Teksa Edi Rama mbajti në Kuvend një fjalim të gjatë prej 56 minutash ku lëshoi 62 fraza fyese në drejtim të opozitës duke risjellë dhe citime të mendimtarëve të viteve 20-30, Faik Konica dhe Mit’that Frashëri, për analistin Artur Zheji kryeministri harroi një detaj.
I ftuar në emisionin ‘Pikat mbi I’ në ‘News24’, Zheji tha se këta mendimtarë e shkrimtarë nuk kanë qenë kurrë në pushtet, në kohën kur jetuan, ndërsa theksoi se Rama e vendosi veten sikur të ishte në opozitë teksa iu kundërpërgjigjej akuzave për portin e Durrësit.
“Kjo është koha e betejës verbale dhe e peshimit shumë i madh te forca e fjalës. Rama përdor dhe ngre nga varri Mit’that Frashërin dhe Konicën, por harron që ata nuk kanë qenë kurrë në pushtet, në një farë mënyre. Kanë qenë të degdisur, të përzënë nga pushtetet e kohës. Ndërkohë ai është në pushtet. Merr hua verbin e njerëzve që kanë qenë në opozitë me mbretin Zog, apo Esat Pashë Toptanin dhe e kanë fituar mbretërit apo Esatët betejën e Shqipërisë. Por ky është vetë kaluar mbi kalë, në pushtet, dhe merr hua pozicionin brilant të Frashërit dhe Konicës dhe e vesh si kostumin e vetë dhe e ndjen veten se është një opozitë me një opozitë që përfaqëson të kaluarën, kurse ai është progresi. Kjo është lojë retorike që e luan shumë mirë, është mjeshtër për këtë. Është aty ku është falë kësaj. Të biesh në këtë betejë, beteja ose del baras, ose fiton ai. Ndaj opozita duhet të bëjë betejë institucionale, gjejë forma të tjera, vazhdo me investigimin në prokurori, fut në lojë SPAK. Fut dosje të stivosura dhe jo fjalime. Dosje në SPAK, në Kushtetuese, në BE, në çdo instancë. Opozitarizëm efikas me denoncime dhe investigime. Se me fjalime palët janë mirë. Ndaj më duket e pamjaftueshme.”, tha Zheji.
(BalkanWeb)