Napoli ka prekur me njërën dorë titulli në Serie A ndërsa janë shumë pranë edhe kualifikimit për në fazën çerekfinale të Champions League. Një meritë të pa diskutuar në këtë ecuri fantastike ka dyshja Osimhen-Kvara. Të dy lojtarët kanë përfunduar në objektivin e shumë klubeve të mëdha evropiane, mbi të gjitha Osimhen, pas të cilit janë vënë pas klube në Premier League. Sulmuesi nigerian është pyetur pikërisht për një transferim të mundshëm në ishull:
“Besoj se Premier League është ambicia e shumë lojtarëve. Ku i dihet, mbase një ditë, por në këto momente, ju siguroj se as që më shkon ndërmend. Do të më shpërqendronte nga një sezon shumë i bukur. Për momentin mendoj vetëm për Napolin, pikë”, u shpreh Osimhen në një intervistë për “Corriere dello Sport”.
Besnikëri Napolit i premton edhe ylli gjeorgjian, fakt që e pranon agjenti i tij: “Kvara-s i pëlqen gjithçka në Napoli, për momentin nuk mendon për asnjë skuadër tjetër. Ai më ka thënë se në Itali nuk luan për asnjë ekip tjetër, tani nuk e di se çfarë mund të ndodh pas 10-15 vitesh, mbase Inter e kërkon dhe shkon, por për momentin nuk do t’ia dijë. Jashtë Italisë ai dashuron Real Madrid, edhe pse unë dhe babai i tij jemi tifozë të Barcelonës, por ai është një madrilen”, u shpreh agjenti i Kvara-s.
(BalkanWeb)