Policia ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e sotme në postin e Durrësit.

Kujtojmë se një sasi e madhe parash të padeklaruara janë zbuluar në një autobus që vinte nga Italia në portin e Durrësit ditën e sotme.

Burime për BalkanWeb bëjnë me dije se në autobusin që erdhi nga Italia me anë të një trageti është gjetur shifra prej 500 mijë eurosh.

Sipas gazetares Klodiana Haxhiaj autobusi mbërriti nga qyteti i Barit dhe gjatë kontrollit të policisë kufitare janë gjetur paratë e fshehura në pako të ndryshme brenda strukturës metalike të autobusit.

Njoftimi i policisë: 

Durrës/Informacion paraprak.

Në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës.

Si rezultat i informacioneve dhe kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plasmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro.

Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.

Në përfundim të veprimeve do të japim informacion të plotë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb