Përfundoi me një shpërthim shumë të fuqishëm ditën e diel, sulmi i paligjshëm i qeverisë mbi “Prestige Resort”. Plot 70 kilogram eksploziv iu vunë hotelit 7 katësh të resortit më të bukur të bregdetit të Adriatikut, për ta shembur përtokë. U deshën vetëm pak sekonda që një investim disavjeçar, mundi dhe puna e shumë njerëzve, destinacioni i pushimit të mijëra të tjerëve, të ktheheshin në një grumbull gjigant inertesh.
Që nga e enjtja kur nisi sulmi i paprecedentë dhe deri pak orë para kryerjes së shpërthimit, IKMT nuk kishte njoftuar asgjë mbi veprimet e saj të paligjshme në resort. Vetëm në mesditën e së dielës, IKMT njoftoi se do kryente shpërthimin e kontrolluar në ndërtesë. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm saqë është dëgjuar në gjithë Durrësin e më gjerë, dhe banorët e zonës përreth thanë për News 24 se shtëpitë e tyre u drodhën si nga një tërmet.
Inspektoriati njoftoi se kishte hapur 730 vrima në trupin e 7 katëshit dhe kishte shtruar 4 000 metra linear fitil, për të lidhur 70 kilogramët e eksplozivit dhe për këtë forcat e xhenios punuan me intensitet edhe netëve për të arritur objektivin e kërkuar.
Shkatërrimi i hotelit me tritol ndodhi pak orë përpara se gjykata administrative Durrësit të shqyrtonte kërkesën e kompanisë “Erioni SHPK” për pezullimin e shembjes së hotelit deri në shqyrtimin me themel të saj. Por ashtu siç parashikohej, Dallëndyshe Bici, e cila me firmën e saj ka vërtetuar lejen e ndërtimit të resortit, kishte marrë urdhër të prerë për shembjen e shpejtë. Gjatë gjithë këtyre ditëve ajo iu bënte presion vartësve të saj, që ndërtesa të rrafshohej para së hënës.
Të gjithë punonjësit e IKMT, Policisë së shtetit, Forcat e Ushtrisë dhe forcat Xhenio janë shprehur se janë të urdhëruar me forcë për të bërë këtë aksion dhe se janë të ndërgjegjshëm për paligjshmërinë e veprimeve të tyre, porse nuk kanë rrugë tjetër.
Që kur nisi sulmi i paprecedentë ndaj “Prestige Resort”, në pronësi të Hysenbelliu Group, përfaqësuesit e kompanisë paralelisht me gjykatën iu drejtuan me një shkresë zyrtare edhe drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, duke i kërkuar të ndalojë aksionin, deri sa organet e drejtësisë të flasin. Shoqëria “Erjoni Sh.P.K” i cilëson abuzive dhe të paligjshme veprimet e IKMT në “Prestige Resort”, dhe thekson se institucioni i drejtuar nga Dallëndyshe Bici ka konsumuar disa vepra penale.
Ishte trishtuese të shihje sesi shembej një godinë aq e bukur dhe luksoze, por më trishtuese është kur mendon se në vitin 2022 në Shqipëri shkatërrohen vepra të bukura të ndërtuara me mund e pasion.