Gazetari Luan Rama me anë të një postimi në Facebook ka shprehur urimin e tij për 90-vjetorin e ditëlindjes së aktores Tinka Kurti teksa e ka konsideruar atë si më të madhen dhe të papërsëritshme.

Rama shkroi se ashtu si popujt me tjerë mburren me emra si Greta Garbo, Elizabeth Taylor, Sophia Loren, Ingrid Bergman, Claudia Cardinale, Marilyn Monroe e shumë të tjera, Shqipëria mund të mburret me emrin e Tinka Kurtit.

Postimi i plotë:

Sot 90 vjeç:
MË E MADHJA,
E PAPËRSËRITSHMJA,
TINKA JONË
Në 17 dhjetorin e nëntëdhjetë viteve më parë, erdhi në jetë më e madhja, e papërsëritshmja Tinka jonë.
Pa asnjë dyshim artiste e nivelit botëror.
Me forcën e jashtëzakonshme të talentit të madh që zotëron, me kulturën e gjerë dhe pasionin deri në përkushtim, Tinka Kurti ka bërë art të madh, ka mbërritur lartësi mitike dhe sot, me gjithë magjinë e veprës së vet ikonike, është ndër ne vetë historia e gjallë dhe e magjishme e teatrit dhe kinematografisë kombëtare.
Artistë me madhështinë e Tinka Kurtit nuk lindin shpesh.
Për teatrin dhe kinemanë shqiptare ka qenë fat dhe bekim që e kanë patur dhe e kanë dhe ne shqiptarët duhet të mburremi me këtë fakt, njësoj siç mburren grekët me Irenë Papas-in e tyre apo të gjithë popujt e tjerë që i kanë dhënë botës emra të mëdhenj si Greta Garbo, Elizabeth Taylor, Sophia Loren, Ingrid Bergman, Claudia Cardinale, Marilyn Monroe e shumë të tjera.
Ndaj sot, në 90-vjetorin e lindjes së Tinka Kurtit, ne të gjithë duhet të themi me mirënjohje:
Faleminderit Tinka jonë e madhe për artin, dashurinë, shpirtin dhe mirësinë që na ke falur me aq bujari!
Gëzua dhe jetë të gjatë për të mbërritur dhe kapërcyer një shekull jetë!
Të paçim moj fisnike!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb