Mëngjesin e 13 gushtit 2020, Edlira Koça priste që i biri të dilte nga spitali kryesor i COVID-19 në Tiranë dhe të kthehej i shëndetshëm në shtëpi, por mori lajmin e kobshëm të vdekjes.
Mjekët kishin vlerësuar se Xhino, 29 vjeç, e kishte kaluar rrezikun nga virusi SARS-CoV-2, por atë mëngjes ai i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë i pavijonit ku po kurohej në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.
Dy vjet e gjysmë më pas, arsyet që e shtynë drejt vetëvrasjes vazhdojnë ta torturojnë nënën e tij.
“Dy ditëve të fundit i ndodhi diçka, nuk e di se çfarë ka parë apo se çfarë ka ndjerë”, thotë Edlira Koça në shtëpinë e saj në qytetin e Durrësit.
“Xhino ankohej se nuk e zinte gjumi dhe i merrej fryma, kishte dy ditë që nuk flinte gjumë. Por mjekja më tha që s’ka asgjë, është psikologjike”, shtoi ajo, duke kujtuar se i kishin thënë gjithashtu se djalin e kishte “të llastuar”.
Neglizhenca e problemeve psikologjike dhe e pasojave të tyre në shëndetin mendor është mjaft e përhapur në Shqipëri, por vetëvrasja e Xhino Koçës e tronditi besimin te sistemi shëndetësor gjatë pandemisë.
Njëherazi, ngjarja shërbeu si kambanë alarmi për pasojat që COVID-19 po shkaktonte mbi shëndetin mendor të shqiptarëve, efekte që sipas mjekëve psikiatër, do të vazhdojnë të ndjehen gjatë.
“Pandemia ishte një sulm i papritur virusal dhe si të tillë e gjeti të papërgatitur edhe shëndetin tonë mendor. U vu re një trend, i cili rezultoi në një krizë globale për shëndetin mendor, duke ushqyer kështu stresin akut dhe atë kronik. Pra stresin afatgjatë dhe atë afatshkurtër”, thotë Arjana Rreli, mjeke psikiatre prej 30 vitesh në shërbimin ambulator në Tiranë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se pandemia e COVID-19 e rriti me gati 15% numrin zyrtar të pacientëve që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, ndërkohë që vendi vazhdon të ketë kapacitete të limituara për t’u përballur me këto probleme.
Ministria e Shëndetësisë i tha BIRN se po i adreson pasojat e COVID-19 në shëndetin mendor me hartimin e disa strategjive, mes të cilave edhe strategjia kombëtare e shëndetësisë 2021-2030.
“Gjithashtu po hartohet Plani i Veprimit të Shëndetit Mendor 2023-2026, i cili do të ketë në fokus fuqizimin e shërbimeve të shëndetit në përballje të sfidave të lidhura me pandeminë e COVID-19″, shtoi Ministria.
Mungesë kapacitetesh
Shqipëria shënon rekordet më të ulëta në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor për numrin e mjekëve psikiatër dhe punonjësit specialistë të shëndetit mendor.
Sipas Atlasit të Shëndetit Mendor 2020, një raport krahasues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria ka 1.6 mjekë psikiatër dhe 13.6 specialistë të shëndetit mendor për 100 mijë banorë; shifra disa herë më të ulëta se Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Bosnje dhe Hercegovina.
Raporti i OBSH vlerëson gjithashtu se vendi investon pothuajse asgjë në studime shkencore për shëndetin mendor dhe nuk ofron të dhëna mbi kapacitetet humane dhe financiare për zbatimin e planeve në fuqi të veprimit për këtë fushë.
Në mars të vitit 2022, OBSH u bëri thirrje vendeve që të merrnin masat e nevojshme për të garantuar shërbimet e shëndetit mendor, duke zbuluar gjithashtu mungesë historike të investimeve në këtë drejtim në shumë vende në zhvillim.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i personave të referuar se vuajnë nga probleme të shëndetit mendor u rrit nga 33 mijë e 900 në 40 mijë nga viti 2018 deri në fund të vitit 2021.
Në dispozicion të këtyre pacientëve janë 100 mjekë psikiatër; 43 prej të cilëve shërbejnë në spitalet publike dhe 57 mjekë të tjerë në shërbimin ambulator shëndetësor.
