Megjithëse kohët e fundit ka përparim, shumë lesbike, homoseksualë, biseksualë, persona trans dhe interseks ende shqetësohen se zbulimi i seksualitetit të tyre në punë do të ketë pasoja negative. Për shkak të diskriminimit të kombinuar me mungesën e mbrojtjes në vendin e punës, mungesën e sigurimeve, përfitimeve, taksimin e pabarabartë në vendin e punës, shkolla të pasigurta me burime të pamjaftueshme, personat LGBTI mund të përballen me nivele jashtëzakonisht të larta të papunësisë dhe varfërisë.
Gjithashtu, zbulimi i identitetit mund të ketë ndikime të dëmshme në shëndetin, lumturinë dhe produktivitetin e tyre. Por çfarë mund të bëjnë sindikatat, institucionet përgjegjëse, bizneset, organizatat e shoqërisë civile (OSHC-të) dhe aktorët e tjerë për të mbështetur punonjësit LGBTI?
Këto ishin pikat e diskutimit të trajnimit dy-ditor që u mbajt për herë të parë në datat 8-9 shkurt në Tiranë, me pjesëmarrjen e sindikatave, organizatave dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Trajnimi i mbështetur nga Qendra e Solidaritetit për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut u organizua nga Qendra e Solidaritetit së bashku me shoqatën ERA-LGBTI për të Drejtat e Barabarta për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Në këtë aktivitet morën pjesë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPSH), Konfederata e Sindikatave të Pavarura (KSSH), Sindikata e Pavarur e Arsimit (SPASH), Sindikata e Arsimit dhe Shkencës (FSASH) të Shqipërisë; Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SONK) dhe Konfederata e Sindikatave të Pavarura dhe Autonome (UNASM) të Maqedonisë së Veriut, Sindikata Nezavisnost nga Serbia; Open Mind Spectrum Albania (OMSA), Aleanca kundër Diskriminimit LGBT, Qendra Streha dhe organizata ARSIS.
Përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile të pranishëm në aktivitet ishin aktivistë të komunitetit rom, gazetarë, mësues, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ambasada Amerikane në Tiranë.
Të ftuar në këtë aktivitet, ishin gjithashtu, Jerame Davis, Drejtor Ekzekutiv i organizatës Krenaria në Punë, Gabbi Pierce përfaqësuese e Punëtorëve të Komunikimit të Amerikës dhe Brittani Murray, e cila punon për të Drejtat Civile dhe të Njeriut me sindikatën e Punonjësve të Bashkuar të Celikut, të cilët u lidhën përmes Zoom.
Pjesëmarrësit mësuan një sërë konceptesh të reja; si të drejtat LGBTI janë të drejta të njeriut; dhe të drejtat e punëtorëve janë të drejtat e komunitetit LGBTI dhe duhet të respektohen dhe mbrohen; ata mësuan gjithashtu mbi rëndësinë e lirisë së organizimit dhe fuqinë e sindikatave dhe negociatave kolektive për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve historikisht të margjinalizuar.
Komuniteti LGBTI përballet me stigmën dhe diskriminimim gjatë intervistave të punës ose në vendin e punës për shkak të orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor. Ndaj përfaqësuesit e sindikatave përmendën rëndësinë e sindikalizimit dhe përfitimet nga kontratat kolektive për të mundësuar punë të denjë për punonjësit LGBTI dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Marrja e hapave drejt krijimit të një kulture parandaluese/mbrojtëse për të drejtat e punëtorëve LGBTI kërkon kohë, por ka gjithmonë një pikënisje. Në konkluzionet e takimit u tha se sindikatat mund të përgatisin/të ofrojnë sesione dhe materiale informative, edukative dhe komunikuese mbi të drejtat e punëtorëve LGBTI; ata mund të organizojnë fushata ndërgjegjësuese për një vend pune më gjithëpërfshirës; dialogu social mund të ndërtohet me prindërit dhe mësuesit përmes këshillave të prindërve.
Nëpërmjet aplikacionit të saj në celular, sindikata shqiptare SKOT ka përvojë në trajtimin e barazisë gjinore.
Ky aplikacion mund të përdoret gjithashtu për të ndriçuar mendjet e kompanive dhe punonjësve për të drejtat e punonjësve LGBTI në vendin e punës. Disa studime tregojnë se hartëzimi i nevojave të punonjësve përmes anketave është një metodë dukshëm më ekonomike për të demonstruar mbështetje dhe hapje nga ana e punëdhënësit, duke përcjellë gjithashtu një mesazh se kompania është serioze për të adresuar diversitetin dhe dëshiron të përparojë.
Sindikatat theksuan gjithashtu se krijimi i një klime gjithëpërfshirëse në vendin e punës do të jetë një hap i madh i hedhur në drejtimin e duhur për këdo, pavarësisht nga seksualiteti i tij dhe mund të jetë një nxitje që e bën dikë të ndihet rehat për të treguar hapur seksualitetin e tij. Sindikatat gjithashtu mund të ftojnë punonjësit LGBTI të marrin pjesë në aktivitete lokale dhe kombëtare si një mundësi për rrjetëzimin dhe promovim të të drejtave të tyre.
Organizatat e Shoqërisë Civile kanë organizuar disa sondazhe me komunitetin LGBTI në lidhje me punësimin, diskriminimin në punë, gjuhën e urrejtjes, ngacmimin në vendin e punës, etj. Në përfundim u konkludua se organizatat e Shoqërisë Civile duhet të vazhdojnë këtë bashkëpunim me sindikatat, i cili është i nevojshëm për të shkëmbyer informacion dhe mbështetje duke krijuar një rrjet që është në interes të të dyja palëve.
“Të dyja palët duhet të punojnë ngushtë me njëra-tjetrën për të luftuar për paga, kushte pune, standarde më të mira shëndetësore, sigurie dhe mbrojtje kundër diskriminimit në vendin e punës, pra për të njëjtin interes dhe për përfitim reciprok”, u deklarua në takim. Pjesëmarrësit ranë dakord që ky trajnim do të pasohet nga trajnime, takime dhe aktivitete që do t’i shërbejnë kauzës së mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve LGBTI dhe do të forcojnë rolin e sindikatave në këtë kauzë.
“Mundësitë për të punuar së bashku dhe për të promovuar diversitetin dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve LGBTI janë të shumta, por ndryshimi nuk do të vijë brenda natës. Për më tepër, komuniteti LGBTI duhet të trajtohet me dinjitet – duke përfshirë edhe vendin e punës – dhe jo të përjetësohet një botë që në mënyrë aktive u shkakton dëm punonjësve LGBTI, familjeve dhe komuniteteve të tyre. Aftësia për të pranuar individët ashtu siç janë, dhe jo për faktin se kë dashurojnë, është thelbësore. Ndryshimi do të vijë pasi kjo të pranohet”, thanë pjesëmarrësit.