TIRANE

Lef Nosi me kostum popullor e me armë. Imazhet e zyrës së Syrja Bej Vlorës me fëmijët e tij me të parën fotografi me blic. Ushtarë të Indokinës në Korçë, të martuara me vajza vendase. Një Italian në Tiranën e monarkisë. Një austriak që mbet në Shqipëri edhe pas luftës.

Fotografë e fotografi të njohura e të panjohura që zbulojnë Shqipërinë e hershme! 7500 fotografi të 12 autorëve nga fundi i shekullit të XIX ne gjysmën e parë të shekullit XX tregojnë Shqipërinë e kohës. Rubens Shima, studiues e koleksionist, ka ndërtuar një fototekë online, ku vjen Shqipëria e hershme përmes imazhesh të panjohura dhe autorësh të zhdukur.

“Fototeka sjell koleksione me imazhe të rralla të shqiptarëve, si një platformë ‘online’ e fotografisë shqiptare. Janë 7500 foto të digjitalizuara nga 12 autorë të shek XIX-XX. Fototeka sjell peizazhin urban, kazatë, luftën dhe ndërtimet në vend. Ka fotografë shqiptarë, italianë, austriakë e grekë që kanë dokumentuar zhvillimet dhe kanë fiksuar portrete të shqiptarëve e ushtarëve, familje të mëdha dhe banorë të thjeshtë”, thotë Shima.

Për imazhet të cilëve nuk u dihen autorët janë klasifikuar sipas viteve dhe ngjarjeve historike. Ka autorë të njohur e të panjohur që kishin studio në vendin tonë. “Një prej tyre është italiani Otello Renzoni, një Italian që kishte studio në Tiranë nga viti 1928 deri në vitin 1939. Ai ka qenë një fotograf zyrtar i Zogut, por ka dokumentuar edhe ngritjen e portit të Durrësit”, tregon Shima.

Një tjetër emër i panjohur sot për ne, ka qenë një fotograf grek në Korçë. “Athanasio Nikolakopulos, është një grek që u fshi nga historia. Subjektet e fotografuara në këto vite të hershme janë kryesisht personazhe me peshë, familje të klasës së pasur të qytetit, zotërinj të veshur plot sqimë, fëmijë me kostume tradicionale, nxënës me libra në duar, të rinj që pozojnë me rroba zbavitëse në ditën e karnavaleve – gjithë ç’mund të ofronte një qendër e rëndësishme urbane si Korça në fillimet e shekullit XX. Emri i tij u zhduk nga historia e fotografisë, me gjasë si i papërshtatshëm dhe ca i sikletshëm për narrativën ‘kombëtare’ të fotografisë shqiptare”, shpjegon Rubens Shima, drejtue si projekit të Fototekës.

Fotografët e moren zejen në Athinë, Stamboll e Bukuresht ndërsa Shima për secilin prej tyre ka vënë një jetëshkrim. Nëse në fillime Vani Burda fiksoi bartësit e gjendjes së mjerueshme, më vonë ai do të përfundonte si cigareshitës në diktaturë, ngase “Arkivi dekonstruktonte fiksionin e regjimit” përmes imazheve.

Një pyetje që lind ndërsa sheh koleksionet e pasura që megjithatë nuk janë të plota është se si qe e mundur që një vend me shumicë myslimane, kishte kaq shumë fotografi, nëse kemi parasysh ndalimin që ka islami për imazhin.

Për Shimën, islami nuk e ndaloi përhapjen e fotografisë në vend. Shumë prej atyre që u fotografuan ishin familje të mëdha që e kishin marrë shërbimin e fotografisë edhe jashtë vendit. Dhe familjet e mëdha e të pasura në Shqipërinë e kohës, ishin mysliamne, ndaj në një farë mënyre e bënë fotografinë të jetë në modë, sqaron ai, duke shtuar se vetë Sulltan Abylhamidi, ishte i dhënë pas fotografisë.
Fototeka sjell dy imazhe të rralla, që janë fotografi të panjohura të Syrja Bej Vlorës.

“Imazhet janë shkrepur nga shtëpia ku u shpall pavarësia, shtëpia e Syrja bej Vlorës. Në to duken Eqrem Bej Vlora, e motra dhe zyra e Syrja Beut në Vlorë. Janë imazhe ku u përdor për herë të parë blici- ndriçimi i kontrolluar” shpjegon Shima.

Në vijim, nga Petro Dhimitri (Fotografi) për të cilin ka një studim të plotë vijnë imazhet e rinisë së Lef Nosit me kostume popullore, ushtarë të armatës franceze me kompozime erotike dhe imazhe familjare të ndryshme të realizuara në vende të ndryshme nga fotografi shëtitës.Fotot e rralla të familjes Vlora, kompozimet erotike, ndërtimi i portit të Durrësit.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: