Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj u trajtua historiku i kuvendit të Barçallas, ku rreth 200 burra u ngjitën në majën e malit të Dukatit 2000 m mbi nivel deti…
Edhe pse kanë kaluar 102 vjet nga Lufta e Vlorës, krenaria e pakrahasueshme e këtij qyteti, ka gjithmonë vend në zbulimin e të vërtetave të saj, ngjarjeve, etapave, personazheve historikë si dhe dritëhijeve të tyre në fillim shekullin XX. Të gjithë për arritjen e fitores ndaj një fuqie botërore gati njëzëri shprehen se ”i hodhën italianët në det” apo shprehjen popullore për pjesmarrjen e luftëtarëve nga katundet e krahinës së Labërisë “çobanët mbi gjeneralë”
Por gati askush nuk jep dot përgjigje se si hynë italianët në Vlorë, cili ishte shkaku dhe si u pritën ata nga vendasit? Pse lindi ideja për luftë ndaj Mbretërisë Italiane, në një kohë kur mbi 5 vjet bashkëjetonin me ta pa ndonjë konflikt të dukshëm. Por përsëri përgjigjet shfaqen të glorifikuara.
Siç edhe dihet reaksioni i parë i këtij qyteti ndodhi në fillim të vitit 1915 me kalimin e Italisë drejt Antantës e joshur nga përfitimi i territoreve të Ballkanit Perëndimor, në rast fitoreje të bllokut. Ishte po ajo Itali që së bashku me Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë bënë të pamundurën që të krijonin shtetin shqiptar në Londër nga Luftërat Ballkanike për të ndaluar daljen e Serbisë në det. Ftesa sekrete po në Londër pranverën e vitit 1915,
nuk duhet të jetë rastësi për Italinë, pasi intrigat largpamëse britanike dominonin kështu edhe skenën e historisë, mëgjithëse inferiorë si aleancë.
Traktati që u lidh aty fliste për çudi për një qytet ikonë të një shteti të ri fqinjë dhe fatin e tij që paraqitej si shpëtim nga orientalizmi dhe primitivizmi vendas. Qyteti i Vlorës nën një qiell të përhimtë po priste në ullishtat e tij karvanët e popullsisë së Jugut që nën terror andartësh grekë po mbërrinin të përgjysmuar aty. Qyteti i brishtë i flamurit shihte në muret e tij ushtri të panumërt fanatikësh islamë të një kryengritjeje që do të mbahej mend si marrëzia më e madhe në shpinë të kombit. Përplasja e pamundur prej tyre do të shfaroste krejt qytetin, prandaj u pa si mundësi marrëveshja. Ata ndihmoheshin pa pushim nga serbët dhe grekët, armiqtë shekullorë të Shqipërisë martire.
Qyteti këkroi të mos prekej simboli i tij, flamuri kombëtar, por ishte e kotë. Flamuri simbol u dogj, zëvendësimi me atë turk u bë shpejt ku kreu i qytetit Ibrahim Abdullahu u shkarkua duke i kursyer jetën. Po ashtu duhej të zëvendësohej edhe kreu.
Osman Haxhiu mori në dorë qytetin me 5000 rebelë islamë nëpër këmbë.
Lufta e Parë Botërore shpërtheu dhe anarkia arriti kulmin. Italianët kërkojnë të hyjnë në qytet, por ndalen për siguri. Në këtë luftë botërore ishin futur dhe princi gjerman i Shqipërisë Vid, aleati i tyre i dikurshëm, kështu po në mënyrë të fshehtë trupat italiane zbarkojnë në ishullin e pabanuar të Sazanit. Si një gjueti ujqish në mjegull, konsullatës italiane të qytetit i mbërriti një mision humanitar për muhaxhirët e gjymtuar. Ky ishte karremi për një qytet që po jetonte me tmerrin dhe kjo nuk mund të ishte njerëzore. U gjetën disa fatkeqë nga radhët e tyre, që nën drejtimin e një aventurieri të paguar, juristit doktor Çako që shtinin me armë nëpër natë. Nën një buzëqeshje djallëzore konsulli njoftoi për rrezikun Romën, qysh në mëngjes dy batalione marinsësh zbarkuan të armatosur në bregdetin vlonjat, ndjekur nga shikimet kurreshtare të vendasve, ku shimica prej tyre e quajtën si ndihmë .
Armata italiane në Vlorë kishte kështu qendrën dhe gjatë gjithë Luftës së Parë Botërore vendasit normalizuan marrdhëniet me ta duke zhvilluar tregti ditëve të pazarit. Kjo ishte në sytë e krerëve të qytetit një lloj asimilimi shumë më i shpejtë, krahasuar me atë gradual otoman, të cilën e panë fare hapur kur trupin e pajetë të flamurtarit të tyre, nuk pranuan ta mbulonin me flamurin kombëtar në 1919.
Këtu fuqia ushtarake italiane tregoi menjëherë dhëmbët, ngadalë po hiqnin flamurin, emrin e qytetit dhe atë të tyre të cilin nuk ja kishin hequr mijëra vjet luftë ndër perandori. Po në fund të nëntorit të atij viti durimi i tyre e theu barrierën e kufirit të fundit në çastin kur përçmimi Italian ndaj qytetit të flamurit u duk çnjerëzor.
