Derbi i kryeqytetit, sfida e përjetshme e futbollit shqiptar vjen në fazën e tretë me shije titulli, një përballje direkte mes dy ekipeve të kreut, mes dy favoritëve kryesorë për të triumfuar në fund.

Derbi është një ndeshje që gjithnjë shoqërohet me emocione, një përballje që ka prodhuar gjithnjë personazhe, një prej tyre është edhe Erjon Hoxhallari, ish kapiteni i Tiranës, tashmë pjesë e UTA Arad në Rumani.

Në një lidhje live në “News24”, në emisionin ‘Sport News” të moderuar nga Trevisa Tufa, Hoxhallari analizoi këtë takim, rrëfeu emocionet e tij, ndeshjen më të bukur dhe kujtimin më të bukur personal në një derbi. Ish kapiteni i bardhebluve theksoi se Tirana vjen si favorite në këtë derbi pasi ka luksin të luaj për të dy rezultatet. Mbrojtësi mëngjarash zbuloi se kush e vendos këtë derbi në sytë e tij, ndërsa tregoi nëse ka pasur apo jo kontakte me stafin e ri të ekipit Kombëtar:

“Më ka marrë malli për Shehin, për Tiranën. E kam ndjekur në disa ndeshje, si në sfidën e fundit. Me largimin e disa lojtarëve Tirana ka rënie, por shpresoj të qëndrojë në krye.

Derbi është ndeshja që duhet shijuar. Fitorja 5-1 dhe fitorja në derbi në “Elbasan Arena”, ku fituam titullin, janë dy ndeshjet më të bukura, goli që i shënova Partizanit kujtimi më i bukur personal. Derbi i tretë? Tiranën e shoh pak më favorite, mund të luaj për të dy rezultatet.

Mendoj se ndeshjen do e vendosin dy sulmuesit e Tiranës, janë golashënuesit më të mirë, mendoj se do e vendos Hasani. Tirana e vjetshme ka qenë më e fortë, por shanset janë që të fitojë sërish titullin. Të ardhmes nuk i dihet, pse jo të arrijë ndonjë ekip tjetër jashtë. Nëse kthehem në Shqipëri, Tirana është ekipi i parë. Për momentin nuk kam pasur kontakte me stafin e ri të Kombëtares, por jam gati në çdo moment”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb