasi e madhe informacioni është analizuar gjatë hetimit, dhe rezultatet e analizës janë ndarë nëpërmjet SIENA-s dhe gjatë takimeve operacionale të mbajtura në Eurojust.