Flamuri i ndaluar shqiptar po zvarritej në bishtin e një qeni, i cili vraponte i frikësuar pranë manifestuesëve vlonjatë që po kremtonin 7 vjetorin e tij.
Ata vendas me ato veshje të çuditshme mijëravjeçare dhe fare të qetë kur tregtonin produktet e trevës, ruanin brenda tyre një një shpirt vullkani që i tjetërsoi në dragonj. Ishte ai, “Vatani” të cilin nuk do ta ndërronin me asgjë!Në Janarin e ftohtë të 1920 krerët nuk u lejuan për të shkuar në Kongresin e Lushnjës, pasi figuronin brenda një shteti të huaj. Kjo i kalonte kufijtë e imagjinatës, kjo nuk kish ndodhur prej shekujsh dhe si gjithmonë nuk kish të bënte me njerëzoren. Ata e gjetën rrugën dhe me vonesë mbërritën, ku mes ftohtësisë dimërore panë një ftohtësi tjetër në fytyrën e delegatëve që i shihnin si të ishin ata shkaktarët. Urrejtja ndaj njollës më të errët në histori, kryengroitjes HaxhiQamiliste endej gjithandej në fytyrat e tyre përsëri. Ata ishin djersitur nga zemërimi, kur pranë tyre u afrua kryeministri i sapo zgjedhur Sulejman Delvina dhe ministri i ri në moshë Ahmet Zogolli. Fillimisht biseda me ta i ngjante një përralle, pastaj merrte ngjyra luftarake dhe në fund flakë triumfi, gjë që i bënë të mendohen dhe të bisedojnë përsëri. Përsëri biseda sekrete, qeveria e re e Lushnjës nuk mundi ti ndihmonte direkt në konflikt, por peshën e malit do ta mbanin vetë ata. Të braktisje një krahinë të tërë në ditën e saj më të zezë, iu duk si mallkimi më i madh i shekujve.
Çfarë kishin bërë që fati po u vendoste një peshë të tillë mbi shpinë?
Përsëri një barrierë e fuqishme po vendosej pa e vënë re me të shpejtë. Në takimin me familjen influente Vlora nuk u gjet miratim, në asnjë pikë!
Qyteti e kishte fare të pamundur të krijonte një forcë sado modeste mes dhjetramijë trupave italiane ngado, kështu që krerët kërkuan ndihmën e krahinave.
Krerët duhet të krijonin një kuvend mes tyre, ku të bisedohej në mënyrë të fshehtë me krerët qofshin këta organizues apo ata luftarakë.
Kjo fjalë “e fshehtë” kur çdo gjë filloi të vinte erë gjak dukej e pakuptimtë. Ngaqë italianët ndodheshin kudo, u vendos që kuvendi të bëhej në Dukat, ose më mirë në malësitë e tij. Arsyeja e thjeshtë ishte që këtë krahinë luftarake dhe me traditën më të thellë të atdhedashurisë falë influencave të tyre po e përçanin, siç ndodh në pragluftrash. Veç kësaj trupat italianë të Qafës së Logarasë, garnizoni Italian në Orikum si dhe regjimenti i marinës luftarakë pranë bregdetit në Radhimë e bënin tejet të rrezikshëm mbajtjen e një kuvendi në këtë zonë. Por rruga e nisur ishte pa kthim, nën këto rreziqe udhërrëfyes krerët e Dukatit mendojnë ta mbajnë kuvendin në malësitë e këtij katundi, nga ku edhe kish traditën mijravjeçare të blegtorisë. Një vend ku lartësive të thyera afro 2000 metër askush nuk do ta besonte ndodhinë, mbi 200 burra si krerë dhe luftëtarë u bënë bujtës të staneve dukatase në një pllajë mali me një pamje përrallore dhe ujë të kulluar burimesh. Bahçalla, emri i asaj lartësie herë-herë duket si dërgesë hyjnore; Kopshti i Zotit!
Këtë herë Zotin duhet ta bënin shqiptarët! Në vështirësitë mes tyre ata pranuan një Këshill Luftarak prej 12 vetësh.
U zgjodh sërish Osman Haxiu në krye të tij. Hijet e së kaluarës së afërt rëndonin qiellin mbi kuvend. Duhet të bëhej një betim fillimisht i krerëve organizues pastaj atyre luftarakë. Fare thjeshtë! Në njërën anë një pushkë, në tjetrën libri i Zotit, Kurani
Krerët vendas po shpjegonin detajet e betimit. “Me dorën mbi Kuran do thuhet më thertë! Me dorën mbi dyfek do të thuhet më vraftë!” Dukej vërtet në kopshtin e Edenit një betim hyjnor! Ashtu ndodhi vërtet në Bahçalla! Ata do të luftonin për të mbrojtur vatrat. Asnjë ushtri në histori nuk ka luftuar si ajo e Luftës së Njëzetës mbi baza totalisht vullnetare! Dhe ajo epokë e re nisi aty, në Kopshtin e Zotit!