Një skandal në kufijtë e të paimagjinueshmes ka përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtuesin e saj Ceno Klosi. Prej 15 korrikut të 2022 drejtoritë kryesore të tatimeve qendrore duke përfshirë sektorin “VIP” dhe sektorin e hetimit tatimor, po e kryejnë aktivitetin administrativ në një ndërtesë pa leje e cila është marrë me qira.
Firma në kontratë është hedhur as më shumë dhe as me pak nga Ceno Klosi në shkelje të plotë të ligjit. Sipas kontratës të cilën Neës24 e disponon, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë me qira për zyra 2931 metra katrorë në një objekt në Yzberisht, më konkretisht buzë unazës së madhe të Tiranës, në zonën e “Astirit”.
Sipas dokumenteve zyrtare ky objekt ka të regjistruara në hipotekë vetëm 373,3 metra katrorë, pjesa tjetër prej 2559 metrash katorë është pa leje dhe prej vitesh në procedura legalizimi. Vlera e kontratës është 25 mijë euro në muaj, dhe afati është 1 vjeçar, me të drejtë rinovimi.
Nuk dihet ende se çfarë procedure është ndjekur për të arritur në këtë marrëveshje, por Tatimet nuk kanë njoftuar ndonjë tender të hapur, ku subjektet konkurrojnë me çmimet që ofrojnë. Në kontratën ku Ceno Klosi ka hedhur firmën ka absurditete të ndryshme, ku thuhet se qiradhënësi garanton se është pronar i vetëm legal i pasurisë, ndërkohë që vetë objekti është pa leje.
Nuk kuptohet se si Drejtoria e Hetimit Tatimor, që ka funksionet e Policisë Gjyqësore dhe bashkëvepron me Prokurorinë, mund të kryej aktivitetin në një ndërtim pa leje të marrë me qira, ku vetë kjo drejtori mund të ketë objekt të punës së saj edhe biznese që operojnë në godina pa leje.