Një superjaht prej 200 milion dollarësh në pronësi të Viktor Medvedchuk, një oligark dhe mik i Vladimir Putin i cili është nën sanksione, do të shitet në ankand pas kapjes së tij në Kroaci në fillim të këtij viti.

Qeveria ukrainase tha se një gjykatë kroate kishte vendosur që jahti Royal Romance 92.5 metra i gjatë i Medvedchuk duhet t’i transferohej Agjencisë ukrainase të Rimëkëmbjes dhe Menaxhimit të Aseteve, e cila tha se do të “ruante vlerën ekonomike duke e shitur atë në ankand”.

Kjo do të ishte shitja e parë e tillë në emër të popullit të Ukrainës që kur qeveritë perëndimore vendosën kufizime në asetet e qindra oligarkëve pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt.

Medvedchuk, 68 vjeç është një politikan ukrainas pro-Kremlinit i cili u arrestua në Ukrainë në prill dhe iu dorëzua Rusisë në një shkëmbim të burgosurish në shtator.

Agjencia ukrainase e Rimëkëmbjes, një degë e posaçme e qeverisë e ngarkuar me “gjetjen, gjurmimin dhe menaxhimin e aseteve që rrjedhin nga korrupsioni”, tha se agjentët e saj kishin fluturuar në Kroaci dhe “inspektuan jahtin e arrestuar që i përkiste anëtarëve të familjes së një deputeti të popullit dhe një drejtuesit e një force politike të ndaluar në Ukrainë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb