Zbardhet marrëveshje e koalicionit e lidhur dje mes Partisë Demokratike dhe PBDNJ-së. Ishte pikërisht kryedemokrati Sali Berisha që firmosi këtë marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit me Vangjel Dulen.
Siç shihet dhe në dokumentin e mëposhtëm, në marrëveshje specifikohen pikat ku do të fokusohet bashkëpunimi mes dy partive.
MARRËVESHJE PËR ZGJEDHJET VENDORE TË 14 MAJIT 2023, NDËRMJET PARTISË DEMOKRATIKE DHE PARTISË BASHKIMI PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Sot, me datë 25 janar 2023, ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, firmosim marrëveshjen që vijon, pas konstatimit se Shqipëria është në momente kritike:
I.për shkak të korrupsionit shkatërrimtar;
II.të asgjësimit të pluralizmit politik në nivel vendor;
III.të shpopullimit masiv dhe tragjik;
IV.të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin;
V.të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe korrupsioni.
Në këto kushte, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (në vijim PBDNJ), dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.
VENDOSIN:
1.Partia Demokratike e Shqipërisë dhe koalicioni i drejtuar prej saj do të mbështësë kandidatët për kryetar bashkie të propozuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në zonat zgjedhore Bashkitë Himarë, Dropull dhe Finiq.
Kandidatët përkatës do të konsiderohen kandidatë të koalicionit opozitar dhe do të përfaqësojnë alternativën e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 14. 05.2023 në të njëjtën mënyrë, formë dhe mbështetje me kandidatët e tjerë të kolaicionit të përzgjedhur nëpërmjet procesit të primareve të organizuara nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
2.Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut angazhohet të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të Partisë Demokratike dhe koalicionit të drejtuar prej saj, në të gjitha zonat e tjera zgjedhore, bashkitë e vendit përveç atyre të përmendura në pikën 1.
3.Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, në të gjithë territorin e vendit, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.
4.Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve, gjelbërimit të qyteteve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
(BalkanWeb)