Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët denoncoi televizionin Abcnews, ndërsa shtoi se Devolli është vale e kryeministrit Edi Rama.
Berisha pohoi se i vetmi gazetar me integritet që ka ngelur në këtë televizion është Enkel Demi.
“Publiku shqiptar përjetoi vdekjen klinike të ABC, vetëm se nuk mund të ishin në një valë me Devollin, që thotë herë e kam dhe herë s’e kam. Devolli është valë e Ramës, dhe prodhon birrë dhe dyshekë. Ai për hir të Ramës ka kryer një vepër të rëndë. Personi i fundit që ka ngelur aty si dëshmi e një gazetari me integritet, është zoti Demi. Edhe ndaj tij po bëhen presione prej rrugeçërish që të largohet nga televizioni dhe të kontrollohet 100% nga Endri Fuga e Sokol Balla, dy njerëzit e Ramës dhe dora e Erion Veliajt. Kjo që po ndodh në media, s’ndodh kudo në Shqipëri.
S’ka asnjë hetim nga SKAP-i i partisë. Duçka dhe Neza pasurohen nga biznesmenë që i kanë kërkuar për t’u hequr vizat. I bëj thirrje FBI, Kongresit të Shteteve të Bashkuara, të hetojë rolin e Mcgonigal, sepse do të ndihmonin shumë vendin e tyre dhe Shqipërinë e shqiptarët. Për këtë akt të pashembullt që nga koha e perandorisë osmane e deri më sot, duhet të jepen llogari.”, pohoi Berisha.
Po ashtu Berisha pohoi se televizioni Top Channel është shitur, ndërsa shtoi se ky është një veprim i tmerrshëm mafioz i Edi Ramës dhe nga klani i tij.
“Publikime të besueshme me dokumente autentike, faktojnë se televizioni kombëtar Top Channel, në një aksion, në një veprim tërësisht obskur, tërësisht jotransparent, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit, rezulton se në prag të fushatës, i është shitur një shtetasi, i quajtur Uestern Media, në Belizë, me çmimin 9 milionë dollarë.
Ky është një veprim i pashembullt, asgjësimi i një televizioni kombëtar, me licencë kombëtare, tjetërsimi i tij në kundërshtim me çdo rregull, shitja fallco si kunata e Olta Xhaçkës, që ishte pronare e resortit strategjik të burrit të saj, përbën një veprim të tmerrshëm mafioz, personalisht të Edi Ramës dhe klanit të tij.
Një televizion kombëtar ka marrë një valë dhe frekuencë kombëtare. Këto janë pasuri publike. Ato nuk privatizohen. Asnjë televizion nuk mund të përfundojë në Belizë të Edi Ramës, Erion Veliajt, të këtyre mafiozëve që nuk kanë ligj, moral dhe asgjë tjetër. Muaj më parë, televizioni Top Channel filloi një linjë editoriale të pavarur, linjë editoriale e cila e bëri atë objekt sulmesh të egra të Edi Ramës. Por duket se skemat e Tikut të partisë është një skemë universale. Ato editoriale ishin si një gjobëvënie ndaj qeverisë, na bli me 9 milionë ose do kesh këto pasoja. Kjo është një nga ditët më të zeza në historinë e medieve shqiptare.
Unë i them zonjës Hoxha se me këtë akt, ke kryer një krim të shëmtuar ndaj publikut shqiptar. Ti nuk mund ta përdorësh si një mjet personal një valë kombëtare, një frekuencë kombëtare. Ke kryer një akt që çdo ligj të bën përgjegjës, sigurisht së bashku me Edi Ramën dhe Erion Veliajn. E denoncoj me forcën më të madhe këtë akt. SKAP-i është i kapur, sepse prej kohësh duhej të kishte nisur hetimet. SKAP-i është po kaq i kapur, në mos më shumë se këta që kryejnë këto akte.”, shtoi ai.
(BalkanWeb)