Ish-prokurorja Antoneta Sevdari ka fituar procesin me qeverinë në Gjykatën e Strasburgut. Sevdari u shkarkua në kuadër të procesit të vettingut.
Strasburgu theksoi se ne lidhje me rastin e Sevradit ka shkelje te nenit 8 dhe se shkarkimi nuk ka qene proporcional. Pavarësisht se Sevdari kaloi shkallën e parë të vettingut dhe u zgjodh anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prokurorja u shkarkua nga detyra nga KPA.
Por Sevdari nuk u ndal me kaq, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut.
PROCESI I VETTINGUT
Vendimi për shkarkimin e Sevdarit u mor pas përballjes së saj me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik kërkoi rihapjen e hetimit për të.
Prokurorja Sevdari kaloi pa probleme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por Komisioneri Publik deklaroi se vendimi i Shkallës së Parë është marrë pa u bërë fillimisht një hetim i thelluar të paktën në dy kritere.
Me sa duket pasuria e bashkëshortit të saj solli edhe verdiktin final. Por në seancën e fundit drejtuesi i trupit gjykues të KPA-së bëri të ditur se për prokuroren ishte bërë një denoncim i ri në datën 5 shkurt nga një shtetas i quajtur Aleksandër Marku.
Sevdari e ka filluar karrierën si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës në vitin 2002 dhe në vitin 2013 ajo është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka qenë pjesë e task-forcës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.
Prokurorja Antoneta Sevdari kishte një pasuri të deklaruar prej 4.4 milionë lekë në vitin 2003 – kur deklaroi për herë të parë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në fund të vitit 2017 pasuria familjare e Znj. Sevdari kap një vlerë prej 20.2 milionë lekë, duke regjistruar një rritje të pasurisë bruto me 4.6 herë. Rritja e mesatare e pasurisë së çiftit Sevdari ka qenë 1.1 milionë lekë në vit.
Pasuria e Znj. Sevdari përbëhet nga pasuri të paluajtshme në vlerë 16.5 milionë lekë, pasuri të luajtshme në vlerë 1.5 milionë lekë, likuiditete në bankë në vlerë 600 mijë lekë dhe likuiditete në cash në vlerë 1.5 milionë lekë.
Pasuritë e paluajtshme konsistojnë në një shtëpi banimi të ndërtuar pa leje në vitin 2001-2002 me vlerë 3 milionë lekë në Durrës dhe legalizuar në vitin 2013 kur zotëron 25%, me burim të ardhurat familjare dhe të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni. Një apartament me vlerë 97,500 euro dhe sipërfaqe 101 m2, plus 12 m2 ambiente të përbashkëta dhe një tokë truall në fshatin Yzberisht në Tiranë.
Të ardhurat e familjes Sevdari gjatë periudhës 2003-2017 kapin prej afro 57.8 milionë lekë, ku 29.4 milionë lekë ose 49.3 % vijnë nga aktiviteti i bashkëshortit si person fizik, 14.8 milionë lekë ose 29.4 % nga paga dhe shpërblimet e subjektit, 6.3 milionë lekë ose 10.5 % nga pagat e bashkëshortit dhe 15.3 % nga të ardhurat e tjera.
(BalkanWeb)