Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka ironizuar sanksionet ekonomike perëndimore të vendosura ndaj vendit të tij dhe Zimbabve, duke thënë se ato ishin në fakt një “bekim” që nxiti tregtinë midis tyre.

Këtë koment Lukashenko e bëri gjatë një vizite që zhvilloi në Zimbabve, ku takoi homologun e tij, Emmerson Mnangagëa.

“Sanksionet kundër Bjellorusisë dhe Zimbabve nuk janë  thjesht një mallkim, por një bekim, sepse pa to Zimbabve mund të kishte vazhduar të kërkonte të tregtonte me Perëndimin duke shitur burimet natyrore”, tha Lukashenko gjatë konferencës për shtyp në kryeqytetin e Zimbabve, Harare.

“Për shkak të sanksioneve, Zimbabve po tregton me Bjellorusinë dhe ne jemi të lumtur për këtë”, theksoi ai, duke thënë se ishte i gatshëm t’i siguronte vendit të Afrikës së Jugut “çfarëdo që i nevojitet”.

Bjellorusia ka dorëzuar qindra traktorë në Zimbabve vitet e fundit, me vlerë 61 milionë euro, si pjesë e një programi për të mekanizuar sektorin e saj bujqësor.

Lukashenko është një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin dhe mbështet pushtimin rus të Ukrainës. Në pushtet për gati 30 vjet, ai ka shtypur protestat kundër tij dhe rizgjedhjes në vitin 2020, pas akuzave për mashtrim.

Mnangagëa erdhi në pushtet në vitin 2017 pasi një grusht shteti ushtarak rrëzoi paraardhësin e tij Robert Mugabe, president që nga viti 1987.

I akuzuar për korrupsion, shkelje të të drejtave të njeriut dhe goditje ndaj kundërshtarëve politikë, ai kandidon për rizgjedhje këtë vit.

Partia e tij, Zanu-PF, ka qenë në pushtet për 43 vjet. Në vitin 2021, Programi i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), një konsorcium gazetarësh hetues, zbuloi lidhjet midis familjes Lukashenko dhe një projekti të minierës së arit në Zimbabve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb