Tenori me famë botërore Josif Gjipali ishte i ftuar në programin “Dola te Ola” këtë të diel, ku foli mjaft për jetën e tij profesionale.
Josif Gjipali tregoi se 7 vitet e para ka studiuar për violinë, ndërkohë që ka qenë solist në Festivalet e Pionierëve që zhvilloheshin në qytetin e tij të lindjes në Vlorë, si dhe merrte pjesë edhe në Festivalet Kombëtare në Shkodër, ku shpesh ka marrë çmime si fitues.

Tenori tregoi se e ka patur pasion muzikën, por edhe prindërit e tij kanë patur një ndikim të jashtëzakonshëm, pasi kanë qenë gjithmonë mbështetës ndaj rrugëtimit të tij. Josifi zbuloi se i ati kishte një merak të madh që ai të vazhdonte shkollën pasi mendonte se këngëtar mund të bëhej edhe më vonë, dhe në këtë mënyrë Josifi filloi studimet për inxhinieri elektrike, të cilat i ndërpreu pasi e kuptoi se rruga e tij e vetmja dhe e duhura ishte muzika.
“Këngëtar lind. Kam kënduar tërë jetën. Ka qenë pasioni më i madh i jetës sime”, tha tenori teksa gjatë bisedës zbuloi se një nga operat e tij të preferuara është Trovatore. Ndërkohë i pyetur se në cilat nga skenat e shumta që ka performuar ndihet si në shtëpi, ai tha se në teatrot italiane, edhe për faktin që opera ka lindur në Itali.
Përgatitja për një shfaqje të muzikës lirike zgjat 10 ditë prova regjie dhe 10 ditë prova muzikore, ndërkohë për studimin individual profesori tha se nuk mbaron gjithë jetën. “Muzika lirike nuk është një profesion por është një mënyrë jetese. Është një art që duhet të jetosh me të”, u shpreh ai. Josif Gjipali theksoi se idhulli i tij ka qenë dhe mbetet Luçiano Pavarotti, jo vetëm për bukurinë e zërit por edhe për pastërtinë dhe klasin e interpretimit.

Josif Gjipali është baba i dy fëmijëve një vajze, e cila studion për stomatologji, dhe një djali i cili “ka lindur për të kënduar” dhe me siguri do të ecë në hapat e të atit.

Momente shumë të bukura dhe emocionuese në studio ishin kur tenori me famë botërore këndoi në studion e “Dola te Ola”. Mbrëmja nuk mund të mbyllej më mirë se sa me interpretimin e shkëlqyer të këngës “Parla piu piano” nga Josif Gjipali dhe Endri Prifti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: