Kryeministri Edi Rama ka pohuar sot tërheqjen nga pasaportat e arta, por jo nga amnistia fiskale dhe legalizimi i kanabisit, duke pranuar ekspertizën e BE.
Rama tha se ne nuk heqim dorë sepse kemi arsyet tona për të menduar se kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë dhe duam t’i shkojmë deri në fund procesit të dialogut dhe të përmirësimit të draftit.
“Sa i përket pas të arta, e kemi bërë të qartë që e kemi pezulluar procesin deri kur të sqarohet në nivel europian qëndrimi. Ne nuk e shpikëm këtë, e morëm nga vendet e BE-së. Ne nuk do ta nxjerrim këtë çështjes në tavolinë pa parë si vendos Gjykata Europiane. Kemi folur për amnistinë fiskale, qëndrimi ynë është i ditur. E vlerësojmë shumë angazhimin e Komisionit për ekspertizë, duam të vazhdojmë punën me ekspertët. Ne nuk heqim dorë sepse kemi arsyet tona për të menduar se kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë, por duam ta bëjmë këtë gjë së bashku, ndaj ju falënderojmë për ekspertizën dhe duam t’i shkojmë deri në fund procesit të dialogut dhe të përmirësimit të draftit. Sot është një draft komplet tjetër nga ai që ishte në fillim falë ekspertizës që ju na keni ofruar”, tha Rama.
Sa i përket legalizimit të kanabisit, kryeministri deklaroi se do vijohet me procedurat parlamentare. “E fundit, kemi përfunduar të gjithë procesin e konsultimit për kanabisin mjekësor kështu që do vazhdojmë në parlament, duke pasur shumë qartë se nuk është çështja si e shkruajmë, por edhe se si e zbatojmë dhe për të gjithë elementë e monitorimit janë mirëmenduar, por sigurisht do gjykohet në praktikë”, u shpreh Rama.