Një muaj sherr për një orë fjalim. Kështu përfundoi përpjekja e opozitës për të vendosur Edi Ramën përballë përgjegjësisë për lidhjet e tij me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së Charles McGonigal.

Pasi bllokuan për disa jave seancat plenare me bilbila e zhurmë, paralajmëruan revolucion dhe u përballën me përjashtime që nuk ishin parë kurrë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, opozita ishte pothuajse e heshtur në seancën e 2 marsit.

Mocioni me debat konfirmoi se Rama nuk do të përgjigjet për çështjen McGonigal. Ai ndoqi të njëjtën strategji të daljeve në media pa thënë asgjë, nuk pranoi t’i nënshtrohej pyetjeve të interpelancës dhe mbajti qëndrimin antikushtetues se komisioni hetimor nuk do të ngrihet. Por pavarësisht këtyre fakteve, gjatë fjalimit të tij, në sallë mbizotëronte një qetësi e pashpjegueshme nga ana e opozitës.

Pas fjalimit 45 minutash me epitete e ironi ndaj opozitës kryeministri Rama u largua nga salla e Kuvendit. Kjo shkaktoi reagime të vakëta nga deputetët e opozitës, të cilët u mjaftuan vetëm duke kërkuar ndërprerjen e seancës. Sigurisht kërkesa e tyre u refuzua dhe seanca vijoi në një sallë thuajse të boshatisur.

Në debatin për çështjen McGonigal ishin regjistruar 97 deputetë, nga të cilët 44 ishin të opozitës dhe 53 të maxhorancës.

Çdo deputet kishte të drejtën e fjalës për të paktën 10 minuta çka do të thotë se kjo pjesë e seancës do të zgjaste mbi 16 orë. Në fakt seanca zgjati në total me pak se 10 orë duke përfshirë edhe fjalimin e gjatë të Ramës.

Kur e gjithë vëmendja e opinionit publik ishte përqendruar në Kuvend dhe pritej që opozita të vendoste kryeministrin me shpatulla pas murit për lidhjet e tij me Charls McGonigal, seanca e 2 marsit u mbyll me qetësi në orën 9 të mbrëmjes, kur në anën e opozitës qëndronte i ulur vetëm Ferdinand Xhaferri.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb