Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar tenori me famë botërore Josif Gjipali. Edhe pse ka një karrierë të suksesshme ndërkombëtare e ka arritur të ngjitet në skenat më të rëndësishme të botës, Josif Gjipali rrëfen se në Shqipëri shpesh nuk është ndjerë i vlerësuar.
Tenori rrëfeu se në fillimet e tij ka patur nga ata që nuk kanë besuar te talenti i tij. Gjipali kujtoi se gjatë vitit të tij të parë në Akademinë e Arteve kishte profesorë të tij që janë shprehur se “ky çdo gjë mund të bëhet, vetëm këngëtar i operas jo”.
Josif Gjipali nuk nguroi të tregonte raste konkrete edhe pse theksoi se ai vetë nuk e ka problem nëse vlerësohet apo jo, pasi ai ka rrethin e vet ku jep dhe merr dashuri.
Profesori theksoi se në vendin tonë ekziston një ngërç institucional. Prej 8 vitesh jep mësim në Akademinë e Arteve dhe sot Josif Gjipali është vetëm “asistent-lektor”. Gjipali u shpreh se edhe pse ishte vendim i mirë bllokimi i titujve, pasi po abuzohej me to, në rastin e tij duhej të bëhej një përjashtim pasi shumë në atë Akademi kanë pozicione më të larta ndërkohë që nuk kanë karrierën e tenorit.
Ndërkohë Josif Gjipali ka konkurruar dy herë për drejtor të Teatrit të Operës dhe Baletit, dhe në lidhje më këtë pozicion ai u shpreh se nëse të gjithë të tjerët do të përfitonin nga kostumi i drejtorit, në rastin e tij do të ndodhte e kundërta. Josif Gjipali tha se do të ishte i gatshëm të rikandidonte, pasi për të është çështje pasioni.
Një tjetër rast që tenori tregoi në studio ishte se nëse për një shfaqje Trovatore në teatrot botërorë ai merrte 10 mijë euro, në Shqipëri edhe pse kërkoi 8 mijë euro për 4 shfaqje sërish nuk ia dhanë, duke i ofruar vetëm 2. Ai tregoi se për të njëjtin rol morën një tenor italian me pagesa dhe shpenzime shumë më të larta sesa ato që kërkoi ai. “Tenori që e këndoi këtu në Bari nuk e bëri dot, këndova unë atje, kurse në shtëpinë time e bëri ai”.
Gjatë bisedës tenori theksoi gjithashtu se pesha e artistëve në ditët e sotme ka rënë, ndryshe nga sa më parë ku fjala e tyre mund të lëvizte masën, sipas tij këtë gjë sot e bën vetëm politika.
(BalkanWeb)