Nga 1 tetori deri në fund të dhjetorit konsumatorët familjarë që konsumojnë mbi 800 kWh energji në muaj do paguajnë sasinë plus me një çmim 42 lekë/KWh (pa TVSH). Kjo rritje çmimi me më shumë se 4 herë në raport me çmimin aktual që ka një kWh energji për konsumatorët fundorë (9.5 lekë/kWh) është analizuar për efektet që do të ketë në treg. Në një dokument të KESH, që aktualisht është kompania që po siguron furnizimin me energji të vendit përmes menaxhimit të prodhimit dhe blerjeve në treg të lirë, efektet cilësohen si negative edhe pozitive.
Konkretisht kompania pret që rritja e çmimit për çdo kilovat/orë mbi fashën 800 kWh pritet të sjellë më shumë të ardhura por edhe të nxisë uljen e konsumit. Ndërkohë që tek efektet negative nënvizohet mundësia e rritjes së mospagesave dhe problemet me matjen mujore të energjisë. “Sa i përket efektit që politikat e çmimit do të sjellin, efekti i parë i rritjes së të ardhurave shoqërohet drejtpërdrejtë me garanci për uljen e konsumit. Pra një politike çmimesh me rritje do të sillte edhe uljen e konsumit nga klientët fundorë me siguri shumë të lartë, duke garantuar edhe efektin e dhënë nga politikat e kursimit.
Megjithatë një politike rritjesh çmimesh është e sigurt që do të sjellë edhe problematika si efekte negative, ku duhet të theksohen (i) rritja e mos pagesave (ii) probleme në matjen mujore të energjisë elektrike nga faturuesi” thuhet në dokumentin zyrtar të miratimit të tarifave të ERE.
I njëjti dokument parashtron se “sa i përket efekteve të politikave të çmimeve në situatën financiare të shoqërisë, vërehet se humbjet për shoqërinë ulen në vitin 2023 me rreth 338 Milion Euro dhe me efekt total për periudhën 2023-2025 prej 878 Milion Euro. Në rastin e politikave të çmimit me rritje efekti financiar i uljes së konsumit është i garantuar”.
Enti Rregullator i Energjisë miratoi tarifimin me fasha të energjisë vetëm një javë më parë. Më herët qeveria kishte pranuar se kjo masë vjen në kushtet kur çmimet në tregun e lirë kanë arritur nivele stratesoferike sidomos në korrik dhe gusht ndërkohë që tashmë vihet re një ulje e tyre pavarësisht se me mesataren historike sërish çmimi mbetet i lartë. Qeveria pranoi se nga kjo masë preken pak më shumë se 4 për qind e konsumatorëve apo rreth 45 mijë. Kjo shifër është pranuar nën zë se është dukshëm më e lartë sidomos po të kemi parasysh që mesatarizimi vjetor fsheh numrin real të konsumatorëve mbi fashën 800 kWh që në muajt e dimrit rritet dukshëm. Në dhjetor, po sipas ERE, numri i familjeve që konsumojnë mbi 800 KWH pothuajse dyfishohet duke arritur në rreth 72 mijë familje.
Pas muajit tetor, nëse një familje do të konsumojë 900 kwh nëmuaj, pagesa finale mujore tashmë do të jetë 14,160 lekë me TVSH (pa përfshirë taksën e televizionit dhe konsumin e mjediseve të përbashkëta), nga 10,260 lekë që ishte më parë, ose 38% më shumë.
Nëse konsumi rritet në 1000 kwh në muaj, fatura finale do tëjetë 19,200 lekë, nga 11,400 lekë që është sot, ose 68% më shumë.
Më tej, për çdo 100k Kwh më shumë energji të konsumuar, fatura do të vazhdojë të rritet me 5040 lekë të tjera./Monitor