Ndërkohë, 2855 pacientë rezultojnë të shtruar deri më 30 nëntor 2022 në katër spitale të vendosura në Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe në shërbimin e Psikiatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Për t’u përballur me sfidën e shëndetit mendor, Shqipëria shpenzon rreth 1.1 miliardë lekë ose rreth 10 milionë euro në vit, sipas të dhënave të pjesshme që BIRN siguroi nga Ministria e Shëndetësisë.
Rreth 774 milionë lekë u shpenzuan në tre spitalet psikiatrike në Elbasan, Vlorë dhe Shkodër, ndërsa 381 milionë lekë shkuan për rimbursimin e barnave psikoleptike dhe psikoanaleptike që përdoren për trajtimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në Kujdesin Shëndetësor Parësor, jashtë shërbimit spitalor.
“Sa i përket shërbimit të psikiatrisë në Polin e Integruar të Neuroshkencës [QSUT]…ju bëjmë me dije se nuk ka një buxhet të dedikuar për të, pasi nevojat e këtij shërbimi përfshihen në fondin total të buxhetit të parashikuar për institucionin”, tha Ministria në një përgjigje me shkrim.
“Ferri zbriti në shtëpi”
Në qytetin e Beratit në jug të Shqipërisë, një 30-vjeçare që foli për BIRN në kushtet e anonimatit, u përball me ankthin kur e gjithë familja u infektua me COVID-19, në nëntor të vitit 2021.
Ajo humbi babanë nga komplikacionet e sëmundjes, ndërsa në të njëjtën kohë u detyrua të shtrojë edhe nënën në spital, pasi gjendja e saj po rëndohej.
“Kishte zbritur ferri në shtëpi”, kujton 30-vjeçarja, duke iu referuar frikës për jetët e njerëzve të dashur.
Ajo filloi të ndjente edhe vetë bllokime të frymëmarrjes, por mjekët e këshilluan “të mblidhte mendjen”.
Pasi shëndeti i nënës së saj u përmirësua, 30-vjeçarja iu drejtua një psikologeje për ndihmë.
“Unë kisha kaluar një traumë dhe kisha nevojë për trajtim, të cilin askush nuk mendoi që më duhej”, shtoi ajo.
Situata të tilla traumatike ishin të zakonshme anekënd Shqipërisë përgjatë dy viteve të rënda të pandemisë, ku mbi 330 mijë shqiptarë u infektuan dhe mbi 3500 prej tyre humbën jetën si pasojë e komplikacioneve.
Mjekët infeksionistë thonë se u përballën me shumë të panjohura, mes së cilës edhe me gjendjen e rënduar emocionale të pacientëve.
Servet Hyra, mjek familjeje në zonën e Shkozetit në Durrës, thotë se gjendja e ankthit ishte e gjithëpërhapur mes pacientëve.
“Kishte qytetarë që sapo flisje në telefon dhe i shpjegoje se si do ta vazhdonin mjekimin, të telefononin pas 1 minute dhe sërish të pyesnin ‘po sikur të më rritet temperatura?’. Kjo tregon se kishte frikë, stres, panik”, tha Hyra për BIRN.
Edhe mjeku infeksionist në Spitalin Rajonal Durrës, Beqir Gelaj, thotë se u përball me raste nga më të ndryshmet që reflektonin njëherazi komplikacione të sëmundjes dhe probleme të gjendjes emocionale.
Ai veçon rastin e një oficeri policie nga Durrësi, që pas infektimit me COVID-19 kishte tentuar dy herë vetëvrasjen në Spitalin Infektiv të Tiranës.
“Dua të theksoj se vetë sëmundja paraqiste çrregullime…ajo kishte ndikim veçanërisht te personat me probleme të shëndetit mendor dhe tek ata më të ndjeshëm”, shtoi ai.
Xhino Koça nuk ishte përballur më parë me probleme të ankthit dhe përshkruhet nga familjarët e tij si një djalë i qeshur, energjik dhe i përkushtuar në punën e tij si menaxher i një qendre thirrjesh telefonike, që ofronte shërbime për Italinë.
Në verën e vitit 2020, ai po shtynte gjithashtu përpara planet për të vazhduar studimet master në Kanada, për degën e Administrim Biznesit.
Edlira Koça kujton gjithashtu se ndryshe nga shumë të tjerë që u tronditën në periudhën e parë të pandemisë, familja e saj ishte e bashkuar dhe e lumtur.
“Periudhën e pandemisë e kemi kaluar si muaj pushimi, gatuanim, kemi parë filma…Ishim të gjithë bashkë, kalonim shumë mirë, kalon dhe qershori e jemi për bukuri…”, kujton ajo.
Pasi u infektua së bashku me të atin, Xhino u shtrua në Sanatorium me këshillën e një mjekeje, për shkak se sipas saj analizat treguan zmadhim të mëlçisë.
Nëna e tij dyshon se vdekja e të birit erdhi si rezultat i pakujdesisë.
“Jam 50% për mjekimin, pakujdesi, pa dashje sepse nën zë mjekët e kanë pranuar që as vetë nuk e dinin se çfarë jepnin dhe 50% ia vë anës psikologjike, mungesës së një psikologu, do të ishte evituar, javën që ka qenë Xhino nuk ka pasur asnjë psikolog”, thotë Koça.
Xhino Koça ishte një prej pesë pacientëve të infektuar me COVID-19, që i dhanë fund jetës duke u hedhur nga katet e larta të spitalit “Shefqet Ndroqi” apo Spitalit Infektiv.
Prokuroria nisi hetime për rastet, por katër prej tyre janë mbyllur pa asnjë konkluzion.
Çështja e Koçës është e vetmja që vazhdon të qëndrojë e hapur, por familjarët janë të zhgënjyer me zvarritjen e hetimeve.
“Jam e sigurt që duke mos gjetur asnjë shkak për të thënë që Xhino kishte probleme të shëndetit mendor dhe si pasojë ka kryer këtë akt, duke mos arritur që ta mbulojnë diellin me shoshë, të thonë që kjo gjë i ka ndodhur vetëm tre ditët e fundit në spital, ku Xhino ka shfaqur shqetësime dhe frikë”, komentoi nëna e Xhinos mbi ecurinë e hetimeve.
Qendra të pamjaftueshme
Ndërsa ekziston një konsensus mes ekspertëve mbi efektet e mëdha që pandemia shkaktoi mbi shëndetin mendor, studimet kanë munguar dhe pasojat reale në Shqipëri janë ende të paqarta.
Sipas psikologes Marta Bej, studimet sasiore dhe cilësore mungojnë për të arritur në konkluzione të qarta. Duke iu referuar përvojës së saj me pacientët, Bej thotë se pandemia e rëndoi situatën e shëndetit mendor te personat e diagnostikuar më parë si edhe solli shfaqjen e stresit tek popullata e re.
“Në rastet e humbjes së familjarëve ka pasur raste të stresit post traumatik. Mendoj se ka ndikuar edhe pjesa e hospitalizimit, sepse njerëzit kanë pasur frikë. Por ka pasur edhe raste të reja, në të cilat shtohet stresi dhe krijohet terren për sëmundje në popullatë”, tha Bej.
Megjithatë, psikologia vëren se tashmë ka një vetëdijësim më të lartë të popullatës për të kërkuar ndihmë psikologjike dhe terapia është tashmë e përhapur gjerësisht tek grupmoshat e reja, kryesisht nga 15 deri në 25 vjeç.
Mjekja psikiatre, Arjana Rreli, shpjegon se vitet e fundit janë përhapur edhe sjellje të tjera, të cilat prekin përgjithësisht të rinjtë dhe të moshuarit.
“Përveç ankthit, depresionit dhe stresit kronik, u evidentuan rrisqe të tjera që derivonin nga izolimi social, për shembull Sindroma Hikikomori, e cila është përhapur veçanërisht vitet e fundit dhe që manifestohet me tërheqje sociale, vetëpërjashtim nga bota e jashtme, izolim dhe refuzim total për çdo formë raporti, përveç atij virtual”, shpjegoi ajo.
Rreli thotë se për trajtimin e këtyre rasteve ka qendra komunitare të shëndetit mendor të plotësuara me stafe të të gjitha profileve. Në Tiranë ekzistojnë tre të tilla, të pamjaftueshme për t’i ofruar shërbim kujtdo që ka nevojë.
“Për një popullatë kaq të madhe, sigurisht që vetëm 3 qendra nuk mund ta mbajnë dot mbingarkesën, sidomos aktualisht pas pandemisë, sa i përket nevojave që ka për trajtimin e popullatës”, theksoi Rreli.
Familjarët e njerëzve që humbën jetën si pasojë e pandemisë po përpiqen gjithsesi që ta adresojnë në mënyrën e tyre dhimbjen.
Koça thotë se dhimbja për humbjen e të birit është “aq e madhe sa të mpin”, por ata po ia dalin.
“Jemi me Xhinon, nuk është këtu, është në Kanada, është në shkollë”, thotë Edlira. “Thjesht nuk është”, përfundon ajo./Reporter.al/