Pak ditë pasi u shpallën fajtor, duke u dënuar me burg përjetë për vrasjen e bashkëkombësit të tyre, Kujtim Prenga, një prej autorëve ka apeluar vendimin. Mediat gjermane raportojnë se një prej shqiptarëve ka apeluar vendimin e dhënë të mërkurën nga gjykata e qarkut Verden.
Gjykata provoi se dy shqiptarët, 36 dhe 32 vjeç, kishin organizuar atentatin ndaj 46-vjeçarit shqiptar 6 vite më parë për të marr hak për vrasjen e kushëririt të tyre.
Zyra e prokurorit publik akuzoi 36-vjeçarin se kishte qëlluar me armë zjarri para një shkolle fillore në Visselhövede, ndërsa 32-vjeçarin si bashkëpunëtor të tij.
KRIMI
Vrasja e shqiptarit, i cili u qëllua me 5 plumba, ndodhi më 9 janar 2017, në qytetin e Viselhovedes në Gjermani. Ngjarja e rëndë ndodhi në sy të vajzës së tij të mitur, ndërsa 46-vjeçari kishte shkuar për ta marrë në shkollë. Pas 4 ditësh në koma, ai ndërroi jetë në spital. Duket se ky krim ka zanafillën pikërisht në vitin 2011. Kujtim Prenga, ish-oficer i Policisë Ushtarake, mesnatën e 30 dhjetorit të vitit 2011 vrau në një lokal me muzikë në Kamëz 28-vjeçarin Armando Frroku.
Prenga atëherë 41-vjeçar punonte si badigard në lokalin me muzikë, kur i riu, i cili dyshohej se ishte nën efektin e pijeve alkoolike pati një sherr për të cilin ndërhyri si roje sigurie Prenga. Në sherr e sipër, Prenga qëlloi Armando Frrokun duke e lënë të vdekur. Ai u arrestua pas ngjarjes dhe deri në vitin 2016 ka qenë në burg, ndërsa më pas bashkë me fëmijët e mitur u nis për azil në Gjermani, ndërsa bashkëshortja i kishte ndërruar jetë. Por ndonëse ruhej me vendim gjykate, shqiptarit iu bë atentat nga dy persona të armatosur të cilët lëviznin me motor. Ata i janë afruar dhe e kanë qëlluar shqiptarin në sy të vajzës së tij përpara shkollës dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar më vonë nga policia.
(BalkanWeb)