TIRANË

Çështja “McGonigal” është kthyer në temë të diskutimeve dhe debateve të fundit në politikën dhe publikun shqiptar. Në emisionin “Open” në News24, kryeredaktori i BIRN, Besart Likmeta foli për dëshminë e ish-të dashurës së McGonigal, nga ku thuhet se ka nisur dhe hetimi i FBI për ish-agjentin, si dhe për informacionet e publikuara deri më tani për këtë çështjes.

Likmeta tha se nuk e dimë nëse ka qenë kjo indicie që e ka shtyrë FBI të hapë një hetim ndaj ish-agjentit të tyre dhe foli dhe për rrethana të tjera.

Ai theksoi më tej se Business Insider, ka publikuar një shkrim para disa muajsh ku tregonte një lloj kërkese nga grand juri, ose gjykata për të dhënë dokumente dhe informacione që lidheshin midis kryeministrit të Shqipërisë, McGonigal dhe dy personave që dyshohet që janë Personi A dhe Personi B, Agron Nezaj dhe Dorian Duçka.

Likmeta: Janë detaje të raportuara nga një botim amerikan që ka intervistuar zonjën Guerriero, ne nuk kemi që t’i vertetojmë si media shqiptare sa të vërteta janë.

Mund ta ketë dërguar këtë email në kushtet e xhelozisë, ose një dëshire për t’u hakmarrë ndaj partnerit të saj, por nuk e dimë nëse ka qenë kjo indicia që e ka shtyrë FBI të hapë një hetim ndaj ish-agjentit të tyre.

Ka dhe rrethana të tjera sa i përket kontakteve të agjentit McGonigal me oligarkun rus Deripaska, ose persona të lidhur me Deripaskan. Ka pasur një deklarim në departamentin e Drejtësisë nga një nga këta persona për sa i përket kontakteve që ka pasur me McGonigal dhe një pjesë të lobimit që është bërë. Gjithashtu ka pasur dhe një shkrim të Neë York Times që fliste për mënyrën se si McGonigal ka siguruar një stazh për vajzën e një ish-diplomati rus në Policinë e Neë York-ut dhe aty ka ngjallur dyshime sepse ajo i ka dëshmuar ose i ka treguar një pjese të oficerëve aty se kishte akses në dosjet e FBI-së. Njëri nga policët e ka raportuar një fakt të tillë duke e gjetur të dyshimtë se si mund të kishte një vajzë kaq e re dhe e huaj akses te dokumentet e FBI-së.

Ajo (Guerriero) kishte një lloj informacioni bazë që McGonigal kishte të bënte me shtetas shqiptarë, që ai udhëtonte në Shqipëri dhe kjo nuk bëhet tërësisht e qartë nga shkrimi i Business Insider sepse Business Insider në këtë rast nuk është aq i interesuar për pjesën shqiptare, por do të tregojë origjinën ku mund të ketë ardhur ky lloj denoncimi.

Business Insider, i njëjti gazetar ka publikuar një shkrim para disa muajsh ku tregonte një lloj kërkese nga grand juri, ose gjykata për të dhënë dokumente dhe informacione që lidheshin midis kryeministrit të Shqipërisë, McGonigal dhe dy personave që dyshohet që janë Personi A dhe Personi B, Agron Nezaj dhe Dorian Duçka.

Me rregull treshi mund të mendojmë se personi që mund t’ia ketë dhënë këtë dokument ka qenë e dashura e ish-agjentit të FBI.

Kjo histori është e ndërtuar si një triller. Po të mendosh detajet që kanë dalë, jam i sigurt që në Hollivud dikush është duke ndërtuar një skript për ta kthyer në një film. Është shumë e rrallë që në SHBA një agjent i tillë të përfshihet në këto lloj skandalesh. Mund t’i numërosh me gishtat e një dore agjentët e FBI-së të këtij niveli që janë arrestuar gjatë 30-40 e fundit.

Detajet që lidhen me tradhti bashkëshortore, me para që shkëmbehen në parkingje nëntokësore, me qindra mijëra dollarë në cash, agjentë sekretë shqiptarë, oligarkë rus, të siguroj që dikush do shkruajë një libër.

Klodiana Lala: Udhëtime të padeklaruara, takime me zyrtarë të Shqipërisë, dreka dhe darka në zona të ndryshme të veriut, biznes po ashtu në Shqipëri. Të gjitha këto e bëjnë këtë histori interesante. Ai është një hetim që është duke vijuar, mund të dalin detaje të tjera në dritë. Ajo që ne duhet të na interesojë është se si një ish-agjent i FBI-së bëri bashkë të gjithë parinë shqiptare, ka drekuar me ministra, me kryetarë bashkie, ka marrë titullin qytetar nderi, u bë aksioner i një studioje.

Likmeta: Artikulli i BIRN ka qenë për lobimin për paratë që PD ka paguar për të siguruar një foto me Trump, ku një pjesë deklarohet se ka ardhur nga një kompani off shorë.

Nuk kemi raportuar që janë para ruse pasi nuk mund ta vërtetonim, por ishte një klimë në SHBA atë kohë ku media kishte një interes që të lidhte çdo gjë me ndikimin rus. Një gjë ka humbur nga vëmendja, më e rëndësishme që duhet të hetonte prokuroria jonë, është që ka ardhur të lobojë kryeministrin shqiptar për llogari të një kompania nafte. Ka një dyshim që një i akuzuar si agjent i korruptuar i FBI ka ardhur në vendin tonë për të ndikuar kryeministrin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb